Më poshtë tregohet një bisedë tipike që një Dëshmitar i Jehovait bën me dikë. Le të përfytyrojmë sikur një Dëshmitar që quhet Artan ka shkuar të predikojë në shtëpinë e një burri me emrin Tom.

BESIMI TE JEZUI ËSHTË THELBËSOR

Artani: Ç’kemi Tom? Gëzohem që të takoj prapë.

Tomi: Gjithashtu.

Artani: Të solla numrat e fundit të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Besoj se do të të pëlqejnë vërtet.

Tomi: Faleminderit! Në fakt, jam i kënaqur që erdhe sot, sepse dua të të pyes për diçka.

Artani: Patjetër, për çfarë?

Tomi: Dje po flisja me një koleg. I tregova për botimet që më solle dhe për temat e tyre interesante. Por ai më tha se nuk duhet t’i lexoj, ngaqë Dëshmitarët e Jehovait nuk besojnë te Jezui. A është e vërtetë? I thashë se do të të pyesja kur të të takoja përsëri.

Artani: Më vjen mirë që më pyete mua dhe jo dikë tjetër. Në fund të fundit, s’ka mënyrë më të mirë për të ditur çfarë beson një person sesa të pyesësh atë vetë.

Tomi: Këtë mendova edhe unë.

Artani: E vërteta është se Dëshmitarët e Jehovait besojnë te Jezui. Në fakt, ne mendojmë se besimi te Jezui është jetësor për të shpëtuar.

Tomi: Edhe unë kështu mendoja, por kur kolegu më tha se ju nuk besoni, u bëra kureshtar. S’besoj se kemi folur më përpara për këtë.

Artani: A mund të të tregoj disa vargje biblike që theksojnë sa e rëndësishme është të tregojmë besim te Jezui? Këto janë vargje që Dëshmitarët e Jehovait i përdorin shpesh në predikim.

Tomi: Pse jo?!

Artani: Mënyra më e mirë për të filluar, është me vetë fjalët e Jezuit te Gjoni 14:6. Këto fjalë janë pjesë e një bisede mes Jezuit dhe një prej apostujve. Aty lexojmë: «Jezui i tha: ‘Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.’» Sipas këtij vargu, cila është mënyra e vetme për t’iu afruar Atit?

Tomi: Nëpërmjet Jezuit.

Artani: Tamam. Dhe Dëshmitarët e Jehovait e besojnë vërtet këtë. Nëse më lejon të të pyes: nga ajo që di për kërkesat e Perëndisë, kur dikush lutet, në emër të kujt duhet të lutet?

Tomi: Në emër të Jezuit.

Artani: Pikërisht. Ja pse çdo lutje e bëj në emër të Jezuit. Të gjithë Dëshmitarët e Jehovait luten në emër të tij.

Tomi: Interesante!

Artani: Një shkrim tjetër që mund të shohim është Gjoni 3:16. Ky varg është kaq i rëndësishëm sa është quajtur edhe ungjilli në miniaturë. Ai përmbledh më së miri gjithçka që është shkruar për jetën dhe shërbimin e Jezuit në tokë. Mbase dëshiron ta lexosh ti këtë shkrim.

Tomi: Në rregull. Shkrimi thotë: «Sepse Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të  vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»

Artani: Faleminderit! A e ke dëgjuar ndonjëherë këtë varg?

Tomi: Po, e kam dëgjuar shpesh në kishë.

Artani: Është një varg shumë i njohur. Po ta shohim me kujdes, Jezui tha se njerëzit mund të kenë jetë të përhershme falë dashurisë së Perëndisë—por vetëm nëse bëjmë çfarë?

Tomi: Vetëm nëse tregojmë besim.

Artani: Po, dhe në mënyrë më specifike: nëse tregojmë besim te Biri i vetëmlindur, Jezu Krishti. Kjo pikë—që besimi te Jezui i hap rrugën jetës së përhershme—tregohet qartë këtu në faqen 2 të revistës që të solla. Duke nxjerrë në pah qëllimin e Kullës së Rojës, ndër të tjera, kjo revistë «nxit besimin te Jezu Krishti, i cili vdiq që të marrim jetën e përhershme dhe tani sundon si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë».

Tomi: Ja ku qenka! Pikërisht në revistën tuaj gjendet prova se Dëshmitarët e Jehovait besojnë te Jezui.

Artani: Ashtu është.

Tomi: Po pse thonë të tjerët se ju nuk besoni te Jezui?

Artani: Mund të ketë disa arsye. Në disa raste, njerëzit shprehen në këtë mënyrë ngaqë kështu u kanë thënë të tjerët. Ose, këtë koncept të gabuar mund t’ua ketë mësuar prifti i tyre.

Tomi: Tani që po e mendoj, mbase disa thonë se ju nuk besoni te Jezui, ngaqë quheni Dëshmitarë të Jehovait, jo Dëshmitarë të Jezuit.

Artani: Edhe kjo mund të jetë një arsye.

Tomi: Pse flisni kaq shumë për Jehovain?

«UNË UA KAM BËRË TË NJOHUR EMRIN TËND»

Artani: Një arsye është se ne besojmë që është e rëndësishme ta përdorim emrin e Perëndisë, Jehova—ashtu siç bënte edhe Biri i tij, Jezui. Shqyrto çfarë i tha Jezui në lutje Atit të tij te Gjoni 17:26. A mund ta lexosh, të lutem?

Tomi: Patjetër. «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd dhe do ta bëj të njohur, që ata të shfaqin atë dashuri që ti ke treguar për mua, dhe unë të jem në unitet me ta.»

Artani: Faleminderit! Siç e sheh, Jezui e bëri të njohur emrin e Perëndisë. Si mendon, pse e bëri këtë?

Tomi: Hmm. Nuk e di.

Besimi te Jezui është jetësor për të shpëtuar

Artani: Ndoshta mund të shohim një shkrim tjetër që hedh dritë mbi këtë. Po mendoja për Veprat 2:21. Aty thuhet: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» Me siguri edhe ti mendon se, nëse thirrja e emrit të Jehovait është një kërkesë për shpëtim, atëherë s’ka dyshim se Jezui ishte në dijeni të kësaj kërkese.

Tomi: Po, patjetër.

Artani: Pra, Jezui donte që dishepujt e tij të shpëtonin. Ja pse e pa të rëndësishme që ata ta dinin dhe ta përdornin emrin e Perëndisë. Dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse flasim kaq shumë për Jehovain. Mendojmë se është e rëndësishme ta bëjmë të njohur emrin e Perëndisë dhe t’i ndihmojmë të tjerët ta thërrasin këtë emër.

Tomi: Por edhe nëse të tjerët nuk e dinë ose nuk e përdorin drejtpërdrejt emrin e Perëndisë, prapëseprapë e dinë për kë po flasin kur i referohen Perëndisë.

Artani: Kjo mund të jetë e vërtetë. Megjithatë, duke na e treguar emrin e tij, Perëndia na e ka bërë më të lehtë t’i afrohemi.

Tomi: Çfarë do të thuash me këtë?

Artani: Mendo pak: ne nuk kishim pse ta dinim emrin e Moisiut. Mund ta kishim njohur  thjesht si njeriu që ndau Detin e Kuq ose ai që mori Dhjetë Urdhërimet. Po emrin e Noesë, pse duhet ta dinim? Mund t’i ishim referuar thjesht si ai që ndërtoi arkën dhe shpëtoi familjen e tij bashkë me kafshët. Madje edhe Jezu Krishtin mund ta kishim njohur thjesht si ai që erdhi nga qielli dhe vdiq për mëkatet tona, apo jo?

Tomi: Ashtu është.

Artani: Por Perëndia u sigurua që ne t’i dinim emrat e këtyre individëve. Tani që i dimë emrat e tyre, tregimet janë më reale për ne. Ndonëse nuk e kemi takuar kurrë Moisiun, Noenë ose Jezuin, thjesht kur u dimë emrat, këta burra bëhen më realë për ne.

Tomi: S’e kisha menduar kurrë më parë këtë, por duket logjike.

Artani: Kjo është një arsye tjetër pse Dëshmitarët e Jehovait e përdorin kaq shumë emrin e Perëndisë. Duam t’i ndihmojmë njerëzit të kenë besim te Perëndia Jehova dhe ta shohin si Person real, të cilit mund t’i afrohen. Në të njëjtën kohë, i japim rëndësi shumë të madhe rolit që ka Jezui për shpëtimin tonë. Ndoshta mund të lexojmë edhe një shkrim tjetër që e sqaron mirë këtë pikë.

Tomi: Sigurisht.

Artani: Pak më parë lexuam Gjonin 14:6, ku Jezui thotë se ai është «udha, e vërteta dhe jeta». Të shkojmë ca vargje më sipër dhe të lexojmë Gjonin 14:1. A mund ta lexosh çfarë tha Jezui te pjesa e fundit e këtij vargu?

Tomi: Patjetër. Ai thotë: «Tregoni besim te Perëndia, tregoni besim edhe tek unë.»

Artani: Faleminderit! Pra, a do të thoshe se besimi i vërtetë është një çështje zgjedhjeje: ose të besojmë te Jezui, ose te Jehovai?

Tomi: Jo, Jezui tha se janë të nevojshme të dyja.

Artani: Tamam. Dhe jam i sigurt që je dakord se nuk mjafton vetëm të themi që kemi besim te Perëndia dhe te Jezui. Duhet edhe të jetojmë sipas asaj që besojmë.

Tomi: Pa diskutim!

Artani: Por, si tregon dikush se ka vërtet besim te Perëndia dhe te Jezui? Mbase këtë pyetje mund ta shohim një herë tjetër. *

Tomi: Pse jo?! Do të të më pëlqente.

A keni pyetje për ndonjë temë biblike? A jeni kureshtar për ndonjë bindje ose praktikë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait? Nëse po, mos ngurroni të flitni për këto herën tjetër që do të takoni një Dëshmitar të Jehovait. Ai ose ajo do të bisedojë me kënaqësi për këto çështje.

^ par. 60 Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 12, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.