«Ki besim te Zotëria Jezu e do të shpëtosh ti dhe ata të shtëpisë sate.»Veprat 16:31.

Apostulli Pavël dhe Sila ia thanë këto fjalë të paharrueshme një rojtari burgu në qytetin maqedonas të Filipisë. Ç’nënkuptonin ato? Që të kuptojmë si lidhet besimi te Jezui me shpëtimin nga vdekja, së pari duhet të mësojmë pse vdesim. Le të shohim ç’na mëson Bibla për këtë.

Njerëzit nuk u krijuan që të vdesin

«Perëndia Jehova e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit, që ta punonte e të kujdesej për të. Pastaj Perëndia Jehova i dha këtë urdhër njeriut: ‘Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.’»Zanafilla 2:15-17.

Adamin, njeriun e parë, Zoti e vuri në kopshtin e Edenit, një parajsë tokësore plot kafshë dhe bimësi të bukur. Kishte pemë të frytshme nga të cilat Adami mund të hante sa të donte. Megjithatë, Perëndia Jehova i tha qartë Adamit të mos hante nga një pemë e caktuar, duke e paralajmëruar se, po të hante, do të vdiste.

A e kuptoi Adami këtë ndalim? Ai e dinte ç’ishte vdekja sepse kishte parë kafshë të ngordhnin. Nëse Adami ishte krijuar që të vdiste, paralajmërimi i Zotit nuk do të kishte kuptim. Përkundrazi, Adami e kuptoi se po t’i bindej Perëndisë dhe po të mos hante nga pema, do të jetonte pafundësisht e nuk do të vdiste.

Disa besojnë se fryti i ndaluar simbolizonte marrëdhëniet seksuale, por s’ka se si. Duket qartë se Jehovai donte që Adami dhe e shoqja, Eva, ‘të ishin të frytshëm, të shumoheshin, ta mbushnin tokën e ta sundonin’. (Zanafilla 1:28) Paralajmërimi lidhej me një pemë të mirëfilltë. Jehovai e quajti «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes», sepse ajo përfaqësonte të drejtën e tij për të vendosur çfarë ishte e mirë dhe e keqe për njerëzit. Duke mos ngrënë nga pema, Adami do të tregonte jo vetëm bindjen, por edhe vlerësimin për Atë që e krijoi e që e kishte bekuar me bollëk.

 Adami vdiq sepse nuk iu bind Zotit

«Adamit i tha [Zoti]: ‘Meqë . . . hëngre nga fryti i pemës, për të cilën të urdhërova . . . do të hash bukë me djersën e ballit, derisa të kthehesh në dhé, sepse prej tij u more. Sepse ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.’»Zanafilla 3:17, 19.

Adami hëngri nga pema që iu ndalua. Ky akt mosbindjeje s’duhej marrë lehtë. Ishte rebelim, një shpërfillje e hapur ndaj gjithë të mirave që i kishte dhënë Jehovai. Kur hëngri atë frutë, Adami e hodhi poshtë Jehovain duke zgjedhur pavarësinë dhe kjo do të kishte pasoja katastrofike.

Ashtu siç paratha Jehovai, me kalimin e kohës Adami vdiq. Zoti e kishte formuar «nga pluhuri i tokës» dhe i kishte thënë se ‘do të kthehej në pluhur’. Kur Adami vdiq, nuk jetoi në ndonjë formë a vend tjetër, por u bë aq i pajetë sa pluhuri nga i cili ishte formuar.Zanafilla 2:7; Eklisiastiu 9:5, 10.

Ne vdesim ngaqë jemi pasardhës të Adamit

«Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»Romakëve 5:12.

Mosbindja, ose mëkati, i Adamit, kishte pasoja të gjithanshme. Duke mëkatuar Adami nuk humbi thjesht një jetë normale prej 70 a 80 vjetësh, por perspektivën e jetës së përhershme. Për më tepër, kur mëkatoi, Adami humbi përsosmërinë dhe ajo që u trashëgoi pasardhësve ishte veçse papërsosmëria.

Të gjithë jemi pasardhës të Adamit. Ndonëse jo me zgjedhjen tonë, trashëguam një trup të papërsosur të prirur drejt mëkatit e në fund drejt vdekjes. Pavli e përshkroi mirë gjendjen tonë: «Unë jam mishor, i shitur që të jem skllav i mëkatit. Ç’njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga trupi që i nënshtrohet kësaj vdekjeje?» Më pas Pavli iu përgjigj pyetjes së vet: «Faleminderit Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë!»Romakëve 7:14, 24, 25.

 Jezui dha jetën që ne të jetojmë përgjithmonë

«Ati dërgoi Birin e tij si Shpëtimtar të botës.»1 Gjonit 4:14.

Perëndia Jehova gjeti një mjet që të mposhtte pasojat e mëkatit e të na çlironte nga dënimi me vdekje të përhershme. Cilin? Dërgoi Birin e shtrenjtë nga qielli që të lindte si njeri i përsosur, si Adami. Por, ndryshe nga Adami, Jezui «nuk kreu asnjë mëkat». (1 Pjetrit 2:22) Ai nuk ishte i dënuar me vdekje e mund të jetonte përgjithmonë si i përsosur.

Megjithatë, Jehovai lejoi që armiqtë ta vritnin Jezuin. Tri ditë më vonë Zoti e ktheu në jetë si krijesë frymore që në kohën e duhur të rikthehej në qiell. Atje Jezui i paraqiti Jehovait vlerën e jetës së tij të përsosur njerëzore që do të kompensonte atë që kishte humbur Adami si për vete, edhe për pasardhësit. Jehovai e pranoi atë flijim, duke u dhënë mundësi atyre që tregojnë besim te Jezui, të marrin jetën e përhershme.Romakëve 3:23, 24; 1 Gjonit 2:2.

Kështu Jezui ribleu atë që humbi Adami. Ai vuajti e vdiq që ne të jetojmë përgjithmonë. Bibla thotë: ‘Jezui pësoi vdekjen, që me anë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë të shijonte vdekjen për çdo njeri.’Hebrenjve 2:9.

Kjo masë tregon shumë për Jehovain. Standardi i tij i lartë i drejtësisë u dha mundësi njerëzve të papërsosur të shfajësohen. Sidoqoftë, dashuria e mëshira e shtynë t’u përmbahej kërkesave të veta edhe pse i kushtoi tej mase: dha të Birin si çmim për shpërblesën.Romakëve 5:6-8.

Jezui u ringjall; edhe të tjerë do të ringjallen

«Megjithatë, fakti është se Krishti është ngritur nga të vdekurit, si fryti i parë i atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes. Meqë vdekja erdhi nëpërmjet një njeriu, edhe ringjallja e të vdekurve erdhi nëpërmjet një njeriu. Ashtu si në Adamin të gjithë po vdesin, po kështu në Krishtin të gjithë do të ngjallen.»1 Korintasve 15:20-22.

S’ka dyshim se Jezui jetoi dhe vdiq, por ç’prova ekzistojnë që u ringjall? Mes dëshmive më të forta është fakti që Jezui i ringjallur iu shfaq shumë vetave në raste e në vende të ndryshme. Një herë iu shfaq mbi 500 njerëzve. Apostulli Pavël shkroi për këtë në një nga letrat drejtuar korintasve, duke theksuar se disa nga ata dëshmitarë ishin ende gjallë e kjo nënkuptonte se mund të dëshmonin për atë që kishin parë e dëgjuar.1 Korintasve 15:3-8.

Vlen të përmendet se, kur Pavli shkroi që Krishti ishte «fryti i parë» i të ringjallurve, nënkuptoi se më vonë do të ringjalleshin edhe të tjerë. Vetë Jezui tha se do të vinte koha kur «të gjithë ata që janë në varre do të dalin».Gjoni 5:28, 29.

 Që të jetojmë përgjithmonë, duhet të tregojmë besim te Jezui

«Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»Gjoni 3:16.

Faqet e para të Biblës flasin për kohën kur zuri fill vdekja dhe kur humbi Parajsa. Ndërsa faqet e fundit flasin për kohën kur do të asgjësohet vdekja dhe kur Zoti të rikthejë tokën në Parajsë. Atëherë njerëzit do të jenë të lumtur e do të gëzojnë të mira përgjithmonë. Zbulesa 21:4 thotë: «Nuk do të ketë më vdekje.» Për të theksuar sa i besueshëm është ky premtim, vargu 5 pohon: «Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.» Kur Jehovai premton diçka, është plotësisht i aftë ta përmbushë.

A je i bindur se «këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta»? Atëherë, mëso më shumë për Jezu Krishtin e beso tek ai dhe do të fitosh pëlqimin e Jehovait. Jo vetëm që do të përjetosh bekime të panumërta sot, por do të kesh edhe shpresën e jetës së përjetshme në Parajsën tokësore, ku «nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje».