PARIMI BIBLIK: «Vazhdoni . . . të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.»Kolosianëve 3:13.

Çfarë do të thotë? Në Bibël mëkati krahasohet me borxhin dhe falja me fshirjen e borxhit. (Luka 11:4) Një vepër referimi thotë se fjala greke që në Shkrime përkthehet «fal» do të thotë «të lësh të kalojë një borxh, duke mos e kërkuar». Pra, kur zgjedhim të falim dikë që na ka lënduar, lëmë të kalojë detyrimin që ka ndaj nesh. Gatishmëria për të falur nuk do të thotë se miratojmë sjelljen e keqe apo se nuk jemi lënduar. Por thjesht vendosim të mos mbajmë mëri, edhe pse me të drejtë mund të kemi «shkak për t’u ankuar».

A vlen edhe sot? Si të papërsosur, të gjithë mëkatojmë. (Romakëve 3:23) Ndaj, do të ishte e mençur të jemi të gatshëm të falim, pasi herët a vonë do të gabojmë edhe ne ndaj të tjerëve. Për më tepër, kur zgjedhim të falim, edhe neve na bën mirë. Pse e themi këtë?

Kur mbajmë inat e mëri dhe nuk falim, dëmtojmë veten. Këto ndjenja negative na heqin lumturinë, nuk na lënë ta gëzojmë jetën dhe na bëjnë të ndihemi përtokë. Mund të jenë edhe një kërcënim serioz për shëndetin. Një artikull i shkruar nga dr. Joiçi Çida dhe profesori i psikologjisë Endrju Steptou thoshte: «Studimet e fundit tregojnë për ndikimin e dëmshëm të zemërimit dhe të qëndrimit armiqësor te sëmundjet koronare të zemrës.»Journal of the American College of Cardiology.

Nga ana tjetër, falja na sjell vetëm të mira. Kur falim bujarisht, ruajmë unitetin e paqen dhe si rrjedhojë mbajmë marrëdhënie të mira me të tjerët. Ç’është më e rëndësishmja, kështu imitojmë Perëndinë, i cili i fal bujarisht mëkatarët e penduar dhe pret të njëjtën gjë edhe nga ne.Marku 11:25; Efesianëve 4:32; 5:1.