Ç’dobi kishte apostulli Pavël nga qytetaria romake?

Pavli shpalli: «Unë i apelohem Cezarit!»

Qytetaria romake i jepte një personi të drejta e privilegje kudo që të shkonte brenda perandorisë. Një qytetar romak i nënshtrohej ligjit romak, jo ligjeve të provincave. Kur e akuzonin, ai mund të zgjidhte të paditej sipas ligjit vendës, por kishte edhe të drejtën të paditej nga një gjykatë romake. Në rast dënimi me vdekje, kishte të drejtë t’i apelohej perandorit.

Prandaj, Ciceroni, burrë shteti romak i shekullit të parë p.e.s, shkroi: «Është krim ta lidhësh një qytetar romak; është ligësi ta fshikullosh; nëse e dënon me vdekje, është thuajse si të vrasësh prindin», përkatësisht prindin ose të afërmin tënd.

Apostulli Pavël predikoi anekënd Perandorisë Romake. Ai shfrytëzoi të drejtat si qytetar romak në tri raste të dokumentuara: (1) Kur u tha administruesve filipianë se duke e rrahur, shkelën të drejtat e tij. (2) Kur shpalli statusin e tij në Jerusalem që të mos e fshikullonin. (3) Kur iu apelua Cezarit, perandorit në Romë, që ta dëgjonte drejtpërdrejt.Veprat 16:37-39; 22:25-28; 25:10-12.

Si paguheshin barinjtë në kohët biblike?

Kontratë me shkrim kuneiform për blerjen e deleve e të dhive, rreth vitit 2050 p.e.s.

Patriarku Jakob ruajti kopetë e xhaxhait, Labanit, për 20 vjet. Për 14 vjet punoi si kusht që të martohej me vajzat e Labanit, kurse për 6 vitet e tjera u pagua me gjedhë. (Zanafilla 30:25-33) Revista Biblical Archaeology Review thotë: «Marrëveshjet me barinjtë si ajo mes Labanit e Jakobit ishin shumë të njohura për shkrimtarët dhe lexuesit e lashtë të shkrimeve biblike.»

Këto marrëveshje shpjegohen nga kontratat e lashta të zbuluara në Nuz të Larsës dhe në vende të tjera në Irakun e sotëm. Një kontratë tipike zgjaste nga një qethje vjetore deri te tjetra. Barinjtë pranonin përgjegjësinë që të kujdeseshin për një numër të caktuar kafshësh të renditura sipas moshës e gjinisë. Në bazë të marrëveshjes, pas një viti pronari merrte një sasi të caktuar leshi, produktesh bulmeti, bagëti të reja etj. Çdo tepricë i takonte bariut.

Rritja e kopesë varej nga numri i deleve që i besohej bariut. Zakonisht nga njëqind dele priteshin 80 qengja. Bariu duhej të kompensonte çdo humbje, ose deficit. Kështu kishte arsye të forta të kujdesej mirë për kafshët që i ishin besuar.