«Dëgjoja me zemër të ngrirë zhurmën e çdo makine që kalonte. Kjo ishte hera e tretë që Xhordani nuk kthehej në orarin që i kishim caktuar. Pyesja veten: ‘Ku është? Mos i ka ndodhur gjë? A do t’ia dijë që jemi bërë merak?’ Kur erdhi, isha gati të shpërtheja.»—XHORXHI.

«Vajza bërtiti me të madhe, dhe kjo më alarmoi. U ktheva dhe e pashë tek qante me kokën ndër duar. Vëllai i saj katërvjeçar sapo e kishte goditur.»—NIKOLA.

«‘Nuk e vodha unazën. E gjeta!’—tha Natalia, vajza jonë gjashtëvjeçare, me sytë e saj bojëqielli dhe të mëdhenj që e bënin të dukej si e pafajshme. Mohimi i saj këmbëngulës na lëndoi aq shumë sa qamë. E dinim se po gënjente.»—STEFANI.

NËSE je prind, a je ndier edhe ti kështu? Kur përballesh me situata të ngjashme, a pyet veten se në ç’mënyrë—a madje nëse—duhet ta disiplinosh fëmijën? A është e gabuar t’i disiplinosh fëmijët?

ÇFARË ËSHTË DISIPLINA?

Në Bibël, fjala «disiplinë» nuk është thjesht ekuivalent i fjalës ndëshkim. Disiplina lidhet kryesisht me mësimin, edukimin dhe ndreqjen. Nuk lidhet kurrë me abuzimin ose mizorinë.—Proverbat 4:1, 2.

Disiplina prindërore mund të krahasohet me kopshtarinë. Një kopshtar punon tokën, e vadit dhe e plehëron bimën, si edhe e mbron nga insektet e barërat e këqija. Ndërsa bima rritet, kopshtarit mund t’i duhet ta krasitë që ta ndihmojë të rritet në drejtimin e duhur. Ai e di se një kombinim i kujdesshëm i teknikave të ndryshme, do ta ndihmojë bimën të rritet e shëndetshme. Po ashtu, prindërit kujdesen për fëmijët në shumë mënyra. Por, ndonjëherë, lind nevoja për disiplinë—e cila, ashtu si krasitja, mund të ndreqë që në fillim prirjet e gabuara dhe t’i ndihmojë fëmijët të rriten në drejtimin e duhur. Megjithatë, krasitja duhet bërë me kujdes, përndryshe bima mund të pësojë dëme të përhershme. Në mënyrë të ngjashme, disiplina prindërore duhet dhënë me kujdes e dashuri.

Perëndia i Biblës, Jehovai, lë një shembull të shkëlqyer për prindërit. Disiplina që u jep adhuruesve të bindur në tokë, është kaq e efektshme dhe e dëshirueshme, sa ata fillojnë ‘ta duan disiplinën’. (Proverbat 12:1) ‘E rrokin disiplinën’ dhe ‘nuk e lënë të ikë’. (Proverbat 4:13) Edhe ti mund ta ndihmosh fëmijën të reagojë pozitivisht, duke imituar me kujdes tri elemente kyçe të disiplinës së Perëndisë: ajo është (1) e dashur, (2) e arsyeshme dhe (3) e pandryshueshme.

DISIPLINË E DASHUR

Dashuria është edhe baza, edhe motivimi i disiplinës së Perëndisë. Bibla thotë: «Jehovai qorton atë që do, sikurse bën një atë me birin që i  pëlqen.» (Proverbat 3:12) Për më tepër, Jehovai është «i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt». (Dalja 34:6) Prandaj, ai nuk tregohet kurrë abuzues ose mizor. As nuk përdor fjalë të vrazhda, kritikë të vazhdueshme ose sarkazëm lënduese, pasi të gjitha janë si «goditje shpate».—Proverbat 12:18.

DËGJO

Kuptohet, prindërit nuk mund ta imitojnë plotësisht vetëkontrollin e përsosur që shfaq Perëndia. Ndonjëherë thuajse të soset durimi, por gjatë kohëve veçanërisht të vështira, mos harro kurrë se ndëshkimi nga zemërimi është gjithmonë tiranik, i tepruar dhe ka efekt të kundërt. Për më tepër, ndëshkimi që motivohet nga zemërimi ose acarimi nuk është aspak disiplinë. Është thjesht humbje vetëkontrolli.

Nga ana tjetër, kur disiplinon me dashuri dhe vetëkontroll, ka gjasa të kesh rezultate më të mira. Shqyrto si vepruan Xhorxhi dhe Nikola, dy nga prindërit që përmendëm në fillim.

LUTU

«Kur Xhordani më në fund u kthye, unë dhe gruaja po zienim përbrenda, por e ruajtëm gjakftohtësinë teksa dëgjonim shpjegimin e tij. Meqë ishte shumë vonë, vendosëm të flisnim në mëngjes. U lutëm të gjithë bashkë dhe shkuam të flinim. Të nesërmen, ishim më në gjendje ta diskutonim çështjen me qetësi dhe t’i preknim zemrën djalit. Ai i pranoi me gatishmëri kufizimet që i vumë dhe mbajti përgjegjësi për sjelljen e tij. E kuptuam se kur reagon menjëherë në zemërim e sipër, kjo ka efekt të kundërt. Kur në fillim dëgjonim, zakonisht gjërat dilnin për mirë.»—Xhorxhi.

FOL

«U xhindosa kur pashë djalin që e lëndoi të motrën pa asnjë arsye. Në vend që të reagoja menjëherë, e çova te dhoma e tij, sepse isha shumë e zemëruar për të marrë një vendim me mendje të kthjellët. Më vonë, kur isha e qetë, i shpjegova prerazi se dhuna nuk është e pranueshme dhe i tregova sa e kishte lënduar të motrën. Kjo metodë funksionoi mirë. Ai i kërkoi falje asaj dhe e përqafoi.»—Nikola.

Po, disiplina e duhur, edhe kur përfshin ndëshkim, motivohet gjithnjë nga dashuria.

DISIPLINË E ARSYESHME

Jehovai disiplinon gjithmonë «në masën e duhur». (Jeremia 30:11; 46:28) Ai i merr parasysh të gjitha rrethanat, përfshirë edhe ato që nuk janë të dukshme. Si mund të veprojnë njësoj edhe prindërit? Stefani, i cituar në fillim të artikullit,  shpjegon: «Megjithëse ishim aq të lënduar dhe nuk e kuptonim dot pse Natalia mohonte me këmbëngulje që nuk e kishte vjedhur unazën, ne u përpoqëm të merrnim parasysh moshën dhe pjekurinë e saj.»

Edhe burri i Nikolës, Roberti, përpiqet të marrë në konsideratë të gjitha rrethanat. Kur fëmijët sillen keq, ai e pyet vazhdimisht veten: «A është hera e parë që ndodh, apo është një tipar negativ i vazhdueshëm i fëmijës? A është i lodhur ose mbase nuk ndihet mirë? A është kjo sjellje simptomë e një problemi tjetër?»

Gjithashtu, prindërit e arsyeshëm nuk harrojnë se fëmija nuk është një i rritur në miniaturë. Apostulli i krishterë Pavël e pranoi këtë kur shkroi: «Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë.» (1 Korintasve 13:11) Roberti thotë: «Diçka që më ndihmon të kem këndvështrimin e duhur dhe të mos acarohem shumë, është t’i kujtoj vetes se çfarë bëja unë kur isha i vogël.»

Është jetësore të tregohesh realist dhe të mos presësh shumë. Në të njëjtën kohë, mos i justifiko ose mos i tolero sjelljet a qëndrimet e gabuara. Kur merr parasysh aftësitë, kufizimet e fëmijës dhe rrethana të tjera, do të sigurohesh se disiplina është e ekuilibruar dhe e arsyeshme.

DISIPLINË E PANDRYSHUESHME

«Unë jam Jehovai, dhe s’kam ndryshuar»,—thotë Malakia 3:6. Shërbëtorët e Perëndisë mbështeten te kjo e vërtetë, e cila i bën të ndihen të sigurt. Edhe fëmijët kanë nevojë të ndiejnë sigurinë që jep një disiplinë e pandryshueshme. Nëse normat e tua ndryshojnë në varësi të humorit, fëmija mund të pështjellohet ose të acarohet.

Mos harro çfarë tha Jezui: «Nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’, dhe nëse thoni ‘Jo’, le të jetë ‘Jo’.» Këto fjalë zbatohen mirë për prindërit. (Mateu 5:37) Mendohu mirë para se të japësh ultimatume, të cilave nuk ke ndër mend t’u përmbahesh. Nëse e paralajmëron fëmijën se do të marrë një disiplinë të caktuar po të sillet keq, sigurohu që kjo të ndodhë.

Komunikimi i mirë mes prindërve është thelbësor për një disiplinë të pandryshueshme. Roberti shpjegon: «Nëse fëmijët arrijnë të marrin miratimin tim për diçka që gruaja ua ka ndaluar dhe unë e kuptoj më vonë këtë, e kthej mbrapsht vendimin që të mbështes gruan.» Nëse prindërit nuk bien dakord se si ta trajtojnë një situatë, është më mirë t’i diskutojnë privatisht mendimet e ndryshme dhe të arrijnë në një vendim të përbashkët.

DISIPLINA ËSHTË THELBËSORE

Nëse e imiton disiplinën e dashur, të arsyeshme dhe të pandryshueshme të Jehovait, të jesh i sigurt se fëmijët do të nxjerrin dobi nga përpjekjet e tua. Drejtimi yt i dashur mund t’i ndihmojë fëmijët të bëhen të pjekur, të përgjegjshëm dhe të ekuilibruar kur të rriten. Edhe Bibla thotë: «Stërvite djalin në udhën e drejtë. Edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.»—Proverbat 22:6.