Një shekull më parë, miliona të rinj lanë vatrën e sigurt familjare dhe shkuan në luftë. U nisën tërë zell, të përpirë nga euforia e patriotizmit. «Po fluturoj nga gëzimi për ditët e mrekullueshme që na presin»,—shkroi një ushtar amerikan më 1914.

Por s’kaloi shumë dhe entuziazmi u kthye në indinjatë. Askujt nuk ia merrte mendja se ato ushtri të panumërta do të rropateshin për vite të tëra baltërave të Belgjikës dhe të Francës. Në ato kohë, shumë veta e quajtën «Lufta e Madhe». Sot njihet si Lufta e Parë Botërore.

Lufta e Parë Botërore ishte pa dyshim e madhe për sa i përket numrit të viktimave. Sipas disa llogaritjeve, rreth 10 milionë veta vdiqën dhe 20 milionë u gjymtuan. Gjithashtu, ajo erdhi si pasojë e gabimeve trashanike. Burrat e shtetit në Evropë nuk qenë të zotë t’i frenonin tensionet ndërkombëtare që të mos përshkallëzoheshin në një konflikt global. Ç’është më e rëndësishmja, «Lufta e Madhe» la vraga të mëdha. Ndryshimet që solli në botë, ndikojnë te ne edhe sot e kësaj dite.

 GABIME QË SHEMBËN BESIMIN

Lufta e Parë Botërore shpërtheu ngaqë nuk i gjykuan mirë gjërat. Krerët e Evropës vepruan si një «brez somnambulësh që gjatë verës së paqtë të 1914-s ecën në buzë të gjëmës dhe si pa e kuptuar u rrëzuan»,—shpjegon një vepër (The Fall of the Dynasties—The Collapse of the Old Order 1905-1922).

Brenda pak javësh, vrasja e një arkiduke austriak i futi të gjitha fuqitë e mëdha evropiane në një luftë që nuk e donin. «Si arritëm deri në këtë pikë?»—e pyetën kancelarin gjerman pak ditë pasi u ndezën gjakrat. «Eh, sikur ta dinte njeri!»—u përgjigj ai gjithë dëshpërim.

Udhëheqësit që morën vendimet historike që çuan në këtë luftë, nuk ia kishin idenë cilat do të ishin pasojat. Por ushtarët në llogore shumë shpejt u përballën me realitetin. Zbuluan se burrat e shtetit i kishin lënë në baltë, klerikët i kishin mashtruar dhe gjeneralët i kishin tradhtuar. Në ç’mënyrë?

Burrat e shtetit i kishin lënë në baltë, klerikët i kishin mashtruar dhe gjeneralët i kishin tradhtuar

Burrat e shtetit premtuan se lufta do të hapte rrugën për një botë të re më të mirë. Kancelari gjerman deklaroi: «Po luftojmë për frytet e punës sonë në kohë paqeje, për trashëgiminë e një të kaluare të lavdishme dhe për të ardhmen tonë.» Presidenti amerikan Udrou Uilson ndihmoi në krijimin e një slogani të famshëm inkurajues që thoshte se kjo luftë «do ta bënte botën një vend të sigurt për demokracinë». Në Britani, njerëzit mendonin se do të ishte «luftë për t’i dhënë fund luftës». E kishin shumë gabim.

Klerikët e mbështetën me zjarr luftën. «Ruajtësit e fjalës së Perëndisë ishin në ballë të korit të luftës. Lufta e përgjithshme u kthye në urrejtje të përgjithshme»,—pohon një libër (The Columbia History of the World). Dhe klerikët, në vend që t’i shuanin flakët e urrejtjes, u frynë më shumë atyre. Në një vepër (A History of Christianity) thuhet: «Klerikët nuk ishin në gjendje dhe, në pjesën më të madhe, nuk deshën të vendosnin besimin e krishterë para nacionalizmit. Shumica ndoqi rrugën më të lehtë dhe e vuri krishterimin në të njëjtin plan me patriotizmin. Ushtarët e krishterë të të gjitha feve u nxitën të vritnin njëri-tjetrin në emër të Shpëtimtarit të tyre.»

Gjeneralët premtuan se fitorja do ishte e shpejtë dhe e lehtë, por nuk ndodhi kështu. Shumë shpejt, ushtritë kundërshtare u gjendën në një rrugë pa krye dhe kjo ishte sfilitëse. Pas kësaj, miliona ushtarë përjetuan atë që një historian e cilëson si «ndoshta tortura masive më e egër që ka duruar trupi dhe shpirti i njeriut». Me gjithë humbjet e llahtarshme, gjeneralët vazhdonin t’i hidhnin ushtarët e tyre në barrikadat me tela me gjemba dhe në mes të bataresë së mitralozëve. S’është çudi që gjithandej shpërthyen revoltat.

Por, si ndikoi Lufta e Parë Botërore te shoqëria? Një vepër historike citon fjalët e një veterani: «Lufta . . . sakatoi mendjen dhe karakterin e një brezi të tërë.» Në të vërtetë, pas luftës, perandori të tëra u fshinë nga faqja e dheut. Ky konflikt tragjik ishte preludi i shekullit më të përgjakshëm që ka njohur njerëzimi. Revolucionet dhe grevat u bënë thuajse një gjë e zakonshme.

Pse e ktheu lufta botën përmbys? Mos vallë ishte veçse një aksident me përmasa vigane? A na zbulojnë ndonjë gjë për të ardhmen përgjigjet e këtyre pyetjeve?