Që kur isha i vogël, vuaja nga paragjykimet raciale, frika nga dështimi, si edhe natyra ime e ndrojtur. Shpresoja të gjeja ngushëllim në Bibël, prandaj shkova në një kishë katolike që të më ndihmonin ta kuptoja. Meqë s’mora fare ndihmë, fillova t’i kushtohesha sportit.

S’kaloi shumë dhe fillova të merresha me gjimnastikë dhe bodybuilding. Me kalimin e kohës, hapa një palestër në San-Leandro, Kaliforni, SHBA, dhe punova me disa persona që merreshin me bodybuilding, përfshirë njërin që fitoi titullin Mr. America. Megjithëse kisha zhvilluar një trup muskuloz, kjo nuk e mbushi zbrazëtinë brenda meje.

KËRKIMET SHPËRBLEHEN

Një mik te qendra ime, duke ditur dëshirën time për të kuptuar Biblën, më sugjeroi të takoja dikë që njihte. Të nesërmen në mëngjes, më erdhi në shtëpi një Dëshmitar i Jehovait. Për katër orë ai iu përgjigj nga Bibla pyetjeve të mia. I kërkova të kthehej po atë mbrëmje, dhe folëm për Biblën deri në mesnatë. Isha shumë i kënaqur për atë që mësova, dhe e pyeta nëse mund ta shoqëroja të nesërmen për të parë si predikonte. Më mahniste mënyra si e hapte Biblën dhe u tregonte të tjerëve përgjigjet për pyetjet që kishin. Kjo ishte ajo që doja të bëja.

Prandaj, e shita biznesin që kisha dhe e kaloja ditën në shërbim me këtë pionier, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait që predikojnë në kohë të plotë. Në maj të 1948-s, u pagëzova në një kongres që u mbajt në arenën Cow Palace, në San-Francisko, Kaliforni. Po atë vit, u bëra edhe unë pionier.

Ndërkohë, u kërkova Dëshmitarëve të shkonin të takonin nënën time. Ajo e pranoi mesazhin e tyre dhe u bë Dëshmitare e Jehovait pas pak kohe. Pavarësisht nga kundërshtimi i familjes, ajo i qëndroi besnike Perëndisë derisa vdiq shumë vite më vonë. Asnjë pjesëtar tjetër i familjes sonë nuk u bë Dëshmitar.

NJIHEM ME GRUAN E ARDHSHME

Në vitin 1950, u transferova në Grend Xhankshën, Kolorado, ku u njoha me Billin. Ajo lindi në vitin 1928 dhe u rrit gjatë Krizës së Madhe. Nëna e saj, Mini, i lexonte Biblën çdo natë nën dritën regëtuese të një llambe vajguri. Kur ishte katër vjeçe, Billi kishte mësuar të lexonte dhe dinte përmendsh shumë tregime biblike. Në fund të viteve 40, nëna e saj mësoi nga studimi i Biblës me Dëshmitarët se fjala që shpesh është përkthyer ferr, nuk është një vend mundimesh, por varri i përbashkët i njerëzimit. (Eklisiastiu 9:5, 10) Mini dhe i shoqi u bënë Dëshmitarë.

Në vitin 1949, Billi u kthye nga kolegji në Boston dhe nisi ta studionte seriozisht Biblën. Në vend që të bëhej mësuese në një shkollë, ajo vendosi t’ia kushtonte jetën Perëndisë. U pagëzua në vitin 1950 në kongresin ndërkombëtar të Dëshmitarëve  të Jehovait që u mbajt në stadiumin Jenki, në Nju-Jork. Nuk kaloi shumë dhe ne u njohëm, u martuam dhe filluam së bashku shërbimin në kohë të plotë.

Filluam në Juxhin, Oregon, dhe aty u bëmë miq për tërë jetën me shumë veta. Në vitin 1953 u transferuam në Grents Pas, Oregon, për të ndihmuar kongregacionin e vogël atje. Po atë vit, u ftuam të ndiqnim klasën e 23-të të Galaadit, shkolla e Dëshmitarëve që stërvit misionarë, e cila ndodhet në Lansingun Jugor, Nju-Jork, rreth 400 kilometra në veriperëndim të qytetit të Nju-Jorkut.

VEPRA MISIONARE NË BRAZIL

Në dhjetor të vitit 1954, pesë muaj pas diplomimit në Galaad, unë dhe Billi u nisëm për në Brazil me një aeroplan me dy helika. Pas një ore fluturimi, njëri nga motorët u fik, por arritëm të uleshim shëndoshë e mirë në Bermude. Pas një uljeje tjetër emergjente në Kubë dhe pas 36 orësh udhëtimi rraskapitës, mbërritëm në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Rio-de-Zhanejro, Brazil.

Salla e parë e Mbretërisë në Bauru—një vend i marrë me qira me një tabelë që e shkrova unë, 1955

Pas një qëndrimi të shkurtër, unë dhe Billi, bashkë me dy misionarë të tjerë, u nisëm për në Bauru, San-Paulo, për të hapur një shtëpi të re misionare. Qyteti kishte mbi 50.000 banorë dhe ne ishim Dëshmitarët e parë atje.

Filluam të predikonim shtëpi më shtëpi, por menjëherë prifti katolik filloi t’i kundërvihej veprës sonë. Ai na ndoqi dhe i paralajmëroi banorët të mos na e vinin veshin. Megjithatë, brenda pak javësh, një familje e madhe me të cilët studiuam, e pranuan të vërtetën biblike dhe më vonë u pagëzuan. Shumë shpejt, edhe të tjerë filluan të studionin.

Familja që u pagëzua, kishte një të afërm që ishte president i një klubi të famshëm. Mora masa që të përdornim ambientet e klubit për të mbajtur një asamble. Kur prifti këmbënguli që kontrata të anulohej, presidenti u takua me anëtarët e tjerë të klubit dhe u tha: «Nëse ju e anuloni, unë jap dorëheqjen!» Kontrata për asamblenë u miratua.

Vitin vijues, më 1956-n, morëm ftesën për të ndjekur kongresin krahinor në Santos, San-Paulo. Afro 40 Dëshmitarë nga kongregacioni ynë shkuan atje me tren. Sapo u kthyem në Bauru, gjeta një letër ku thuhej se isha caktuar si mbikëqyrës udhëtues që të vizitoja kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. Kështu, nisa një karrierë afro 25-vjeçare në Brazil, duke përshkuar pjesën më të madhe të atij vendi të paanë.

Brenda një viti, në Bauru u formua një grup i zellshëm me lajmëtarë të Mbretërisë

SHËRBIMI NË ATË VEND

Në ato kohë udhëtohej me mjete primitive. Dalëngadalë e përshkuam thuajse të gjithë vendin me autobus, tren, karrocë, biçikletë, si edhe më këmbë. Një nga qytetet e para që vizituam ishte Zhaú në San-Paulo. Atje, prifti na kundërshtoi.

«Ju s’mund t’u predikoni ‘deleve të mia!’»,—na tha ai.

«Ato nuk janë të tuat. I përkasin Perëndisë»,—iu përgjigjëm.

Morëm masa që të shfaqnim një film për veprën tonë mbarëbotërore të predikimit, me titull Shoqëria Bota e Re në veprim (anglisht), por prifti mblodhi një turmë që të na sulmonte. Ne njoftuam menjëherë policinë. Kur prifti dhe turma e tij me besimtarë iu afruan teatrit, hasën rezistencën e një muri të ngjeshur me policë që u kishin drejtuar armët. Auditori i madh u kënaq jashtë mase me filmin.

E njëjta klimë urrejtjeje dhe kundërshtimi fetar ekzistonte pothuajse kudo ku shërbyem në ato  kohë. Për shembull, në Bruski, afër Blumenaut, në Santa-Katarinë, u takuam me dy pioniere që shërbenin nën një kundërshtim të fortë. Por, qëndrueshmëria dhe ngulmimi i tyre u shpërblye jashtë mase. Tani, mbi 50 vjet më vonë, në atë rajon lulëzojnë më shumë se 60 kongregacione, si edhe ka një Sallë Asamblesh të bukur në qytetin e afërt të Itazhait.

Një pikë kyçe e veprës sonë udhëtuese ishte koha shumë e gëzueshme që kalonim me Dëshmitarët e tjerë teksa përgatitnim kongrese të mëdha. Në vitet 70, kisha privilegjin të shërbeja si mbikëqyrësi i kongresit në stadiumin e madh të Morumbit. Rreth njëqind kongregacioneve në zonat përreth iu kërkua të siguronin nga dhjetë veta për të pastruar stadiumin një natë para kongresit.

Teksa lojtarët e futbollit largoheshin nga stadiumi atë natë, disa i dëgjuan duke u tallur: «Shikojini gjithë ata njerëz me fshesa dhe shtupa në dorë, që mendojnë se do të pastrojnë stadiumin.» Gjithsesi, aty nga mesnata i gjithë stadiumi u pastrua. Përgjegjësi i stadiumit tha: «Personelit tim do t’i duhej një javë e tërë për të bërë atë që Dëshmitarët e bënë vetëm për pak orë.»

KTHIMI NË SHTETET E BASHKUARA

Në vitin 1980 më vdiq babai, dhe pak më vonë u kthyem në Shtetet e Bashkuara që të kujdeseshim për mamanë time, në Frimont, Kaliforni. Gjetëm punë dhe pastronim ndërtesa natën. Kështu, vazhduam si pionierë dhe ndihmuam portugezët në atë zonë. Më vonë u transferuam në San-Hoakin-Vallej, ku kërkonim banorët që flitnin portugalisht në zonën e paanë nga Sakramento në Bejkërsfilld. Tani, në Kaliforni ka rreth dhjetë kongregacione të gjuhës portugeze.

Pasi më vdiq mamaja në vitin 1995, u transferuam në Florida dhe u kujdesëm për babanë e Billit derisa vdiq. Mamaja e saj kishte vdekur në vitin 1975. Në vitin 2000 u transferuam në një rajon të lartë shkretinor në jugperëndim të Kolorados dhe kemi shërbyer këtu në kohë të plotë duke u predikuar indianëve të Amerikës në rezervatet e Navajos dhe të Jutës. Mjerisht, Billi vdiq në shkurt të 2014-s.

Sa i lumtur jam që mbi 65 vjet më parë takova një Dëshmitar të Jehovait i cili iu përgjigj nga Bibla pyetjeve të mia të shumta! Jam i lumtur sidomos që i kontrollova përgjigjet, që të sigurohesha se po më thoshte atë që mëson vërtet Bibla. Kjo më çoi në një jetë shpërblyese në shërbim të Perëndisë.