«Feja i bashkon apo i përçan njerëzit?» Kjo pyetje iu bë lexuesve të gazetës The Sydney Morning Herald. Shumica dërrmuese e atyre që u përgjigjën —rreth 89 për qind—mendonin se feja i përçan njerëzit.

MIRËPO, ata që përkrahin bashkëpunimin mes feve e mendojnë krejt ndryshe. Ibu Pateli, themeluesi i Qendrës Ndërfetare të të Rinjve ngriti pyetjen: «Më tregoni një fe që s’do t’ia dijë për dhembshurinë . . . , që s’do t’ia dijë për përkujdesjen ndaj mjedisit . . . , që s’do t’ia dijë për mikpritjen.»

Faktikisht, budistë, katolikë, protestantë, hinduistë, myslimanë e shumë të tjerë, ndonjëherë i kanë bashkuar forcat që të luftojnë varfërinë, janë përfshirë në fushata për të drejtat e njeriut, kanë punuar për ndalimin e minave tokësore ose e kanë drejtuar vëmendjen ndaj problemeve të mjedisit. Fe të ndryshme janë mbledhur për të diskutuar se si të nxitin mirëkuptim dhe inkurajim të ndërsjellë. Ato i festojnë ndryshimet mes tyre me ceremoni ku ndezin qirinj, me festivale, muzikë, lutje etj.

A është përzierja e feve mënyra për të shëruar konfliktet mes tyre? A është bashkëpunimi mes feve rruga e Zotit për të sjellë një botë më të mirë?

UNITET—ME ÇFARË ÇMIMI?

Një nga organizatat më të mëdha ndërfetare mburret se ka anëtarë të 200 feve të ndryshme dhe se është aktive në 76 vende. Objektivi i saj i deklaruar është «të nxitë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të përditshëm mes feve». Megjithatë, kjo ka qenë më e lehtë të thuhet se të bëhet. Për shembull, sipas organizatorëve, statuti i tyre u desh të hartohej me kujdes që të mos fyente fetë dhe grupet e shumta indigjene që firmosën këtë dokument. Pse? Një arsye ishte se kishte mosmarrëveshje nëse duhej përfshirë në statut Zoti. Si rrjedhim, u shmang çdo referim ose përmendje e Perëndisë.

Nëse Zoti lihet jashtë, ç’rol luan besimi? Për më tepër, si ndryshon kjo lëvizje ndërfetare nga çfarëdo organizate jofetare bamirëse ose filantropike? Ja pse organizata e përmendur më sipër nuk e quan veten një ent fetar, por «një organizatë që nxit bashkëpunimin».

A MJAFTON VETËM TË NXITËSH CILËSI TË MIRA?

Dalai Lama, një përkrahës i shquar i bashkëpunimit mes feve thotë: «Të gjitha traditat kryesore fetare në thelb përcjellin të njëjtin mesazh: domethënë dashurinë, dhembshurinë dhe faljen.» Ai shton: «E rëndësishme është që këto cilësi të jenë pjesë e jetës sonë të përditshme.»

Patjetër, nuk duhet nënvlerësuar aspak vlera e virtyteve të tilla, si dashuria, dhembshuria dhe falja. Jezui tha këto fjalë në atë që është quajtur  Rregulla e Artë: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) Por, a nënkupton besimi i vërtetë thjesht të nxitësh cilësi të mira?

Apostulli Pavël tha diçka për ata që pohonin se i shërbenin Zotit në kohën e tij: «Unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë.» Cili ishte problemi? Pavli tha se ata ‘meqë nuk e njihnin drejtësinë e Perëndisë, kërkonin të vendosnin të vetën’. (Romakëve 10:2, 3) Ngaqë nuk kishin njohuri të saktë se çfarë donte Zoti që të bënin, atëherë zelli, e po ashtu edhe besimi i tyre, ishin faktikisht të kotë.—Mateu 7:21-23.

PIKËPAMJA E BIBLËS PËR BASHKËPUNIMIN MES FEVE

«Lum paqebërësit»,—tha Jezui. (Mateu 5:9) Jezui e praktikonte atë që predikonte duke nxitur një mesazh kundër dhunës dhe duke u dhënë një mesazh paqeje njerëzve me prejardhje të ndryshme fetare. (Mateu 26:52) Ata që i përgjigjeshin këtij mesazhi, krijonin mes tyre një lidhje të pathyeshme dashurie. (Kolosianëve 3:14) Por, a kishte si qëllim Jezui thjesht të krijonte ura komunikimi mes njerëzve të prejardhjeve të ndryshme që të jetonin në paqe me njëri-tjetrin? A u përfshi në zakonet e tyre fetare?

Udhëheqësit fetarë të sektit të farisenjve dhe të saducenjve iu kundërvunë me egërsi Jezuit, madje u përpoqën ta vritnin. Si reagoi ai? Jezui u tha dishepujve: «Mos u merrni me ta. Ata s’janë veçse udhërrëfyes të verbër.» (Mateu 15:14) Jezui nuk nxiti ndonjë partneritet fetar me individë të tillë.

Ca kohë më vonë, u formua një kongregacion i krishterë në Korint të Greqisë, qytet i njohur për kulturën e tij pluraliste dhe multifetare. Si duhet të silleshin të krishterët në atë ambient? Apostulli Pavël tregoi qartë se ata s’duhej të merrnin pjesë në adhurim me të tjerët kur shkroi: «Sepse ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën? Ç’harmoni ka mes Krishtit dhe Belialit [ose Satanait]?» Pastaj ai u dha këtë këshillë: «Prandaj, dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni.»—2 Korintasve 6:14, 15, 17.

Është e qartë pra, se Bibla është kundër bashkëpunimit mes feve. Por, ti mund të pyesësh: «Atëherë, si mund të arrihet uniteti i vërtetë?»

SI NDËRTOHET UNITETI I VËRTETË?

Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar—një mrekulli e teknologjisë që rrotullohet në orbitë rreth tokës—është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të 15 kombeve. A mendon se do të arrihej kjo gjë nëse kombet pjesëmarrëse nuk do të kishin rënë dakord se çfarë modeli të përdornin?

Në thelb, kjo është situata me lëvizjen e sotme ndërfetare. Megjithëse nxitet bashkëpunimi dhe respekti, pjesëmarrësit nuk bien dakord për ndonjë model të përbashkët për të ndërtuar besimin. Për pasojë, çështjet morale dhe doktrinale shkaktojnë përçarje më shumë se kurrë.

Bibla përmban standardet e Perëndisë që janë si një model. Mund të ndërtojmë jetën mbi atë që thotë Bibla. Ata që e kanë bërë të tyren kanë mposhtur paragjykimet raciale dhe fetare e kanë mësuar të bashkëpunojnë në paqe dhe unitet. Zoti e paratha këtë me këto fjalë: «Do t’ua ndryshoj popujve gjuhën në një gjuhë të kulluar, që të gjithë të thërrasin emrin e Jehovait e t’i shërbejnë atij sup më sup.» Rezultati i ‘gjuhës së kulluar’ ose i standardit të Perëndisë për adhurimin është uniteti.—Sofonia 3:9; Isaia 2:2-4.

Dëshmitarët e Jehovait të ftojnë përzemërsisht të vizitosh një Sallë Mbretërie që e ke afër, që të shohësh me sytë e tu paqen dhe unitetin e jashtëzakonshëm që ekziston mes tyre.—Psalmi 133:1.