Sipas Fjalorit të teologjisë Pashkët përshkruhen si «festa kryesore e krishterë, që kremtohet si dita e ‘ringjalljes’ së Jezu Krishtit nga vdekja». Por, a është vërtet festë e krishterë?

Për të vërtetuar autenticitetin e një objekti arkeologjik, është shumë e rëndësishme t’u kushtohet vëmendje hollësive. Po ashtu, që të kuptojmë nëse Pashkët janë festë e krishterë, është themelore të këqyrim hollësitë që lidhen me to.

Para së gjithash, Jezui u kërkoi dishepujve të kremtonin vdekjen e tij e jo ringjalljen. Apostulli Pavël e quajti këtë rast ‘darka e Zotërisë’.1 Korintasve 11:20; Luka 22:19, 20.

Për më tepër, sipas Britannica shumë tradita të Pashkëve «nuk lidhen dhe aq» me ringjalljen e Jezuit, «por vijnë nga zakone popullore». Për shembull, për sa u përket simboleve të vezëve e të lepujve për Pashkë, The Encyclopedia of Religion pohon: «Veza simbolizon jetën e re që del në dritë përmes vdekjes (fortësisë) së dukshme të lëvozhgës së vezës.» Ajo shton: «Lepuri njihej si krijesë jashtëzakonisht pjellore, prandaj simbolizonte ardhjen e pranverës.»

Filip Uollteri, profesor i literaturës mesjetare, shpjegon si këto simbole u bënë pjesë e kremtimit të Pashkëve. Ai shkruan se «gjatë procesit të krishterizimit të feve pagane» ishte e lehtë ta lidhje me ringjalljen e Jezuit festën pagane që kremtonte «kalimin nga vdekja dimërore në jetën pranverore». Uollteri shton se ky ishte hap vendimtar për vendosjen e «kremtimeve të krishtere» në kalendarin pagan, e kjo shtroi rrugën që një numër i madh njerëzish të kthehej në besim.

Ky proces «krishterizimi» nuk ndodhi ndërsa apostujt ishin ende gjallë, sepse ata vepronin si «forcë frenuese» kundër paganizmit. (2 Selanikasve 2:7) Apostulli Pavël paralajmëroi se pas «ikjes» së tij, ‘do të ngriheshin njerëz e do të thoshin gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt’. (Veprat 20:29, 30) Përveç kësaj, nga fundi i shekullit të parë, apostulli Gjon shkroi se disa burra tashmë po mashtronin të krishterët. (1 Gjonit 2:18, 26) Ishte hapur rruga për adoptimin e zakoneve pagane.

«Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët.»2 Korintasve 6:14

Por, disa ndoshta mendojnë se nuk ishte e gabuar të lejoje ndonjë zakon Pashke, pasi kështu «paganët» do ta kuptonin më mirë domethënien e ringjalljes së Jezuit. Sidoqoftë, Pavli nuk do ta kishte pranuar kurrë këtë. Ndonëse hasi shumë zakone pagane ndërsa udhëtonte mes Perandorisë Romake, ai nuk përvetësoi kurrë ndonjë prej tyre që t’i ndihmonte njerëzit ta kuptonin më mirë Jezuin. Përkundrazi, i paralajmëroi të krishterët: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. Sepse ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën? ‘Prandaj, dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,—thotë Jehovai,—dhe mjaft e prekët gjënë e papastër’, ‘dhe unë do t’ju pranoj’.»2 Korintasve 6:14, 17.

Çfarë mësuam nga ky shqyrtim i shkurtër i hollësive? Kuptuam qartë se Pashkët nuk janë festë e krishterë.