Si përdoreshin mokrat në lashtësi?

Mokrat i përdornin për të bluar grurin që të bënin bukë. Thuajse në çdo shtëpi kjo ishte punë e përditshme për gratë ose shërbëtorët. Në kohët biblike zhurma e mullinjve dëgjohej çdo ditë.Dalja 11:5; Jeremia 25:10.

Objektet e zbuluara nga Egjipti i lashtë ilustrojnë si përdoreshin. Gruri vendosej në një gur paksa të lugët. Ai që bluante, ulej në gjunjë para gurit të fiksuar diku, merrte gurin e sipërm që ishte më i vogël dhe me të dyja duart e lëvizte para-mbrapa për të shtypur grurin mbi gurin e madh. Sipas një vepre referimi, guri i dorës zakonisht peshonte 2 deri 4 kg. Po të përdorej si armë, ky gur mund të ishte vdekjeprurës.Gjykatësit 9:50-54.

Bluarja e drithërave ishte kaq e rëndësishme për një familje, saqë Bibla përmban një ligj që ndalonte marrjen peng të gurit të mokrës. Ligji i përtërirë 24:6 thotë: «Askush të mos marrë peng mokrën ose gurin e sipërm të saj, pasi është sikur të marrë peng shpirtin.»

Ç’kuptim kishte shprehja «në gji» të dikujt?

Bibla thotë se Jezui është ‘në gji të të Atit’. (Gjoni 1:18) Kjo shprehje tregon se Jezui ka një lidhje të ngushtë e të veçantë me Perëndinë dhe se gëzon miratimin e Tij. Ajo vjen nga zakoni që kishin judenjtë kur hanin.

Në kohën e Jezuit judenjtë rrinin gjysmë shtrirë në minderët e vendosur rreth sofrës. Kokën e kishin në drejtim të sofrës dhe këmbët nga ana tjetër, ndërsa mbështeteshin mbi jastëkë me bërrylin e majtë. Në këtë pozicion krahun e djathtë e kishin të lirë. Mbështeteshin të gjithë në krahun e majtë, njëri pas tjetrit, kështu që, siç thotë një vepër referimi, «koka e njërit ishte afër kraharorit të atij që vinte pas dhe prandaj thuhej se ai ‘ishte shtrirë në gji’ të tjetrit».

Të ishe shtrirë në gji të kreut të familjes ose të të zotit të shtëpisë, ishte nder ose privilegj i veçantë. Ndaj, gjatë pashkës së fundit të Jezuit, apostulli Gjon, «dishepulli që Jezui e donte», ishte mbështetur në kraharorin e Jezuit. Kështu Gjoni ‘mund të mbështetej në kraharorin e Jezuit’ për t’i bërë pyetje.Gjoni 13:23-25; 21:20.