«Njeriu i lindur nga një grua është jetëshkurtër dhe i mbytur me halle. Si lulja çel e këputet, ikën me të shpejtë si hija dhe nuk është më.»Jobi 14:1, 2.

Që herët njerëzit kanë ëndërruar të mbeten përherë të rinj dhe të shëndetshëm. Por, mjerisht, realiteti i hidhur është ky: jemi të vdekshëm. Fjalët e lartpërmendura të Jobit të thëna më se tre mijë vjet më parë, janë po aq të vërteta edhe sot.

Dëshira për të jetuar pambarimisht është e fortë dhe universale. Bibla thotë se Zoti na ka vënë në zemër një dëshirë të zjarrtë për përjetësinë si dhe dëshirën për ta kuptuar. (Eklisiastiu 3:11) Prandaj, a të duket e arsyeshme që një Perëndi i dashur të na krijonte me një dëshirë që s’mund të plotësohet? Nëse përgjigjesh jo, ke të drejtë. Fjala e Perëndisë e quan armik vdekjen dhe premton se «do të asgjësohet».1 Korintasve 15:26.

S’ka dyshim që vdekja është armik. Asnjë njeri normal nuk do ta donte. Ja pse kur nuhasim rrezik, e shmangim, fshihemi ose ia mbathim me të katra. Kur sëmuremi, kërkojmë mënyra që të shërohemi. Bëjmë të pamundurën të shmangim gjërat që mund të na shkaktojnë vdekjen.

A ka arsye të besojmë se ky armik i vjetër do të asgjësohet? Po, ka. Perëndia Jehova, Krijuesi, nuk i bëri njerëzit që të jetonin vetëm ca vjet e të vdisnin. Vdekja e njeriut nuk ishte pjesë e qëllimit të tij fillestar. Kishte në plan që njerëzit të jetonin përgjithmonë në tokë dhe ai e përmbush gjithnjë qëllimin e tij.Isaia 55:11.

Atëherë si do të asgjësohet vdekja? Gjatë gjithë historisë njerëzit janë përpjekur ta eliminojnë vdekjen, por s’ia kanë dalë mbanë. Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të përpiqen. Shkencëtarët kanë shpikur vaksina e mjekime që i mbajnë nën kontroll disa sëmundje. Ata kanë vëzhguar imtësisht strukturën gjenetike të gjallesave. Në shumë vende njerëzit jetojnë më gjatë se një shekull më parë. Sidoqoftë, as që bëhet fjalë që vdekja të jetë mposhtur. Është ashtu si thotë Bibla: «Në pluhur kthehen të gjithë.»Eklisiastiu 3:20.

Lajmi i mirë është që s’ka pse të mbështetemi te mendjemprehtësia njerëzore për zgjidhjen e këtij problemi afatgjatë. Perëndia Jehova tashmë ka marrë masa që të na shpëtojë nga vdekja, dhe figura kryesore në këtë mes është Jezu Krishti.