Më poshtë tregohet një bisedë tipike që një Dëshmitar i Jehovait bën me dikë. Le të përfytyrojmë sikur një Dëshmitar që quhet Kujtim ka shkuar të predikojë në shtëpinë e një burri me emrin Gjergj.

‘VAZHDO TË RRËMOSH’ PËR KUPTUESHMËRI

Kujtimi: Gjergj, jam kënaqur vërtet nga bisedat e rregullta që kemi bërë për Biblën. * Herën e kaluar më bëre një pyetje për Mbretërinë e Perëndisë. Më pyete pse besojnë Dëshmitarët e Jehovait se Mbretëria e Perëndisë filloi të qeveriste në vitin 1914.

Gjergji: Po, po lexoja një nga botimet tuaja ku thuhej se Mbretëria e Perëndisë filloi të qeveriste në vitin 1914. U bëra kureshtar sepse ju thoni se i bazoni të gjitha bindjet në Bibël.

Kujtimi: Pikërisht, në Bibël i bazojmë.

Gjergji: Në fakt, e kam lexuar gjithë Biblën, por nuk më kujtohet të kem lexuar ndonjë varg që përmend vitin 1914. Prandaj, hapa një Bibël online dhe kërkova vitin 1914 dhe, siç e prisja, nuk gjeta gjë.

Kujtimi: Të lavdëroj për dy gjëra, Gjergj. Së pari, që e ke lexuar të gjithë Biblën. Me sa shoh, të pëlqen shumë Fjala e Perëndisë.

Gjergji: Po. Ajo s’ka të krahasuar.

Kujtimi: Ashtu mendoj edhe unë. Së dyti, dua të të lavdëroj që i kërkon në Bibël përgjigjet e pyetjeve që ke. Ke vepruar tamam ashtu si na nxit Bibla: ‘Vazhdo të rrëmosh’ për kuptueshmëri. * Është bukur që bën përpjekje të tilla.

Gjergji: Faleminderit! Më pëlqen të mësoj vazhdimisht. Në fakt, bëra edhe disa kërkime dhe gjeta ca informacione për vitin 1914 në librin që jemi duke studiuar. Aty përmendet ëndrra e një mbreti—më duket se ishte për një pemë të madhe që u pre dhe që më pas u rrit prapë.

Kujtimi: Ah, po. Është profecia te kapitulli 4 i Danielit. Ka të bëjë me një ëndërr që pa Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë.

Gjergji: Po, pikërisht ajo. E lexova disa herë profecinë. Por, që të jem i sinqertë, akoma nuk e kuptoj ç’lidhje ka me Mbretërinë e Perëndisë ose me vitin 1914.

Kujtimi: Faktikisht, as profeti Daniel nuk e kuptonte plotësisht atë që u frymëzua të shkruante.

Gjergji: Vërtet?

Kujtimi: Po. Këtu te Danieli 12:8, thuhet: «Unë dëgjova, por nuk kuptova.»

Gjergji: Atëherë, nuk qenkam i vetmi. Tani ndihem pak më mirë.

Kujtimi: E vërteta është se Danieli nuk e kuptonte ngaqë Perëndia kishte thënë se në atë kohë njerëzit nuk do t’i kuptonin plotësisht profecitë e  librit të Danielit. Por sot, ne mund t’i kuptojmë ato.

Gjergji: Pse?

Kujtimi: Ja çfarë lexojmë në vargun tjetër. Danieli 12:9 thotë: «Fjalët janë mbajtur të fshehta dhe të vulosura deri në kohën e fundit.» Prandaj, këto profeci do të kuptoheshin shumë kohë më vonë, «në kohën e fundit». Dhe, siç do ta shohim së shpejti në studimin e Biblës, të gjitha provat tregojnë se sot po jetojmë në këtë kohë. *

Gjergji: Atëherë, a mund të ma shpjegosh profecinë e Danielit?

Kujtimi: Do të përpiqem.

ËNDRRA E NABUKODONOSORIT

Kujtimi: Si fillim, më lejo të të tregoj shkurtimisht përmbajtjen e ëndrrës që pa mbreti Nabukodonosor. Pastaj mund të flasim për kuptimin e saj.

Gjergji: Në rregull.

Kujtimi: Nabukodonosori pa në ëndërr një pemë të stërmadhe që arrinte gjer në qiell. Pastaj, dëgjoi lajmëtarin e Perëndisë që urdhëroi prerjen e pemës. Megjithatë, Perëndia tha që kërcuri të lihej. Pasi të kalonin «shtatë kohë», pema do të rritej sërish. * Fillimisht, kjo profeci zbatohej për vetë mbretin Nabukodonosor. Megjithëse ishte një mbret i madh—ashtu si një pemë që arrinte gjer në qiell—ai u pre për «shtatë kohë». A të kujtohet çfarë ndodhi?

Gjergji: Jo, nuk më kujtohet.

Kujtimi: S’ka problem. Bibla tregon se Nabukodonosori u çmend për «shtatë kohë», ose ndryshe për shtatë vjet. Gjatë asaj kohe, ai nuk ishte në gjendje të sundonte si mbret. Por, në fund të shtatë kohëve, Nabukodonosorit iu kthye arsyeja dhe nisi të sundonte sërish. *

Gjergji: Po, deri këtu të kuptoj. Por ç’lidhje ka e gjithë kjo me Mbretërinë e Perëndisë dhe me vitin 1914?

Kujtimi: Me pak fjalë, kjo profeci ka dy përmbushje. Përmbushja e parë ndodhi kur u ndërpre qeverisja e mbretit Nabukodonosor. Përmbushja e dytë ka të bëjë me një ndërprerje të qeverisjes së Perëndisë. Prandaj, me Mbretërinë e Perëndisë lidhet kjo përmbushje e dytë.

Gjergji: Si e di se përmbushja e dytë e profecisë ka të bëjë me Mbretërinë e Perëndisë?

Kujtimi: Pikësëpari, vetë profecia na tregon diçka. Sipas Danielit 4:17, kjo profeci u dha «që të gjallët ta dinë se Më i Larti është Sundimtar në mbretërinë e njerëzve, se ia jep atë kujt të dojë». A e vure re shprehjen «mbretërinë e njerëzve»?

Gjergji: Po, aty thuhet se «Më i Larti është Sundimtar në mbretërinë e njerëzve».

Kujtimi: E drejtë. Kush mendon se është «Më i Larti»?

Gjergji: Mendoj se këtu po flitet për Perëndinë.

Kujtimi: Tamam. Aty thuhet se kjo profeci nuk është vetëm për Nabukodonosorin. Lidhet edhe me «mbretërinë e njerëzve»—domethënë, me qeverisjen e njerëzimit nga Perëndia. Kjo përputhet shumë mirë dhe me gjithë kontekstin e profecisë.

Gjergji: Çfarë do të thuash me këtë?

TEMA KRYESORE E LIBRIT

Kujtimi: Shpesh, libri biblik i Danielit shtjellon një temë kryesore. Ajo i mëshon vazhdimisht themelimit të Mbretërisë së Perëndisë nën qeverisjen e të Birit, Jezuit. Për shembull, le të kthehemi nja dy kapituj më përpara. A mund ta lexosh të lutem Danielin 2:44?

Gjergji: Po. Aty thuhet: «Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre  mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»

Kujtimi: Faleminderit! A mendon se ky varg i referohet Mbretërisë së Perëndisë?

Gjergji: Hmm. Nuk jam i sigurt.

Kujtimi: Nëse e vure re, shkrimi thotë se kjo Mbretëri «do të qëndrojë përgjithmonë». Kjo është e vërtetë për Mbretërinë e Perëndisë, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për ndonjë qeveri njerëzore, apo jo?

Gjergji: Jo, besoj se jo.

Kujtimi: Ja një profeci tjetër në librin e Danielit që e drejton vëmendjen te Mbretëria e Perëndisë. Është profecia te Danieli 7:13, 14. Në lidhje me sundimtarin e ardhshëm, profecia thotë: «Atij iu dha sundim, lavdi dhe mbretëri, që t’i shërbenin gjithë popujt, kombet dhe gjuhët. Sundimi i tij do të zgjatë përgjithmonë dhe nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet.» A ka ndonjë fjalë në këtë profeci që të duket e njohur?

Gjergji: Aty flitet për një mbretëri.

Kujtimi: Është e vërtetë. Dhe jo një mbretëri çfarëdo. Nëse e vure re, aty thuhet se kjo Mbretëri do të kishte autoritet mbi «popujt, kombet dhe gjuhët». Me fjalë të tjera, kjo Mbretëri do të sundonte mbi tërë botën.

Gjergji: Nuk e kisha kapur këtë pikë. Por ke të drejtë, ashtu thotë shkrimi.

Kujtimi: Gjithashtu, vër re diçka tjetër që thotë profecia: «Sundimi i tij do të zgjatë përgjithmonë dhe nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet.» Kjo ngjan shumë me profecinë që sapo lexuam te Danieli 2:44, apo jo?

Gjergji: Po, ngjan goxha.

Kujtimi: Le ta përmbledhim me pak fjalë gjithë sa diskutuam deri tani. Profecia te kapitulli 4 i Danielit u dha që njerëzit ta dinin se «Më i Larti është Sundimtar në mbretërinë e njerëzve». Këto fjalë tregojnë qartë se profecia ka një përmbushje më të madhe se ajo që kishte të bënte me Nabukodonosorin. Dhe, në gjithë librin e Danielit gjenden profeci që flasin për themelimin e Mbretërisë së Perëndisë nën qeverisjen e Birit të tij. Prandaj, a nuk mendon se është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se kjo profeci te kapitulli 4 i Danielit ka të bëjë edhe me Mbretërinë e Perëndisë?

Gjergji: Mendoj se po. Por prapë s’e kuptoj si lidhet me vitin 1914.

«LE TË KALOJNË SHTATË KOHË»

Kujtimi: Të kthehemi sërish te mbreti Nabukodonosor. Në përmbushjen e parë të profecisë, ai përfaqësohej nga pema. Sundimi i tij u ndërpre kur pema u pre dhe u la për shtatë kohë—domethënë, kur ai u çmend për një periudhë kohe. Kjo periudhë prej shtatë kohësh përfundoi kur Nabukodonosorit iu kthye arsyeja dhe filloi të sundonte sërish. Në përmbushjen e dytë të profecisë, sundimi i Perëndisë do të ndërpritej për një periudhë kohe—por jo se Perëndia gaboi diku.

Gjergji: Çfarë do të thuash me këtë?

Kujtimi: Në kohët biblike, thuhej se mbretërit izraelitë që sundonin në Jerusalem uleshin në «fronin e Jehovait». * Ata përfaqësonin Perëndinë ndërsa qeverisnin popullin e tij. Prandaj, sundimi i këtyre mbretërve në të vërtetë ishte shprehje e qeverisjes së Perëndisë. Gjithsesi, me kalimin e kohës, shumica e atyre mbretërve nuk iu bindën Perëndisë dhe të njëjtin shembull të keq ndoqën  edhe shumica e nënshtetasve të tyre. Për shkak të mosbindjes, Perëndia lejoi që izraelitët të pushtoheshin nga babilonasit në vitin 607p.e.s. Që nga ajo kohë, asnjë mbret nuk e ka përfaqësuar Jehovain në Jerusalem. Prandaj, në këtë kuptim sundimi i Perëndisë u ndërpre. Nuk e di, isha i qartë deri këtu?

Gjergji: Po.

Kujtimi: Pra, viti 607p.e.s. shënoi fillimin e shtatë kohëve ose ndryshe të periudhës kur sundimi i Perëndisë do të ndërpritej. Në fund të shtatë kohëve, Perëndia do të vendoste një sundimtar të ri për ta përfaqësuar—kësaj radhe, dikë në qiell. Në këtë kohë do të përmbusheshin profecitë e tjera që lexuam te Danieli. Kështu, pyetja kryesore është: kur mbaruan shtatë kohët? Nëse arrijmë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, do të dimë kur filloi të qeveriste Mbretëria e Perëndisë.

Gjergji: E kuptoj. Pra, këto shtatë kohë përfunduan në vitin 1914?

Kujtimi: Pikërisht! E kape pikën.

Gjergji: Por si e dimë këtë?

Kujtimi: Po ja, gjatë shërbimit në tokë, Jezui tregoi se shtatë kohët nuk kishin përfunduar ende. * I bie që ato të jenë një periudhë kohore shumë e gjatë. Shtatë kohët filluan qindra vjet para se të vinte në tokë Jezui dhe vazhduan edhe për ca kohë pasi u kthye në qiell. Por, mos harro se kuptimi i profecive të Danielit nuk do të ishte i qartë deri në «kohën e fundit». * Është interesante se në fund të shekullit të 19-të, disa studentë të sinqertë të Biblës u nxitën të shqyrtonin me shumë kujdes këtë dhe profeci të tjera. Ata nisën ta kuptonin se shtatë kohët do të përfundonin në vitin 1914. Gjithashtu, ngjarjet e mëdha botërore që nga ajo kohë, vërtetojnë se viti 1914 ishte vërtet viti kur Mbretëria e Perëndisë nisi të qeveriste në qiell. Ishte viti kur kjo botë hyri në ditët e saj të fundit, ose ndryshe në kohën e fundit. E kuptoj se tani ke goxha informacione të reja për të menduar . . 

Gjergji: Po. Do t’i lexoj prapë këto informacione, që t’i kuptoj mirë.

Kujtimi: Mos u mërzit. Edhe mua m’u desh ca kohë që t’i kuptoja mirë. Por, të paktën shpresoj që kjo bisedë të të ketë ndihmuar të kuptosh se Dëshmitarët e Jehovait i bazojnë në Bibël bindjet që kanë për Mbretërinë.

Gjergji: S’ka pikë dyshimi. Gjithmonë më ka bërë përshtypje që ti i bazon në Bibël bindjet e tua.

Kujtimi: Dhe, me sa shoh, edhe ti dëshiron të bësh të njëjtën gjë. Siç e thashë pak më parë, tani ke goxha informacione për të menduar. Mbase ke ende pyetje të tjera. Për shembull, kemi kuptuar se shtatë kohët lidhen me Mbretërinë e Perëndisë dhe se ato filluan në vitin 607p.e.s. Por, si e dimë me saktësi se këto shtatë kohë përfunduan në vitin 1914? *

Gjergji: Po, në fakt këtë po mendoja edhe unë.

Kujtimi: Vetë Bibla na ndihmon të përcaktojmë me saktësi sa zgjatën shtatë kohët. A dëshiron të bisedojmë për këtë kur të vij herën tjetër?

Gjergji: Po, patjetër.

A keni pyetje për ndonjë temë biblike? A jeni kureshtar për ndonjë bindje ose praktikë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait? Nëse po, mos ngurroni të flitni për këto herën tjetër që do të takoni një Dëshmitar të Jehovait. Ai ose ajo do të bisedojë me kënaqësi për këto çështje.

^ par. 5 Shpesh, Dëshmitarët e Jehovait flasin rregullisht për Biblën me të tjerët me anë të një programi të studimit të Biblës në shtëpi.

^ par. 21 Shih kapitullin 9 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Disponohet edhe në www.jw.org/sq.

^ par. 63 Në një profeci që ka të bëjë me ditët e fundit, Jezui tha: «Jerusalemin [i cili përfaqësonte sundimin e Perëndisë] do ta shkelin kombet, derisa të përmbushen kohët e caktuara të kombeve.» (Luka 21:24) Prandaj, sundimi i Perëndisë ishte ende i ndërprerë në kohën e Jezuit, dhe do të vazhdonte kështu deri në ditët e fundit.

^ par. 67 Shih faqet 215-218 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Disponohet edhe në www.jw.org/sq.

Artikulli vijues i kësaj serie do të shqyrtojë vargje biblike që hedhin dritë mbi gjatësinë e shtatë kohëve.