«Një lidhje e ngushtë me Zotin të bën të ndihesh i sigurt, i plotësuar dhe i qetë. E kupton se ai gjithmonë dëshiron më të mirën për ty.»—KRISTOFERI, NJË I RI NË GANË.

«Perëndia është pranë teje kur ndihesh përtokë dhe të fal më shumë dashuri e vëmendje nga sa mund të kërkosh.»—HANA 13-VJEÇARE, ALASKË, SHBA.

«Dijenia se ke një miqësi të ngushtë me Zotin është gjëja më e bukur që të jep paqe pafund.»—XHINA, GRUA XHAMAJKANE NË TË 40-AT.

Kristoferi, Hana dhe Xhina nuk janë të vetmit që ndihen kështu. Plot njerëz anekënd botës janë të bindur se Zoti i sheh si miq. Po ti, a mendon se gëzon miqësi me Zotin? Apo do të të pëlqente të lidheshe ngushtë a më ngushtë me të? Ndoshta pyet veten: «A është vërtet e mundur që një njeri i thjeshtë të gëzojë miqësi të ngushtë me Perëndinë e Plotfuqishëm? Nëse po, si mund të arrihet?»

MUND TA KESH MIK ZOTIN

Bibla thotë se mund të krijojmë lidhje të ngushtë e personale me Perëndinë. Ajo tregon se Zoti e quajti patriarkun Abraham ‘miku im’. (Isaia 41:8) Vër re edhe ftesën e ngrohtë te Jakovi 4:8: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» Prandaj, kuptohet se është e mundur të krijojmë një lidhje, një miqësi të ngushtë me Zotin. Por, meqë është i padukshëm, si mund ‘t’i afrohemi’ dhe të gëzojmë një marrëdhënie të mirë me të?

Për ta kuptuar, mendo pak si zhvillohet një miqësi mes njerëzve. Zakonisht në fillim dy njerëz i prezantohen me emër njëri-tjetrit. Pastaj, ndërsa komunikojnë rregullisht, shkëmbejnë mendime e ndjenja, lidhen edhe më ngushtë. Dhe, kur përpiqen të bëjnë për njëri-tjetrin, miqësia e tyre forcohet. Diçka e ngjashme mund të thuhet edhe për miqësinë me Perëndinë. Le të shohim si ndodh kjo.