Sipas një fjalori, shkenca merret me «studimin sistematik të natyrës dhe të mënyrës si vepron universi fizik në bazë të vëzhgimeve, të eksperimenteve e të matjeve». Kjo është një punë e lodhshme e shpeshherë stresuese. Shkencëtarët harxhojnë javë, muaj e madje vite duke eksperimentuar e duke vëzhguar. Ndonjëherë përpjekjet e tyre nuk i çojnë gjëkundi, por në mjaft raste i sjellin dobi njerëzimit. Shqyrto disa shembuj.

Një kompani evropiane ka krijuar një pajisje me kauçuk e filtra të sofistikuar, e cila pastron ujin e ndotur. Këto lloj pajisjesh janë përdorur në kohë katastrofash natyrore, si tërmeti i vitit 2010 në Haiti.

Kilometra e kilometra mbi tokë, rrjete satelitore të shumta formojnë atë që quhet Sistemi Global i Pozicionimit, ose ndryshe GPS. Edhe pse fillimisht GPS-ja u projektua të përdorej nga ushtria, ajo ndihmon të orientohen edhe motoçiklistët, pilotët, lundërtarët, e madje edhe gjuetarët e ekskursionistët. Falë shkencëtarëve që e shpikën, tani është më e lehtë të arrish në destinacion.

A përdor celular, kompjuter ose Internet? A gëzon shëndet më të mirë falë mjekësisë moderne? A udhëton me avion? Nëse po, atëherë po nxjerr dobi nga disa arritje të shkencës. Shkenca ka ndikuar në jetën tënde në shumë mënyra pozitive.

CAQET E SHKENCËS MODERNE

Duke u përpjekur të mësojnë më tepër, shkencëtarët e sotëm po e studiojnë gjithnjë e më thellë botën fizike. Fizikanët bërthamorë vëzhgojnë me kujdes mënyrën si funksionon atomi, kurse astrofizikanët përpiqen të kuptojnë origjinën e universit duke u kthyer miliarda vjet prapa. Teksa gërmojnë thellë e më thellë, madje edhe në sfera të padukshme e të paprekshme, disa shkencëtarë mendojnë se, po të ekzistonte Perëndia i Biblës, atëherë do ta kishin gjetur.

Disa shkencëtarë e filozofë të respektuar shkojnë edhe më tej. Ata bazohen tek ajo që shkrimtari shkencor Amir Akzel e quajti «argument shkencor kundër ekzistencës së Zotit». Për shembull, një fizikan me famë botërore pohoi se «mungesa e provave për një Zot që luan rol të rëndësishëm në Univers tregon përtej çdo dyshimi se s’ka Zot». Të tjerë i quajnë «magjike» ose «hile të mbinatyrshme» veprat e Perëndisë së Biblës. *

 Sidoqoftë, i duhet dhënë përgjigje pyetjes: a ka arritur shkenca ta njohë aq mirë botën fizike, sa të dalë në përfundime vendimtare? Përgjigjja e thjeshtë është jo. Edhe pse shkenca ka përparuar jashtëzakonisht, shumë shkencëtarë e pranojnë se ka ende plot gjëra që nuk i dinë, e ndoshta edhe gjëra që s’mund t’i dinë kurrë. Duke folur rreth kuptueshmërisë sonë për natyrën, Stiven Uinbergu, fizikan dhe fitues i çmimit Nobel, tha: «Nuk do t’i zbulojmë dot asnjëherë të gjitha.» Profesori Martin Ris, astronom i emëruar nga Mbretëria e Britanisë së Madhe, shkroi: «Mund të ketë gjëra që ne njerëzit nuk do t’i kuptojmë ndonjëherë.» E vërteta është se pjesa dërrmuese e gjithësisë, nga qeliza mikroskopike deri tek universi i pafund, shkon përtej aftësisë së shkencëtarëve për ta kuptuar. Të shohim disa shembuj.

  • Biologët nuk i kuptojnë tërësisht proceset që ndodhin te qelizat e gjalla. Shkenca nuk ka arritur ende të shpjegojë plotësisht si arrijnë të shfrytëzojnë energjinë, si prodhojnë proteina e si ndahen.

  • Graviteti vepron te ne çdo sekondë të ditës, e prapëseprapë për fizikanët mbetet mister. Nuk e dinë saktësisht si vepron forca tërheqëse e gravitetit kur hidhemi pupthi ose si e mban hënën në orbitë rreth tokës.

  • Sipas kozmologëve, rreth 95 për qind e asaj që përbën universin është e padukshme dhe e pakapshme nga instrumentet shkencore. Këtë pjesë misterioze të universit e ndajnë në dy kategori: materie e errët dhe energji e errët. Natyra e tyre mbetet e panjohur.

Ka edhe të panjohura të tjera që pështjellojnë shkencëtarët. Pse na intereson kjo? Një shkrimtar shkencor shkroi: «Ajo që dimë është e papërfillshme në krahasim me atë që s’dimë. Mendoj se puna si shkencëtar shpesh të lë gojëhapur e të nxit të eksplorosh në vend që të jesh dogmatik.»

Prandaj, nëse të duket se shkenca mund të zëvendësojë Biblën e të zhdukë besimin te Zoti, mendo për këtë: nëse shkencëtarët mendjendritur duke përdorur instrumente të fuqishme kanë arritur ta kuptojnë botën fizike vetëm pjesërisht, a është logjike t’u heqim vizë çështjeve që shkenca nuk i shpjegon dot? Në përfundim të një artikulli të gjatë mbi historinë dhe zhvillimin e astronomisë, Encyclopedia Britannica i bie pikës kur thotë: «Pas thuajse 4.000 vite studimesh për astronominë, universi sot duket po aq i çuditshëm sa duhet t’u jetë dukur edhe babilonasve.»

Ne Dëshmitarët e Jehovait respektojmë të drejtën e çdokujt që të vendosë vetë për këtë çështje. Përpiqemi të ndjekim këshillën biblike: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë.» (Filipianëve 4:5) Prandaj të ftojmë të shqyrtosh edhe ti me të njëjtën frymë si përputhet shkenca me Biblën e si e mbështetin njëra-tjetrën.

^ par. 9 Disa e hedhin poshtë Biblën për shkak të mësimeve të kishës dje dhe sot, si mësimi se Toka është qendra e universit ose se Perëndia e krijoi tokën në gjashtë ditë 24-orëshe.—Shih kutinë « Bibla dhe fakte të vërtetuara shkencërisht».