«Kisha 39 vite martesë me Sofinë * kur ajo humbi jetën pas një sëmundjeje që zgjati goxha. Miqtë më ndihmuan jashtë mase dhe përpiqesha ta mbushja kohën me gjëra të ndryshme. Ama, për një vit plot u ndieva copë-copë. Provoja lloj-lloj ndjenjash të trazuara. Madje, edhe tani që kanë kaluar gati tre vjet nga vdekja e saj, me raste më pushton një trishtim therës dhe shpesh papritmas.»—​Kostasi.

A të ka vdekur një njeri i dashur? Nëse po, ka të ngjarë të ndihesh si Kostasi. Pak gjëra mund të të rëndojnë e të ta copëtojnë zemrën aq sa vdekja e bashkëshortit, e një të afërmi ose e një miku të shtrenjtë. Njësoj mendojnë edhe ekspertët që studiojnë pikëllimin e thellë që sjell vdekja e një njeriu të dashur. Një artikull i botuar te The American Journal of Psychiatry thotë se «pa diskutim, nuk ekziston ndonjë humbje aq ekstreme dhe e përhershme sa vdekja». Kush përjeton një hidhërim të tillë të pamatshëm, mbase pyet veten: «Edhe për sa kohë do të ndihem kështu? A do të jem prapë i lumtur? Si mund të gjej lehtësim?»

Këto pyetje do të marrin përgjigje në këtë numër të revistës Zgjohuni! Artikulli vijues do të shqyrtojë çfarë ka të ngjarë të përjetosh nëse kohët e fundit të ka vdekur një njeri i shtrenjtë. Ndërsa artikujt e tjerë do të tregojnë disa mënyra si ta lehtësosh sadopak pikëllimin.

Shpresojmë me gjithë zemër që ajo çka do të shqyrtohet më tej, t’i sjellë ngushëllim e t’i japë ndihmë praktike çdo të pikëlluari.

^ par. 3 Disa emra në këtë seri artikujsh janë ndryshuar.