Ne jemi një organizatë ndërkombëtare, e ndarë nga grupet e tjera fetare. Ndonëse selia jonë botërore është në Shtetet e Bashkuara, shumica e Dëshmitarëve të Jehovait jetojnë në vende të tjera. Në fakt rreth tetë milionë Dëshmitarë u mësojnë njerëzve Biblën në mbi 230 vende. Këtë e bëjmë sepse u bindemi fjalëve të Jezuit: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet.»Mateu 24:14.

Pavarësisht se ku jetojmë, ne i bindemi ligjit deri në hollësi. Sidoqoftë përpiqemi të mbetemi asnjanës në çështjet politike. Arsyeja për këtë është se ndjekim drejtimin e Jezuit që tha se të krishterët ‘nuk duhet të jenë pjesë e botës’. Prandaj nuk përfshihemi në çështje e në aktivitete politike dhe nuk i përkrahim luftërat. (Gjoni 15:19; 17:16) Në fakt gjatë Luftës II Botërore Dëshmitarët e Jehovait i burgosën, i torturuan e madje i vranë ngaqë qëndruan plotësisht asnjanës. Një ish-peshkop gjerman shkroi: «Ata mund të pohojnë me të drejtë se janë të vetmit në Rajhun e Tretë që, për arsye ndërgjegjeje, nuk përfshihen në çështje politike.»

«[Dëshmitarët e Jehovait] kanë një forcë morale të jashtëzakonshme. Njerëz të tillë altruistë na duhen edhe në postet më të larta politike, por ata kurrë nuk do t’i pranonin këto poste. . . . I respektojnë autoritetet qeveritare, por besojnë se vetëm Mbretëria e Perëndisë mund t’i zgjidhë të gjitha problemet e njerëzimit.»—Gazeta Nová Svoboda, Republika Çeke

Sidoqoftë, nuk veçohemi nga të tjerët. Jezui iu lut Perëndisë për dishepujt: «Nuk po të lutem që t’i heqësh nga bota.» (Gjoni 17:15) Prandaj mund të na shohësh në punë, në pazar e në shkollë.