Bibla dokumenton disa raste tronditëse të shtypjes së të dobëtve. Për shembull, i tillë ishte edhe rasti i Nabotit. * Akabi, mbreti i Izraelit në shekullin e dhjetë p.e.s., e lejoi të shoqen, Jezebelën, të vriste Nabotin dhe djemtë e tij vetëm e vetëm që t’i merrte vreshtin. (1 Mbretërve 21:1-16; 2 Mbretërve 9:26) Pse e lejoi Perëndia këtë abuzim flagrant të autoritetit?

«Perëndia . . . nuk mund të gënjejë.»—Titit 1:2

Le të përqendrohemi në një arsye të rëndësishme: Perëndia nuk mund të gënjejë. (Titit 1:2) Ç’lidhje ka kjo me shtypjen çnjerëzore? Që në fillim, Perëndia e paralajmëroi njerëzimin se rebelimi ndaj tij do të sillte një pasojë të hidhur: vdekjen. Tamam siç tha Perëndia, vdekja ka qenë pjesë e pandashme e njerëzimit që në kohën e rebelimit në kopshtin e Edenit. Në fakt, njeriu i parë që vdiq, Abeli, të cilin e vrau i vëllai, Kaini, vdiq si pasojë e shtypjes.—Zanafilla 2:16, 17; 4:8.

Që nga ajo kohë, Fjala e Perëndisë e përmbledh me këto fjalë historinë e njerëzimit: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.» (Eklisiastiu 8:9) A kanë dalë të vërteta këto fjalë? Jehovai e paralajmëroi kombin e Izraelit, popullin e tij, se mbretërit do t’i shtypnin dhe si rrjedhojë do t’i thërritnin Perëndisë. (1 Samuelit 8:11-18) Edhe mbreti i mençur Solomon u vuri taksa të rënda. (1 Mbretërve 11:43; 12:3, 4) Mbretërit e ligj, si Akabi, ishin akoma më tiranikë. Mendo: nëse Perëndia nuk do ta kishte lejuar fare këtë lloj sundimi, a nuk do të kishin dalë të gënjeshtërta vetë fjalët e tij?

«Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.»—Eklisiastiu 8:9

Ki parasysh edhe se Satanai thotë se njerëzit i shërbejnë Perëndisë për arsye egoiste. (Jobi 1:9, 10; 2:4) Nëse Perëndia do t’i mbronte gjithë shërbëtorët e tij nga çdo formë sundimi, a nuk do të përforconte kështu akuzat e Satanait? Dhe nëse Perëndia do t’i ndalonte të gjitha format e shtypjes për këdo, a nuk do të ishte përgjegjës për një gënjeshtër edhe më të madhe? Me këtë lloj mbrojtjeje, shumë mund të mendonin se njerëzit vetëqeverisen më së miri pa ndihmën e Perëndisë. Por, Fjala e Perëndisë thotë të kundërtën: njeriu nuk është aspak i aftë të vetëqeveriset. (Jeremia 10:23) Kemi nevojë të vijë Mbretëria e Perëndisë; vetëm atëherë do të marrin fund padrejtësitë.

Por, a do të thotë kjo se Perëndia nuk bën asgjë për të zgjidhur problemin e shtypjes? Jo. Shqyrto dy gjëra që bën ai: së pari, tregon hapur të vërtetën për tiraninë. Për shembull, Fjala e tij zbulon çdo aspekt të komplotit të Jezebelës kundër Nabotit. Më tej, Bibla zbulon se këto vepra të liga i nxit një sundimtar i fuqishëm që e fsheh identitetin e tij të vërtetë. (Gjoni 14:30; 2 Korintasve 11:14) Bibla e demaskon atë si Satana Djalli. Duke demaskuar ligësinë dhe shtypjen, si edhe burimin e tyre të vërtetë, Perëndia na ndihmon të mos bëhemi të ligj. Kështu, ai mbron të ardhmen tonë të përhershme.

Së dyti, Perëndia na jep një shpresë të sigurt se do t’i japë fund shtypjes. Mënyra si demaskoi, gjykoi dhe dënoi Akabin e Jezebelën, si edhe shumë të tjerë si ata, na siguron se premtimi i tij për t’i ndëshkuar të gjithë keqbërësit do të përmbushet. (Psalmi 52:1-5) Perëndia na jep edhe shpresë të besueshme se, për hir të atyre që e duan, do të zhbëjë së shpejti pasojat e ligësisë. * Do të vijë një kohë kur Naboti besnik dhe djemtë e tij do të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore e të drejtë.—Psalmi 37:34.

^ par. 3 Shih artikullin e kësaj reviste «Imitoni besimin e tyre».

^ par. 8 Shih kapitullin 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.