Nga artikujt e mëparshëm, ka të ngjarë të kesh kuptuar se për Dëshmitarët e Jehovait ka shumë rëndësi Mbretëria e Perëndisë. Mbase je bërë kureshtar për disa nga bekimet e përmendura, të cilat do t’i sjellë në të ardhmen Mbretëria e Perëndisë. Në të njëjtën kohë, ndoshta mendon se premtime të tilla janë tepër të bukura për të qenë të vërteta.

Tregohesh i mençur nëse bën kujdes dhe nuk i beson verbërisht çdo gjëje që dëgjon. (Proverbat 14:15) Në disa aspekte, kujdesi yt mund të jetë i ngjashëm me atë të bereasve të lashtë. * Kur dëgjuan për lajmin e mirë për Mbretërinë, bereasit e pranuan atë, por jo thjesht ngaqë donin që ai të ishte i vërtetë. Përkundrazi, i shqyrtuan me kujdes Shkrimet «për të parë nëse ato gjëra ishin ashtu». (Veprat 17:11) Me fjalë të tjera, bereasit e krahasuan lajmin e mirë që dëgjuan me atë që thonë Shkrimet. Me kalimin e kohës, ata u bindën se lajmi i mirë kishte një themel të fortë në Fjalën e Perëndisë.

Dëshmitarët e Jehovait të ftojnë përzemërsisht të veprosh po njësoj. Me anë të një programi për ta studiuar falas Biblën, ne të ofrojmë mundësinë ta krahasosh atë që besojmë për Mbretërinë e Perëndisë ne si Dëshmitarë të Jehovait, me atë që mëson vërtet Bibla.

Përveçse të jep njohuri për Mbretërinë e Perëndisë, studimi i Biblës të ndihmon të gjesh përgjigje për disa nga pyetjet më të rëndësishme.

Mbi të gjitha, studimi i Biblës do të të ndihmojë ‘t’i afrohesh Perëndisë’. (Jakovi 4:8) Si rrjedhojë, sa më shumë t’i afrohesh atij, aq më tepër do të kuptosh ç’dobi mund të të sjellë Mbretëria e Perëndisë—jo vetëm tani, por përgjithmonë. Vetë Jezui i tha në lutje Atit të tij: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»Gjoni 17:3.

 

^ par. 4 Berea ishte një qytet në Maqedoninë e lashtë.