Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 TEMA KRYESORE | NJË QEVERI PA KORRUPSION

Mbretëria e Perëndisë​—Një qeveri pa korrupsion

Mbretëria e Perëndisë​—Një qeveri pa korrupsion

«Në fund të ditës zyrtarët e lartë përsëri janë nënshtetas, pasi të gjithë jemi produkt i shoqërisë.» Këto fjalë i tha kryeaudituesi i Nikaraguas kur shpjegoi pse korrupsioni qeveritar nuk mund të eliminohej.

A nuk je dakord se nëse shoqëria njerëzore është e korruptuar, i bie që çdo qeveri e saj të jetë se s’bën e korruptuar? Nëse po, një qeveri pa asnjë gjurmë korrupsioni s’ka si të vijë nga shoqëria njerëzore. Bibla flet për një qeveri të tillë, Mbretërinë e Perëndisë, për të cilën Jezui i mësoi dishepujt të luteshin.​—Mateu 6:9, 10.

Mbretëria e Perëndisë është reale dhe qeveris nga qielli. Ajo do t’i zëvendësojë të gjitha qeveritë njerëzore. (Psalmi 2:8, 9; Zbulesa 16:14; 19:19-21) Mes bekimeve që do t’u sjellë Mbretëria njerëzve është të zhdukë korrupsionin qeveritar. Shih gjashtë veçori të Mbretërisë që e garantojnë këtë.

1. PUSHTET

PROBLEMI: Qeveritë njerëzore financohen nga nënshtetasit e vet, shpesh nga taksat dhe tatimet. Gjithë ky fluks parash i tundon disa zyrtarë të vjedhin, ndërsa të tjerë pranojnë ryshfete nga njerëz që duan të ulin taksat a detyrime të tjera që i takojnë shtetit. Si pasojë mund të krijohet një rreth vicioz​—qeveria vë taksa të reja për të kompensuar këto humbje, dhe kjo e ushqen edhe më shumë korrupsionin. Në një ambient të tillë ata që vuajnë më shumë janë njerëzit e ndershëm.

ZGJIDHJA: Mbretëria e Perëndisë e merr pushtetin nga Perëndia i plotfuqishëm, Jehovai.  * (Zbulesa 11:15) Ajo nuk ka nevojë të mbledhë taksa  që të funksionojë. Përkundrazi, ‘fuqia e madhe’ e Perëndisë dhe bujaria e tij altruiste na sigurojnë se Mbretëria do të plotësojë me bollëk nevojat e të gjithë nënshtetasve të saj.​—Isaia 40:26; Psalmi 145:16.

2. NJË QEVERITAR

PROBLEMI: Përpjekja për të zhdukur korrupsionin «duhet të fillojë nga koka», thotë Suzana Rozë-Akërmën e përmendur në artikullin e mëparshëm. Qeveritë humbasin besueshmërinë kur përpiqen ta çrrënjosin korrupsionin mes policisë e zyrtarëve të doganës dhe nga ana tjetër e tolerojnë mes zyrtarëve të lartë. Edhe sundimtari njerëzor më parimor është i papërsosur. Siç thotë Bibla «nuk ka asnjë njeri të drejtë në tokë, që vazhdon të bëjë të mirën».​—Eklisiastiu 7:20.

Jezui refuzoi ryshfetin më të madh të ofruar ndonjëherë

ZGJIDHJA: Ndryshe nga njerëzit e papërsosur, Jezu Krishti, të cilin Perëndia e ka zgjedhur Mbret të Mbretërisë, nuk mund të tundohet të bëjë të keqen. Jezui e tregoi këtë kur refuzoi ryshfetin më të madh të ofruar ndonjëherë, «të gjitha mbretëritë e botës e lavdinë e tyre». Atij iu premtuan këto në këmbim të një akti adhurimi të rremë ndaj sundimtarit të botës, Djallit. (Mateu 4:8-10; Gjoni 14:30) Edhe kur e torturuan për vdekje, Jezui ishte aq i vendosur të mbante integritetin, saqë nuk pranoi një lloj droge që do t’ia mpinte dhembjen, por mund të mos e linte plotësisht të vetëdijshëm. (Mateu 27:34) Zoti e ka rikthyer në jetën qiellore Jezuin. Ai ka vërtetuar se është plotësisht i kualifikuar ta udhëheqë Mbretërinë.​—Filipianëve 2:8-11.

3. STABILITET

PROBLEMI: Shumë vende mbajnë rregullisht zgjedhje, të cilat teorikisht u japin mundësi njerëzve t’i heqin nga pushteti zyrtarët e korruptuar. Megjithatë, e vërteta është se fushatat dhe zgjedhjet elektorale priren të korruptohen, madje edhe në vendet që konsiderohen të zhvilluara. Me kontributet e fushatave dhe me veprime të tjera, të pasurit mund të kenë ndikim negativ te zyrtarët aktualë dhe tek ata që do të vijnë në pushtet.

Gjykatësi Xhon Pol Stivens i Gjykatës së Lartë të SHBA-së shkroi se ky ndikim kërcënon «jo vetëm legjitimitetin dhe cilësinë e qeverisë, por edhe besimin e njerëzve tek ajo». Ndaj s’është çudi që shumë njerëz përreth botës kanë përshtypjen se partitë politike janë më të korruptuara se të gjitha institucionet.

ZGJIDHJA: Mbretëria e Perëndisë është një formë qeverisjeje e qëndrueshme dhe e përhershme, prandaj nuk lë mundësi për mashtrime elektorale. (Danieli 7:13, 14) Meqë Qeveritarin e saj e ka zgjedhur Zoti, Mbretëria e tij nuk varet nga votat  e nënshtetasve dhe as mund të rrëzohet prej tyre. Falë stabilitetit, veprimet e saj dalin gjithmonë në dobinë afatgjatë të qytetarëve.

4. LIGJE

Mbretëria e Perëndisë është reale dhe qeveris nga qielli

PROBLEMI: Në pamje të parë mbase mendon se gjërat mund të përmirësohen kur dalin ligje të reja. Mirëpo, ekspertët kanë zbuluar se në mjaft raste sa më shumë ligje të vihen, aq më tepër shtohen shanset për korrupsion. Gjithashtu, ligjet e menduara posaçërisht për të ulur korrupsionin zakonisht kushtojnë goxha për t’i vënë në zbatim e prapëseprapë nuk arrijnë ndonjë gjë të madhe.

ZGJIDHJA: Ligjet e Mbretërisë së Perëndisë as që krahasohen me ato të qeverive njerëzore. Për shembull, në vend të një liste të gjatë me rregulla, Jezui dha atë që shpesh quhet Rregulla e Artë: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) Ç’është më e rëndësishmja, ligjet e Mbretërisë përqendrohen si te motivet, edhe te veprimet. Jezui tha: «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Mateu 22:39) Pa dyshim, ligje si këto mund t’i vendosë vetëm Zoti sepse ai lexon zemrën.​—1 Samuelit 16:7.

5. MOTIVE

PROBLEMI: Korrupsionin e ushqejnë lakmia dhe egoizmi. Zyrtarët e lartë dhe qytetarët i shfaqin shpesh këto cilësi. Për qendrën tregtare që u shemb në Seul, të përmendur në artikullin e mëparshëm, zyrtarët e lartë kishin marrë ryshfete nga sipërmarrësit, të cilët e dinin se u kushtonte më pak të paguanin ryshfete sesa të përdornin materialet dhe teknikat e duhura të ndërtimit.

Kështu që, për të zhdukur korrupsionin njerëzit duhet të mësojnë si të çrrënjosin motive si lakmia dhe egoizmi. Gjithsesi, qeverive njerëzore u mungon edhe dëshira, edhe aftësia për të vënë në jetë programe të tilla arsimimi.

 ZGJIDHJA: Mbretëria e Perëndisë e heq korrupsionin që në rrënjë, duke i mësuar njerëzit t’i mposhtin motivet e gabuara që fshihen pas tij. * Ky arsimim i ndihmon ‘të rinohen në forcën që vë në veprim mendjen e tyre’. (Efesianëve 4:23) Ata mësojnë t’i zëvendësojnë lakminë dhe egoizmin me kënaqjen e altruizmin.​—Filipianëve 2:4; 1 Timoteut 6:6.

6. NËNSHTETAS

PROBLEMI: Edhe në ambientin më të mirë të mundshëm dhe me edukimin më të shkëlqyer për moralin, disa do të zgjedhin të jenë të pandershëm e të korruptuar. Prandaj, sipas ekspertëve, qeveritë njerëzore nuk mund ta zhdukin korrupsionin. Maksimumi mund të shpresojmë që përhapja dhe efektet shkatërruese të korrupsionit të ulen.

ZGJIDHJA: Konventa e Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit thotë se për të luftuar korrupsionin, qeveritë duhet të nxitin «integritetin, ndershmërinë dhe përgjegjshmërinë». Ky është synim fisnik, ama Mbretëria e Perëndisë jo vetëm që i nxit këto cilësi, por edhe ua kërkon nënshtetasve të vet. Bibla thotë se ‘lakmitarët’ dhe «gënjeshtarët» nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë.​—1 Korintasve 6:9-11; Zbulesa 21:8.

Njerëzit mund të mësojnë t’u përmbahen këtyre normave të larta morale, si të krishterët e hershëm. Për shembull, kur dishepulli i quajtur Simon provoi ta blinte frymën e shenjtë nga apostujt, ata e refuzuan ryshfetin dhe i thanë: «Pendohu për këtë të keqe.» Kur Simoni e dalloi sa e rrezikshme ishte dëshira e tij e gabuar, u kërkoi apostujve të luteshin për të që ta mposhtte.​—Veprat 8:18-24.

SI TË BËHESH NËNSHTETAS I MBRETËRISË

Pavarësisht nga vjen, mund të bëhesh nënshtetas i Mbretërisë së Perëndisë. (Veprat 10:34, 35) Programi i arsimimit që ofron Mbretëria, i cili është në dispozicion anembanë botës, do të të mësojë si të bëhesh nënshtetas i saj. Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të lumtur të të tregojnë programin e studimit të Biblës falas në shtëpi, që mund të zgjasë edhe vetëm 10 minuta në javë. Mes të tjerash, mund të mësosh më shumë për «lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë» dhe për mënyrën si do ta zhdukë korrupsionin në qeveri. (Luka 4:43) Të ftojmë të kontaktosh një Dëshmitar në zonën tënde ose të vizitosh sitin tonë jw.org/​sq.

A do të doje një studim biblik falas në shtëpi?

^ par. 8 Jehova është emri i Zotit siç tregohet në Bibël.

^ par. 22 Për shembull, shih artikullin «A është e mundur të jesh i ndershëm në një botë të korruptuar?» në Kullën e Rojës të 1 tetorit 2012.