«Perëndia që ngushëllon të përvuajturit, na ngushëlloi.»​—2 KORINTASVE 7:6.

«Biri i Perëndisë . . . më deshi dhe e dorëzoi veten për mua.»​—GALATASVE 2:20

PSE DYSHOJNË DISA? Edhe kur kanë jashtëzakonisht nevojë për ngushëllim, disa mendojnë se është egoiste t’i kërkojnë Zotit të ndërhyjë dhe t’i ndihmojë me problemet. «Kur shoh numrin marramendës të njerëzve në botë, dhe problemet e rënda që hasin, hallet e mia më duken aq të parëndësishme sa ngurroj t’i kërkoj ndihmë Perëndisë»,—thotë Rakela.

ÇFARË MËSON FJALA E PERËNDISË? Perëndia ka ndërhyrë tashmë në një mënyrë të mrekullueshme për të ndihmuar dhe për të ngushëlluar njerëzit. Të gjithë njerëzit në tokë kanë trashëguar mëkatin, një paaftësi kronike për të plotësuar në mënyrë të përsosur kërkesat e Perëndisë. Gjithsesi, Perëndia «na deshi dhe dërgoi Birin e tij [Jezu Krishtin] si një flijim pajtues për mëkatet tona». (1 Gjonit 4:10) Me anë të vdekjes flijuese të Jezuit, Perëndia bën të mundur që të na falen mëkatet, të kemi ndërgjegje të pastër dhe shpresën e jetës së përhershme në një botë të re paqësore. * Por, a është ky flijim vetëm për racën njerëzore në tërësi, apo pasqyron interesimin e Perëndisë për ty si individ?

Shqyrto rastin e apostullit Pavël. Ai ishte kaq shumë i prekur nga flijimi i Jezuit, sa shkroi: «Jetoj me anë të besimit te Biri i Perëndisë, që deshi dhe e dorëzoi veten për mua.» (Galatasve 2:20) Është e vërtetë që Jezui vdiq para se Pavli të bëhej i krishterë. Megjithatë, Pavli e shihte këtë flijim si dhuratë që Perëndia ia kishte bërë atij.

Vdekja flijuese e Jezuit është dhuratë që Perëndia ta ka bërë edhe ty. Kjo dhuratë vërteton sa i çmuar je për Perëndinë. Ajo mund të të japë «ngushëllim të përhershëm e shpresë të mrekullueshme», dhe të ‘të bëjë të patundur në çdo vepër e fjalë të mirë’.—2 Selanikasve 2:16, 17.

Gjithsesi, Jezui e dha jetën si flijim pothuajse 2.000 vjet më parë. Çfarë provash ka se Perëndia dëshiron të të afrohet ty sot?

^ par. 5 Për të mësuar më tepër për flijimin e Jezuit, shih kapitullin 5 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.