Edhe pse disa ekspertë e përshkruajnë pikëllimin si një proces me disa faza, jo të gjithë pikëllohen njësoj. A nënkupton kjo se disa njerëz nuk janë aq të trishtuar apo se po «i ndrydhin» ndjenjat? Jo medoemos. Ndonëse pranimi dhe shprehja e pikëllimit mund të kenë efekt lehtësues, nuk ekziston një «mënyrë standarde» pikëllimi. Shumë varet nga kultura, personaliteti, ajo që ka kaluar në jetë i pikëlluari, si edhe në ç’rrethana e ka humbur njeriun e dashur.

SA THELLË MUND TË NDIKOJË PIKËLLIMI?

Të pikëlluarit mund të mos e dinë si do të ndikojë tek ata vdekja e një njeriu të dashur. Megjithatë mund të presin të përjetojnë ndjenja e vështirësi që janë tipike. Shqyrto sa vijon:

Ndjenja mbytëse. I pikëlluari mund të ndiejë mall për personin që i ka vdekur, të shpërthejë në lot apo të përjetojë luhatje humori të papritura. Ka të ngjarë që kujtimet dhe ëndrrat t’ia intensifikojnë ndjenjat. Gjithsesi, reagimi i parë mund të jetë shokimi apo mosbesimi. Tina kujton si reagoi kur i shoqi, Timo, humbi jetën papritur. Ajo thotë: «Në fillim isha komplet e mpirë, madje as nuk qaja dot. Isha kaq e dërrmuar sa, me raste, mezi merrja frymë. Ishte thjesht e pabesueshme.»

Është normale të përjetosh dallgë ankthi, zemërimi dhe faji. Ivani thotë: «Për ca kohë pasi na kishte vdekur djali 24-vjeçar, Eriku, unë dhe gruaja ime, Jolanda, ishim goxha të zemëruar. U habitëm sepse nuk e njihnim veten për njerëz zemërakë. Ndiheshim edhe fajtorë, pasi vritnim mendjen nëse mund të kishim bërë diçka më shumë për djalin.» Ndjenja faji përjetoi edhe Alehandroja, të cilit i vdiq gruaja pas një sëmundjeje që zgjati shumë. Ai u shpreh: «Në fillim mendoja se duhej të isha njeri i keq përderisa Perëndia po lejonte të vuaja kaq shumë. Pastaj ndihesha fajtor ngaqë po fajësoja Perëndinë për çfarë kishte ndodhur.» Kurse Kostasi, i përmendur në artikullin e mëparshëm, tregon: «Me raste isha i zemëruar edhe me Sofinë pse vdiq. Më pas fajësoja veten për këto ndjenja. Tekefundit, ç’faj kishte ajo?!»

Vështirësi për të menduar qartë. Mund të ketë periudha kur mendimet e të pikëlluarit janë të paqëndrueshme dhe të palogjikshme. Për shembull, mund t’i duket sikur e dëgjon, e ndien ose e sheh të ndjerin. Ose mund ta ketë të vështirë të përqendrohet apo të mbajë mend. Tina thotë: «Ndonjëherë më ndodhte që në muhabet e sipër, kuptoja që s’e kisha fare mendjen aty. Truri xhironte ngjarjet që lidheshin me vdekjen e Timos. Dhe, ngaqë nuk përqendrohesha dot, stresohesha edhe më shumë.»

Dëshira për të ndenjur vetëm. I pikëlluari mund të acarohet apo të mos ndihet rehat në shoqërinë e të tjerëve. Kostasi thotë: «Kur rrija me çiftet, më dukej vetja i tepërt. E njëjta gjë më ndodhte edhe me beqarët.» Gruaja e Ivanit, Jolanda, kujton: «Ishte shumë e vështirë kur rrija me njerëz që qaheshin për probleme të cilat dukeshin çikërrima krahasuar me tonat. Kishte dhe nga ata që na tregonin sa të mbarë ishin bërë fëmijët e tyre. Më bëhej qejfi për ta, ama s’e kisha fare të lehtë t’i dëgjoja. Bashkë me tim shoq e kuptonim që jeta vazhdon, por thjesht s’kishim as nerva e as dëshirë të dëgjonim muhabete të tilla.»

Probleme shëndetësore. Ndryshimet në oreks, në peshë dhe pagjumësia janë simptoma të zakonshme. Aroni sjell ndër mend ç’i ndodhi gjatë vitit kur i vdiq i ati: «Kisha shumë probleme me gjumin. Zgjohesha çdo natë në të njëjtën orë, e mendja më rrinte te vdekja e babit.»

 Alehandroja kujton që iu shfaqën probleme shëndetësore të çuditshme: «U vizitova disa herë te një doktor, i cili më siguroi se s’kisha gjë. Dyshoja që problemet fizike po m’i shkaktonte pikëllimi.» Me kohë ato simptoma u zhdukën. Megjithatë, vendimi i Alehandros për t’u vizituar, ishte diçka e mençur. Pikëllimi mund të të dobësojë sistemin imunitar, të t’i përkeqësojë problemet shëndetësore e madje të të shkaktojë ndonjë problem të ri.

Vështirësi për të bërë gjërat elementare. Ivani shprehet: «Kur vdiq Eriku, na u desh të njoftonim jo vetëm të afërmit dhe miqtë, por edhe të tjerë, si punëdhënësin e qiradhënësin e tij. Plus duheshin plotësuar gjithë ato dokumente ligjore dhe duhej të merreshim me sendet e tij personale. Të gjitha këto kërkonin përqendrim, në një kohë kur ne ishim të rraskapitur mendërisht, fizikisht dhe emocionalisht.»

Megjithatë, për disa sfida më e madhe është të merren me punë që më parë i bënte i ndjeri. Kështu i ndodhi Tinës. Ajo shpjegon: «Me çështjet bankare dhe financiare ishte marrë gjithnjë Timo. Tani kjo përgjegjësi më ra mua dhe vetëm sa ma shtoi stresin. A do të bëja dot gjithçka siç duhet?»

Vështirësitë emocionale, mendore dhe fizike që sjell pikëllimi, të cilat i përmendëm më lart, mund të të fusin frikën. Vërtet, humbja e një njeriu të dashur sjell dhembje therëse, ama, kur je i përgatitur për çka mund të ndodhë, ka të ngjarë ta përballosh më lehtë hidhërimin. Gjithashtu ki parasysh se jo të gjithë përjetojnë çdo pasojë të mundshme të pikëllimit. Për më tepër, të pikëlluarit mund të marrin zemër kur dinë se ndjenjat e hidhura që sjell pikëllimi, janë normale.

A DO TË JEM PRAPË I LUMTUR?

Çfarë të presësh: Ndjenjat e thella të pikëllimit nuk zgjatin përgjithmonë; me kohë veniten. Kjo nuk do të thotë se i pikëlluari «shërohet» plotësisht ose se e harron njeriun e zemrës. Mirëpo, pak nga pak, pikëllimi therës nis të lehtësohet. Gjithsesi, ndjenjat e pikëllimit mund të nxjerrin kokë nga kujtimet e papritura ose nga rastet e veçanta, siç janë përvjetorët. Me kalimin e kohës, shumica e rifiton ekuilibrin emocional dhe mund të përqendrohet sërish në aktivitetet e përditshme. Kjo ndodh sidomos kur i pikëlluari ka mbështetjen e familjarëve ose të miqve dhe merr masa të arsyeshme për të përballuar situatën.

Edhe sa kohë? Për disa, më e keqja zgjat ca muaj. Shumë të tjerëve u duhen një a dy vjet që të ndihen më mirë. Të tjerë akoma kanë nevojë për më tepër kohë. * Alehandroja kujton: «Isha thellësisht i pikëlluar për rreth tre vjet.»

Ki durim me veten. Merri ditët një nga një, bëji gjërat sipas ritmit tënd dhe ki parasysh se pikëllimi therës nuk zgjat përgjithmonë. Megjithatë, a mund të bësh diçka praktike që të lehtësosh e të parandalosh pikëllimin e tejzgjatur?

Ndjenjat e hidhura që sjell pikëllimi, janë normale

^ par. 17 Disa mund të përjetojnë atë lloj pikëllimi të thellë e të zgjatur që njihet si pikëllim «i komplikuar» ose «kronik». Ndaj mund të jetë dobiprurëse të kërkojnë ndihmën e specialistëve të shëndetit mendor.