A e mbështet arkeologjia dokumentimin biblik?

Mbreti asirian, Sargoni II, që përmendet tek Isaia 20:1

Një artikull i botuar në revistën Biblical Archaeology Review thoshte se sot, nga gjetjet e arkeologëve, mund të konfirmohet ekzistenca «e të paktën 50» individëve që përmenden në Shkrimet Hebraike. Mes tyre janë 14 mbretër të Judës e të Izraelit, ku futen edhe figura të njohura, si Davidi e Hezekia, edhe më pak të njohura, si Menahemi e Pekahu. Lista rendit edhe 5 faraonë e 19 mbretër të Asirisë, të Babilonisë, të Moabit, të Persisë e të Sirisë. Gjithsesi, monarkët nuk janë të vetmit që përmenden qoftë në dokumentimin biblik, qoftë në atë arkeologjik. Përveç tyre, gjen edhe figura më pak të njohura, si kryepriftërinj, një skrib dhe zyrtarë të tjerë.

Artikulli thotë se «shumica e studiuesve janë në një mendje» kur vjen puna tek identifikimi i sigurt i gjithë këtyre individëve. Natyrisht, në Shkrimet e Krishtere Greke përmenden edhe shumë figura të tjera historike, si Herodi, Ponc Pilati, Tiberi, Kajafa dhe Sergj Pali, që po ashtu mbështeten nga dëshmi arkeologjike.

Kur u zhdukën luanët nga vendet biblike?

Bordurë zbukurimi me tulla të lustruara, Babilonia e lashtë

Edhe pse sot nuk ka luanë në pyjet e Tokës së Shenjtë, në Shkrime përmenden rreth 150 herë dhe kjo tregon se ishte kafshë e njohur për shkrimtarët biblikë. Ndonëse shumica e këtyre rasteve janë simbolike, në raste të tjera flitet për përballje të mirëfillta me luanët. Për shembull, në Shkrime thuhet se Samsoni, Davidi dhe Benajahu kanë vrarë luanë. (Gjykatësit 14:5, 6; 1 Samuelit 17:34, 35; 2 Samuelit 23:20) Ndërsa të tjerë janë vrarë nga luanët.—1 Mbretërve 13:24; 2?Mbretërve 17:25.

Në lashtësi, luanin aziatik (Panthera leo persica) e gjeje që nga Azia e Vogël dhe Greqia deri në Palestinë, në Siri, në Mesopotami e në veriperëndim të Indisë. Ngaqë e nderonin e i frikësoheshin, shpesh e shihje në artin e Lindjes së Mesme në lashtësi. Rruga e Procesionit në Babiloninë e lashtë ishte zbukuruar me figura të jashtëzakonshme luanësh, të gdhendura në tulla të lustruara.

Thuhet se në Palestinë, nga fundi i shekullit të 12-të të e.s., kryqëzatësit gjuanin luanë. Me sa duket, atje luanët u zhdukën pak pas vitit 1300. Megjithatë mendohej se kishte akoma luanë në Mesopotami e në Siri deri në shekullin e 19-të, si edhe në Iran e Irak deri në pjesën e parë të shekullit të 20-të.