«PERËNDIA është Frymë», i padukshëm për sytë njerëzorë. (Gjoni 4:24) Prapëseprapë, Bibla thotë se disa njerëz, në njëfarë kuptimi, e kanë parë Perëndinë. (Hebrenjve 11:27) Si është e mundur? A mund ta shohësh vërtet ‘Perëndinë e padukshëm’?—Kolosianëve 1:15.

Krahasoje këtë me situatën e një personi që ka lindur i verbër. A e pengon verbëria të mos e kuptojë fare botën përreth? Jo plotësisht. Një i verbër i merr informacionet në mënyra të ndryshme, të cilat e ndihmojnë të perceptojë njerëzit, objektet, dhe veprimtaritë e ndryshme përreth. Një i verbër tha: «Njeriu nuk shikon me sy, por me mendje.»

Në mënyrë të ngjashme, megjithëse nuk mund ta shohësh Perëndinë me sytë fizikë, mund ta shohësh me «sytë e zemrës». (Efesianëve 1:18) Shqyrto tri mënyra si mund ta bësh.

«SHIHEN QARTË QË NGA KRIJIMI I BOTËS»

Shpesh, një i verbër i ka më të zhvilluara shqisat e dëgjimit dhe të prekjes, të cilat i përdor për të perceptuar gjërat që s’mund t’i shohë. Po ashtu, ti mund të përdorësh shqisat fizike për të shqyrtuar botën përreth dhe për të perceptuar Perëndinë e padukshëm që e ka krijuar. «Cilësitë e tij të padukshme . . . shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra.»—Romakëve 1:20.

Për shembull, mendo për shtëpinë tonë, Tokën. Ajo është projektuar enkas për ne jo thjesht sa për të na mbajtur në jetë, por për ta gëzuar jetën. Kënaqemi kur na ledhaton flladi i lehtë, kur dielli na ngroh me rrezet e tij, kur shijojmë një frutë plot lëng ose kur dëgjojmë cicërimat e ëmbla të zogjve. A nuk tregojnë këto dhurata se Krijuesi ynë mendon për ne, se është i butë dhe bujar?

Çfarë mund të mësosh për Perëndinë nga ajo që sheh në univers? Pikësëpari, qiejt zbulojnë fuqinë e Tij. Zbulimet e fundit shkencore tregojnë se universi jo vetëm që po zgjerohet, por kjo po ndodh me një shpejtësi gjithnjë e më të madhe. Teksa sheh qiellin natën, mendo: cili është burimi i kësaj energjie që po e zgjeron me shpejtësi universin? Bibla na thotë se Krijuesi ka ‘energji dinamike’. (Isaia 40:26) Krijimi i Perëndisë na tregon se ai është ‘i Plotfuqishmi’; «s’ka më të fuqishëm se Ai».—Jobi 37:23.

«[AI] E KA SHPJEGUAR ATË»

Një nënë e dy fëmijëve që kanë probleme me shikimin, thotë: «Të folurit është një nga mënyrat më të rëndësishme si mësojnë ata. Kur je jashtë, përgatitu t’u shpjegosh gjithçka sheh. Ti je sy për ta.» Po njësoj, megjithëse «askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë», Biri i Tij, Jezui, «i cili është në gji të Atit, e ka shpjeguar atë». (Gjoni 1:18) Si krijimi i parë dhe Biri i vetëmlindur i Perëndisë, Jezui u bë «sytë» tanë për të parë qiejt. Ai është burimi më i mirë i informacionit për Perëndinë e padukshëm.

Ja disa gjëra që shpjegoi për Perëndinë Jezui, i cili kaloi epoka të tëra me Atin:

  • Perëndia punon pa u lodhur. «Ati im vazhdon të punojë deri më tani.»—Gjoni 5:17.

  • Perëndia e di se për çfarë kemi nevojë. «Ati juaj, e di se për ç’gjëra keni nevojë, madje përpara se t’ia kërkoni.»—Mateu 6:8.

  • Perëndia na i plotëson me dashuri nevojat tona. ‘Ati juaj që është në qiej e bën diellin e tij të ngrihet  mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët.’—Mateu 5:45.

  • Perëndia e çmon secilin prej nesh. «A nuk shiten dy harabela për një qindarkë? E megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit tuaj. Megjithatë edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj, mos kini frikë: ju vleni më tepër se shumë harabela.»—Mateu 10:29-31.

NJË NJERI QË PASQYROI PERËNDINË E PADUKSHËM

Shpesh, të verbrit i kuptojnë konceptet ndryshe nga njerëzit që shohin. Një i verbër mund ta perceptojë një hije jo si një zonë të errët pa ndriçimin e diellit, por si një zonë të ftohtë pa ngrohtësinë e diellit. Ashtu si një person krejtësisht i verbër nuk mund ta shohë hijen dhe dritën e diellit, as ne nuk mund ta kuptojmë Jehovain me aftësitë tona. Prandaj, Jehovai siguroi një njeri që i pasqyroi në mënyrë të përsosur cilësitë dhe personalitetin e Tij.

Ai ishte Jezui. (Filipianëve 2:7) Jezui jo vetëm foli për Atin e tij, por edhe na tregoi si është Perëndia. Filipi, dishepulli i Jezuit, i bëri këtë kërkesë: «Zotëri, na e trego Atin.» Jezui u përgjigj: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:8, 9) Çfarë mund ‘të shohësh’ tek Ati nga veprimet e Jezuit?

Jezui ishte i përzemërt, i përulur dhe i afrueshëm. (Mateu 11:28-30) Personaliteti i tij freskues i bënte për vete njerëzit. Kur ata vuanin, Jezui vuante me ta. Kur gëzonin, ai gëzonte me ta. (Luka 10:17, 21; Gjoni 11:32-35) Teksa lexon ose dëgjon tregimet e Biblës për Jezuin, përdor shqisat dhe përjetoji tregimet. Nëse mediton për mënyrën si vepronte Jezui me njerëzit, do të arrish ta shohësh më qartë personalitetin e mrekullueshëm të Perëndisë dhe të afrohesh me Të.

BASHKIMI I PJESËVE

Në lidhje me mënyrën si e përjeton botën një i verbër, një autore thotë: «Ai ose ajo merr copëza dhe pjesë informacionesh nga burime të ndryshme (nëpërmjet prekjes, aromave, dëgjimit etj.), dhe në njëfarë mënyre duhet t’i bashkojë në një të tërë.» Po kështu, teksa vëzhgon veprat e krijimit të Perëndisë, lexon çfarë tha Jezui për Atin e tij dhe analizon mënyrën si i pasqyroi Jezui cilësitë e Perëndisë, përpara do të të shfaqet një tablo e bukur e Jehovait. Ai do të të bëhet më real.

Pikërisht këtë përjetoi Jobi, i cili jetoi në lashtësi. Në fillim ai foli ‘pa kuptuar’. (Jobi 42:3) Por, pasi i shqyrtoi me kujdes mrekullitë e krijimit të Perëndisë, Jobi u shty të thoshte: «Veç kisha dëgjuar për ty, por tani syri im të sheh.»—Jobi 42:5.

‘Nëse e kërkon Jehovain, ai do të të lërë që ta gjesh’

E njëjta gjë mund të vlejë edhe për ty. «Nëse e kërkon [Jehovain], ai do të të lërë që ta gjesh.» (1 Kronikave 28:9) Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmojnë me kënaqësi ta kërkosh dhe ta gjesh Perëndinë e padukshëm.