PANAJOTA u rrit në një ishull të Mesdheut. Që në adoleshencë ishte shumë e dhënë pas politikës. Më vonë u bë sekretare e një partie politike në fshatin ku jetonte. Ajo madje shkonte shtëpi më shtëpi që të mblidhte fonde për partinë e saj. Por, me kalimin e kohës, Panajota u zhgënjye. Nepotizmi, ambicia, fërkimet e xhelozia vazhdonin edhe pse anëtarët e partisë e quanin njëri-tjetrin shokë.

Danieli u rrit në Irlandë, në një familje shumë të përkushtuar nga ana fetare. Por, mjerisht ka kujtime të gjalla të hipokrizisë së priftërinjve që pinin rëndshëm, luanin bixhoz e vidhnin nga kontributet e njerëzve, kur ndërkohë atij i predikonin se do të digjej në ferr nëse mëkatonte.

Xhefri e kaloi shumicën e jetës duke punuar për një kompani ndërkombëtare anijesh që kishte shumë pronarë dhe zyrat i kishte në Mbretërinë e Bashkuar e në Shtetet e Bashkuara. Ai sjell ndër mend mjaft raste kur klientë dhe konkurrentë mashtronin gjatë marrëveshjeve me qeveritarët. Me hipokrizi ishin gati të thoshin thuajse gjithçka për të futur në xhep një kontratë.

Të vjen keq ta thuash, por këto nuk janë raste të izoluara. Hipokrizia është më se normale thuajse në çdo fushë të veprimtarive njerëzore: politike, fetare dhe tregtare. Jo më kot fjala «hipokrit» vjen nga një rrënjë greke që përshkruan një orator ose aktor teatri, i cili shpesh përdorte maskë. Me kalimin e kohës ky term filloi të përshkruante këdo që shtirej për të mashtruar të tjerët ose për të arritur synimet e veta.

Ata që preken nga hipokrizia mund të përjetojnë ndjenja të forta, si mllef, inat dhe zemërim. Ndoshta viktimat e saj tejet të zhgënjyera thonë: «A do të marrë fund ndonjëherë hipokrizia?» Sa mirë që Fjala e Perëndisë na jep arsye të besojmë se kjo do të ndodhë!

Ç’MENDOJNË PERËNDIA DHE BIRI I TIJ PËR HIPOKRIZINË?

Sipas Biblës, hipokrizia nuk e pati zanafillën te njerëzit, por te një krijesë e padukshme në qiell. Në fillimet e historisë njerëzore, Satana Djalli përdori një gjarpër si maskim dhe u paraqit si mirëbërës për të mashtruar gruan e parë, Evën. (Zanafilla 3:1-5) Në mënyrë të ngjashme, që nga ajo kohë shumë njerëz janë shtirur si dikush që nuk janë në të vërtetë për të mashtruar të tjerët e për të arritur synime egoiste.

Kur kombi i lashtë i Izraelit ra në kurthin e adhurimit të rremë e të hipokrizisë fetare, Zoti i  paralajmëroi vazhdimisht për pasojat. Perëndia Jehova shpalli me anë të profetit Isaia: «Ky popull më është afruar me gojë dhe më ka dhënë lavdi vetëm me buzë, meqë zemra e tyre është larguar shumë nga unë.» (Isaia 29:13) Kur populli nuk ndryshoi sjellje, Zoti i lejoi fuqitë e huaja ta shkatërronin qendrën fetare të Izraelit: Jerusalemin dhe tempullin e tij. Ato u shkatërruan së pari nga babilonasit më 607 p.e.s. dhe në fund nga ushtritë romake më 70 të e.s. Qartë, Zoti nuk e toleron hipokrizinë pafundësisht.

Nga ana tjetër, Perëndia dhe i Biri, Jezui, i çmojnë shumë njerëzit e ndershëm e të sinqertë. Për shembull, në fillimet e shërbimit, Jezuit iu afrua një burrë që quhej Natanael. Me ta parë, Jezui tha: «Shihni, një izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka mashtrim.» (Gjoni 1:47) Natanaeli, që njihej edhe si Bartolomeu, u bë një nga 12 apostujt.Luka 6:13-16.

Jezui kaloi kohë me dishepujt dhe u mësoi mënyrën si mendon Perëndia. Hipokrizia nuk duhej të kishte vend mes tyre. Jezui i dënoi rëndë sjelljet hipokrite të udhëheqësve fetarë të asaj kohe, duke dhënë kështu një paralajmërim. Le të shohim disa nga këto sjellje.

E shfaqnin «drejtësinë» sa për t’u dukur. Jezui u tha dëgjuesve: «Kini mendjen që të mos e shfaqni drejtësinë tuaj vetëm për të rënë në sy para njerëzve . . . si bëjnë hipokritët.» U tha edhe që të jepnin lëmoshë «në fshehtësi», ose pa rënë në sy. Duhej të luteshin kur ishin vetëm e jo thjesht me synimin që t’i shihnin të tjerët. Kështu adhurimi i tyre do të ishte i sinqertë e ata do të ishin të çmuar për Atin e tij.Mateu 6:1-6.

Ishin të shpejtë për të kritikuar. Jezui tha: «Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt, e pastaj do të shohësh qartë se si të heqësh lëmishten nga syri i vëllait.» (Mateu 7:5) Një njeri që nxjerr në pah të metat e të tjerëve, ndërkohë që për vete ka të meta më të mëdha, po shtiret si dikush që nuk është në të vërtetë. Realiteti është se «të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë».Romakëve 3:23.

Ushqenin përbrenda motive të papastra. Një herë, dishepujt e farisenjve dhe ithtarët e partisë së Herodit i bënë Jezuit një pyetje për taksat. Me një të folur lajkatues, i thanë Jezuit: «Mësues, ne e dimë që ti thua të vërtetën, që mëson udhën e Perëndisë sipas së vërtetës.» Pastaj kurdisën një grackë duke e pyetur: «A është e ligjshme t’i paguhet Cezarit haraç për kokë, apo jo?» Jezui iu përgjigj: «Përse më vini në provë, hipokritë?» Ai i quajti me të drejtë hipokritë sepse ata nuk donin vërtet përgjigje për pyetjen e tyre, por po përpiqeshin «ta zinin në grackë me fjalët e veta».Mateu 22:15-22.

Të krishterët e vërtetë tregojnë vazhdimisht ‘dashuri nga një zemër e pastër, nga një ndërgjegje e pastër dhe nga besimi pa hipokrizi’.1 TIMOTEUT 1:5

Kur u themelua kongregacioni i krishterë në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., u krijua një atmosferë ku lulëzonte e vërteta dhe ndershmëria. Të krishterët e vërtetë përpiqeshin fort të çrrënjosnin nga personaliteti prirjet hipokrite. Për shembull, Pjetri, një nga 12 apostujt, i nxiti të bashkëkrishterët ‘t’i bindeshin së vërtetës me një përzemërsi vëllazërore pa hipokrizi’. (1 Pjetrit 1:22) Apostulli Pavël i inkurajoi bashkëpunëtorët e tij të tregonin vazhdimisht ‘dashuri nga një zemër e pastër, nga një ndërgjegje e pastër dhe nga besimi pa hipokrizi’.1 Timoteut 1:5.

FUQIA E FJALËS SË PERËNDISË

Mësimet e Jezuit dhe të apostujve, siç tregohen në Bibël, sot janë po aq të fuqishme sa në shekullin e parë. Apostulli Pavël shkroi për këtë: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» (Hebrenjve 4:12) Shumë veta që kanë njohur mësimet biblike  dhe po mundohen të jetojnë sipas tyre, kanë hequr dorë nga hipokrizia e po përpiqen të jenë të sinqertë e të ndershëm. Le të shohim përvojën e tre individëve që u përmendën në fillim.

«Vura re dashuri të vërtetë e merak të sinqertë për njëri-tjetrin.»—PANAJOTA

Panajota pati një pikë kthese në jetë kur pranoi ftesën për të ndjekur mbledhjet në një Sallë Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait. Ajo nuk pa ndonjë shfaqje të drejtësisë vetëm sa për t’u dukur. Ndaj thotë: «Atje vura re dashuri të vërtetë e merak të sinqertë për njëri-tjetrin, diçka që nuk e kisha parë gjatë gjithë viteve që jam marrë me politikë.»

Panajota filloi të studionte Biblën dhe përparoi derisa u pagëzua. Kjo ndodhi 30 vjet më parë. Tani ajo thotë: «Kuptimin e vërtetë të jetës nuk e gjeta kur shkoja shtëpi më shtëpi duke bërë propagandë për partinë politike, por kur fillova të predikoja për Mbretërinë e Perëndisë që është e vetmja qeveri që mund të sjellë një botë të drejtë.»

«Nuk jetoja dot me idenë që bashkëbesimtarët të besonin se isha dikush që në të vërtetë nuk isha.»—DANIELI

Danieli përparoi në kongregacionin e krishterë dhe iu dhanë disa përgjegjësi. Ca vjet më vonë bëri një gabim dhe ndërgjegjja filloi ta trazonte. Ai tha: «Më kujtohej hipokrizia që kisha parë në kishë vite më parë, ndaj mendova se duhej të hiqja dorë se s’bën nga privilegjet e shërbimit. Nuk jetoja dot me idenë që bashkëbesimtarët të besonin se isha dikush që në të vërtetë nuk isha.»

Sa bukur që, pas njëfarë kohe, Danieli ndihej gati t’i merrte sërish privilegjet e shërbimit me ndërgjegje të pastër, dhe pranoi me kënaqësi përgjegjësi në kongregacion. Kjo ndershmëri prekëse është tipike mes atyre që i shërbejnë Zotit pa hipokrizi. Ata mësojnë ‘të heqin traun’ nga syri i vet, para se ‘të heqin lëmishten’ nga syri i vëllait.

«Nuk mund të vazhdoja të isha një shitës dinak e matrapaz. . . . Ndërgjegjja ime u bë e ndjeshme.»—XHEFRI

Edhe Xhefri, i cili e kaloi jetën në botën e biznesit, tha: «Ndërsa mësoja më shumë për Biblën, kuptova që nuk mund të vazhdoja të isha një shitës dinak e matrapaz, i gatshëm të thoshte çdo gjë për të siguruar një kontratë. Ndërgjegjja ime u bë e ndjeshme nga vargje biblike si Proverbat 11:1, që thotë se ‘peshorja me hile është e pështirë për Jehovain’.» Po, ndryshe nga ata që e pyetën Jezuin për taksat, Xhefri mësoi të vepronte me motive të pastra si me bashkëbesimtarët, edhe me të tjerët.

Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën, të cilët janë me miliona, po përpiqen fort të zbatojnë atë që kanë mësuar nga Bibla. Ata bëjnë çmos që ‘të veshin personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’. (Efesianëve 4:24) Të nxitim të mësosh më tepër se kush janë Dëshmitarët e Jehovait, çfarë besojnë dhe si mund të të ndihmojnë të dish më shumë për botën e re që ka premtuar Perëndia. Atje «do të banojë drejtësia» dhe nuk do të ketë më hipokrizi.2 Pjetrit 3:13.