Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 TEMA KRYESORE | PIKËPAMJA E PERËNDISË PËR DUHANIN

Një epidemi globale

Një epidemi globale

Duhani është një vrasës i pamëshirshëm.

  • Vrau 100.000.000 njerëz gjatë shekullit të kaluar.

  • U merr jetën rreth 6.000.000 personave në vit.

  • Mesatarisht, vret një person çdo gjashtë sekonda.

Dhe nuk ka asnjë shenjë ndryshimi për mirë.

Sipas përllogaritjeve të autoriteteve, nëse vazhdohet me këtë ritëm, rreth vitit 2030, numri i vdekjeve në vit nga duhani do të jetë më i madh se 8.000.000. Gjithashtu, ata parashikojnë se në fund të shekullit të 21-të, duhani do të ketë marrë 1.000.000.000 jetë.

Viktima të duhanit nuk janë vetëm ata që e pinë. Këtu përfshihen familjarët që vuajnë nga humbja emocionale dhe financiare, si edhe 600.000 joduhanpirësit që vdesin çdo vit, ngaqë thithin tym të dorës së dytë. Dhe, kur vjen puna te shpenzimet shëndetësore gjithnjë e më të larta, ai bëhet barrë për të gjithë.

Ndryshe nga epidemitë që i futin mjekët në punë për të gjetur një kurë, kjo plagë është më se e kurueshme, dhe zgjidhja dihet mirë. Dr. Margaret Çani, drejtoreshë e përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha: «Epidemia e duhanit ka ardhur krejtësisht nga njeriu, dhe mund të përmirësohet ndjeshëm nëpërmjet përpjekjeve të përqendruara të qeverive dhe të shoqërisë civile.»

Reagimi ndërkombëtar për të luftuar këtë problem shëndetësor, ka qenë i paprecedent. Deri në gusht të 2012-s, rreth 175 vende kanë rënë dakord të marrin masa për frenimin e përdorimit të duhanit. * Megjithatë, pas gjendjes alarmante të kësaj pandemie, qëndrojnë forca të fuqishme. Çdo vit, industria e duhanit shpenzon miliarda dollarë për reklama, që të tërheqë klientë të rinj, veçanërisht gra dhe grup-mosha të reja që jetojnë në vendet në zhvillim. Varësia ndaj duhanit thuajse garanton se numri i viktimave do të mbetet i lartë ndër një miliard duhanpirësit që tashmë kanë rënë pre e tij. Nëse duhanpirësit e tanishëm nuk e lënë duhanin, numri i vdekjeve do të rritet ndjeshëm katër dekadat e ardhshme.

Reklamimi dhe varësia i mbajnë shumë veta në grackën e një vesi, prej të cilit do të donin të çliroheshin. Një prej tyre ishte Naokoja. Ajo e filloi duhanin që adoleshente. Mënyra si portretizohej ky ves në media, e bënte të ndihej person me klas. Megjithëse të dy prindërit i vdiqën nga kanceri i mushkërive, ajo nuk e la duhanin, madje edhe teksa rriste dy vajzat e saj. Ajo thotë: «Kisha frikë se mos më shfaqej kanceri në mushkëri dhe merakosesha për shëndetin e fëmijëve, por prapëseprapë nuk e lija dot duhanin. Mendoja se nuk do të arrija kurrë ta lija.»

Por në fakt, Naokoja e la. Forcën për ta lënë, e gjeti tek i njëjti burim që ka ndihmuar miliona veta t’u shpëtojnë kthetrave të duhanit. Cili është ky burim? Të lutemi, vazhdo të lexosh.

^ par. 11 Këtu përfshihet ndërgjegjësimi për rreziqet e pirjes së duhanit, kufizimi i marketingut të kësaj industrie, rritja e taksave të duhanit dhe krijimi i programeve për t’i ndihmuar njerëzit ta lënë.