Më poshtë tregohet një bisedë tipike që një Dëshmitare e Jehovait bën me dikë. Le të përfytyrojmë sikur një Dëshmitare që quhet Manjola ka shkuar të predikojë në shtëpinë e një gruaje me emrin Anila.

«VAZHDONI TA BËNI KËTË NË KUJTIMIN TIM»

Manjola: Përshëndetje, Anila! M’u bë qejfi që të pashë në Përkujtimin e vdekjes së Jezu Krishtit javën e kaluar. * Si t’u duk mbledhja?

Anila: U kënaqa atje, por sinqerisht nuk i kuptova mirë të gjitha ato që u thanë. Kam dëgjuar për njerëz që e festojnë lindjen e Jezuit për Krishtlindje dhe ringjalljen e tij për Pashkë, ama kurrë nuk kam dëgjuar dikë të përkujtojë vdekjen e tij.

Manjola: Është e vërtetë, Krishtlindjet dhe Pashkët festohen në gjithë botën. Por, Dëshmitarët e Jehovait besojnë se është e rëndësishme të kujtojnë vdekjen e Jezuit. Po të kesh pak minuta, me kënaqësi do të përmblidhja arsyet pse e bëjmë këtë.

Anila: Pse jo, kam pak kohë.

Manjola: Arsyeja kryesore pse Dëshmitarët e Jehovait e përkujtojnë vdekjen e Jezuit, është se vetë ai i udhëzoi dishepujt ta bënin këtë. Të shohim çfarë ndodhi natën para se të vdiste. A ke dëgjuar për një vakt të veçantë të Jezuit me dishepujt e tij besnikë?

Anila: E ke fjalën për Darkën e Fundit?

Manjola: Po. Njihet edhe si Darka e Zotërisë. Gjatë atij vakti Jezui u dha udhëzime të qarta dishepujve të tij. Të lutem, mund t’i lexosh fjalët e tij këtu te Luka 22:19?

Anila: Mirë. «Gjithashtu, mori një bukë, falënderoi Perëndinë, e theu, ua dha atyre dhe tha: ‘Kjo përfaqëson trupin tim, që do të jepet për ju. Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.’»

Manjola: Rrofsh! Shih udhëzimet e Jezuit në fjalinë e fundit të shkrimit: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» E pikërisht para se t’i udhëzonte dishepujt ta kujtonin, Jezui ua bëri të qartë çfarë duhej të kujtonin për të. U tha se do të jepte jetën për ta. Këtë mendim e shprehu me fjalë të ngjashme, si te Mateu 20:28. Ja si thuhet: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz.» Me dy fjalë, Dëshmitarët e Jehovait mblidhen çdo vit që të kremtojnë vdekjen e Jezuit, të kujtojnë arsyen pse u flijua. Vdekja e tij mund të nënkuptojë jetë për tërë njerëzit e bindur.

PSE NEVOJITEJ NJË SHPËRBLESË?

Anila: Kam dëgjuar se Jezui vdiq që ne të jetojmë. Të them të drejtën asnjëherë s’e kam kuptuar këtë.

Manjola: Nuk je e vetmja, Anila. Tema e flijimit shpërblyes të Jezuit është e thellë. Prapëseprapë është një nga të vërtetat më të mrekullueshme në Fjalën e Zotit. Meqë ra fjala, ke kohë të flasim edhe pak?

 Anila: Kam edhe ca minuta.

Manjola: Bukur! Këto ditë kam lexuar pak për shpërblesën dhe do të përpiqem të ta shpjegoj thjesht.

Anila: Mirë.

Manjola: Që të kuptojmë shpërblesën, së pari duhet të dimë ç’ndodhi në kopshtin e Edenit kur mëkatuan Adami dhe Eva. Për këtë na ndihmon shkrimi i Romakëve 6:23. Të lutem, mund ta lexosh?

Anila: Patjetër: «Paga që paguan mëkati është vdekja, kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.»

Manjola: Faleminderit! Le t’i analizojmë këto fjalë. Së pari, vër re si fillon vargu: «Paga që paguan mëkati është vdekja.» Kjo është një e vërtetë e thjeshtë që Zoti e përcaktoi që kur nisi historia njerëzore—paga, ose dënimi, për mëkatin është vdekja. Kuptohet, në fillim asnjë nuk ishte mëkatar. Adami dhe Eva u krijuan të përsosur e fëmijët e tyre pritej të lindnin të përsosur. Ndaj askush nuk kishte pse të vdiste. Adami, Eva dhe të gjithë pasardhësit e tyre kishin mundësinë të jetonin përgjithmonë të lumtur. Mirëpo siç e dimë, gjërat nuk shkuan kështu, apo jo?

Anila: Po, ke të drejtë, sepse Adami dhe Eva hëngrën frutin e ndaluar.

Manjola: Ke të drejtë. Dhe, kur hëngrën atë frutë—kur Adami dhe Eva vendosën të mos i bindeshin Zotit—mëkatuan. Me fjalë të tjera, vendosën të bëheshin të papërsosur, mëkatarë. Ajo zgjedhje do të kishte pasoja katastrofike jo vetëm për çiftin e parë, por edhe për të gjithë pasardhësit e tyre.

Anila: Ç’do të thuash me këtë?

Manjola: Po ja, ta ilustrojmë kështu. Më lejo të të pyes, të pëlqen të pjekësh gjëra në furrë?

Anila: Po, më pëlqen shumë!

Manjola: Ta zëmë se ke një tavë të re të lezetshme për të pjekur bukë. Megjithatë, para se ta përdorësh, të bie përdhe dhe krijon një si gungë të madhe. Tani, mendo ç’do të ndodhë me çdo bukë që do të pjekësh në të? A nuk do të kenë gungë edhe ato?

Anila: S’diskutohet.

Manjola: Po njësoj, kur Adami dhe Eva vendosën të mos i bindeshin Zotit, morën «gungën», pra të metat nga mëkati e papërsosmëria. Dhe ngaqë u bënë mëkatarë para se të kishin fëmijë, të gjithë pasardhësit do të lindnin me të njëjtën «gungë». Të gjithë do të ishin mëkatarë. Në Bibël fjala «mëkat» nuk nënkupton vetëm një veprim, por edhe gjendjen që kemi trashëguar. Rezultati është që edhe pse ti dhe unë nuk kishim bërë ndonjë gjë të gabuar, madje as që kishim lindur kur Adami dhe Eva mëkatuan, ata na trashëguan ne e gjithë pasardhësve jetën e papërsosur e mëkatin që çon në vdekje. Është siç thuhet këtu te Romakëve 6:23, paga që paguan mëkati është vdekja.

Anila: Kjo s’më duket e drejtë. E pse u dashka që njerëzit të vuajnë pa fund për shkak të mëkatit të Adamit e të Evës?

Manjola: Ashtu është. Mirëpo, Zoti mendoi një zgjidhje për këtë. Me drejtësinë e tij të përsosur vendosi që Adami dhe Eva të vdisnin për mëkatet e tyre, ndërsa ne pasardhësve na dha shpresë. Ai gjeti një mundësi që të na nxirrte nga ky hall. Këtu hyn në punë flijimi shpërblyes i Jezuit. Ta lexojmë prapë Romakëve 6:23. Pas fjalëve «paga që paguan mëkati është vdekja», vargu thotë: «Kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» Kështu, vdekja e Jezuit hap rrugën për shpëtim nga mëkati e vdekja. *

 SHBËRBLESA—DHURATA MË E MADHE E ZOTIT

Manjola: Ka një tjetër hollësi në këtë varg që mendoj se ia vlen t’i kushtojmë vëmendje.

Anila: Cila?

Manjola: Shiko ç’thotë vargu: «Dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» Tani, nëse Jezui është i vetmi që vuajti e vdiq për dobinë tonë, pse këtu thuhet se shpërblesa është «dhurata që jep Perëndia»? Pse të mos thuhet «dhurata që jep Jezui»? *

Anila: Hmm! Nuk e di.

Manjola: Po ja, Adamin e Evën i krijoi Perëndia, dhe pikërisht kundër tij mëkatuan duke mos iu bindur në kopshtin e Edenit. Duhet të jetë lënduar thellë kur dy fëmijët e parë njerëzorë u rebeluan kundër tij. Sidoqoftë, Jehovai gjeti zgjidhje menjëherë. * Kishte qëllim që një nga krijesat e tij engjëllore të vinte në tokë, të jetonte si njeri i përsosur dhe në fund të ofronte jetën si flijim shpërblyes. Kështu, në të vërtetë, gjithçka që përfshinte shpërblesa ishte dhuratë nga Zoti. Ka edhe një arsye tjetër pse themi se shpërblesa është dhuratë nga Perëndia. Ke menduar ndonjëherë çfarë mund të ketë ndier Zoti kur vdiq Jezui?

Anila: S’më ka shkuar ndër mend.

Manjola: Shoh ca lodra këtu në oborr. Duket se ke fëmijë.

Anila: Po, kam dy, çun e gocë.

Manjola: Meqë je prind, ndalu e mendo për mënyrën se si duhet të jetë ndier Ati i tij qiellor, Perëndia Jehova, ditën që vdiq Jezui. Dua të them, si mund të jetë ndier teksa shihte nga qielli të Birin e shtrenjtë që e arrestonin, e tallnin dhe i gjuanin me grushte? Dhe si u ndie Ati ndërsa të Birin e gozhdonin në një shtyllë druri dhe e lanë të vuante e të vdiste në agoni?

Anila: Duhet të jetë ndier tmerrësisht keq. S’e kisha menduar ndonjëherë këtë.

Manjola: S’diskutohet, është e pamundur të dimë saktësisht si është ndier Zoti atë ditë. Por dimë se ka ndjenja dhe kuptojmë arsyen pse lejoi të ndodhte e gjithë kjo. Këtë e shpjegon mirë e bukur shkrimi i njohur Gjoni 3:16. E lexon ti, të lutem?

Anila: Po: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»

Flijimi shpërblyes është shprehja më e madhe e dashurisë

Manjola: Rrofsh! Vër re edhe një herë fillimin e vargut: «Perëndia e deshi . . . botën.» Ky është çelësidashuria. Dashuria e nxiti Zotin të dërgonte të Birin në tokë që të vdiste për të mirën tonë. Ç’është e vërteta, flijimi shpërblyes është shprehja më e madhe e dashurisë. Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait mblidhen që të kremtojnë çdo vit Përkujtimin e vdekjes së Jezuit. Të ndihmoi sadopak kjo përmbledhje?

Anila: Po, goxha. Faleminderit që gjete kohë të ma shpjegoje këtë!

A keni pyetje për ndonjë temë biblike? A jeni kureshtar për ndonjë bindje ose praktikë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait? Nëse po, mos ngurroni të pyesni një Dëshmitar të Jehovait. Ai ose ajo do të bisedojë me kënaqësi për këto çështje.

^ par. 5 Një herë në vit Dëshmitarët e Jehovait mblidhen që të kremtojnë vdekjen e Jezuit për të kujtuar flijimin e tij.

^ par. 32 Një artikull i ardhshëm i kësaj serie do të shpjegojë si na shpëton nga mëkati flijimi shpërblyes i Jezuit, si dhe ç’duhet të bëjmë që të nxjerrim dobi nga shpërblesa.

^ par. 36 Sipas Biblës, Zoti dhe Jezui janë dy persona më vete. Për më shumë informacion, shih kapitullin 4 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.