ELIJA po ecte përgjatë luginës së lumit Jordan. Kishte javë që udhëtonte nga mali i largët Horeb për në veri. Kur më në fund mbërriti në Izrael, vuri re ndryshime në vendin e lindjes. Pasojat e thatësirës së gjatë kishin filluar të fashiteshin. Shirat e butë të vjeshtës kishin nisur dhe bujqit ishin jashtë duke lëruar arat. Profeti mund të ketë ndier njëfarë paqeje kur pa se plagët e tokës po shëroheshin, por ata që kishte më tepër merak ishin njerëzit. Ata ishin larguar nga Perëndia. Epidemia e adhurimit të Baalit mbizotëronte ende, kështu që Elija kishte shumë për të bërë. *

Afër qytetit të Abel-Meholahut, Elija pa që kishin nisur një fushatë bujqësore. Kishin mbrehur 24 qe dy e nga dy, dhe 12 pendët po lëronin tokën duke hapur brazda paralele në tokën e ngopur me shi. Pendën e fundit po e drejtonte ai që po kërkonte Elija. Ishte Eliseu, ai që Jehovai kishte zgjedhur si pasues të Elijas. Më parë, ai kishte menduar se ishte i vetmi që i shërbente me besnikëri Perëndisë, prandaj me siguri mezi priste ta takonte Eliseun.—1 Mbretërve 18:22; 19:14-19.

Nga ana tjetër, mos vallë ngurronte pak t’ia delegonte dikujt ca nga përgjegjësitë e tij dhe t’i ndante me të privilegjet? Apo i vinte keq se një ditë ai do t’i zinte vendin? Këtë nuk e dimë; por as mund ta përjashtojmë mundësinë që t’i kenë kaluar nëpër mend këto gjëra. Në fund të fundit, ishte «njeri me ndjenja si tonat». (Jakovi 5:17) Sidoqoftë, Bibla thotë: «Elija . . . shkoi tek ai dhe i hodhi sipër veshjen e vet zyrtare.» (1 Mbretërve 19:19) Veshja zyrtare e Elijas, që ka të ngjarë të ishte prej lëkure deleje ose dhie, mbahej si mantel dhe simbolizonte caktimin e veçantë nga Jehovai. Prandaj, hedhja e saj mbi shpatullat e Eliseut, ishte një gjest kuptimplotë. Elija iu nënshtrua me gatishmëri urdhrit të Jehovait për të emëruar Eliseun si pasues të tij. Elija kishte besim te Perëndia i tij dhe iu bind.

Elija me përulësi e emëroi Eliseun si pasues të tij

Kurse i riu Elise mezi priste ta ndihmonte profetin e moshuar. Ai nuk do ta zëvendësonte menjëherë Elijan. Por, për rreth gjashtë vjet, me përulësi e shoqëroi dhe e ndihmoi profetin e moshuar. Më vonë u bë i njohur si ai që «hidhte ujë mbi duart e Elijas». (2 Mbretërve 3:11) Sa shumë zemër i dha Elijas ky ndihmës i zoti dhe i dobishëm! Ka të ngjarë që të dy u bënë miq të ngushtë. Inkurajimi reciprok me siguri i ndihmoi që të dy të tregonin qëndrueshmëri, edhe pse shihnin padrejtësitë e tmerrshme që mbizotëronin në vend. Në veçanti, mbreti Akab sa vinte e bëhej më i lig.

Po ty, a të bëhen ndonjëherë padrejtësi? Në këtë botë të korruptuar shumicës prej nesh i ndodh. Gjetja e një miku që e do Perëndinë mund të të ndihmojë t’u bësh ballë. Gjithashtu, mund të mësosh shumë nga besimi i Elijas kur has padrejtësi.

«ÇOHU, SHKO TË TAKOSH AKABIN»

Elija dhe Eliseu u përpoqën shumë që ta ndihmonin popullin të kishte një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Me sa duket, morën përsipër të stërvitnin profetë të tjerë, që mund të kenë qenë të organizuar  në ndonjë lloj shkolle. Por, me kalimin e kohës, Elija mori një caktim të ri nga Jehovai: «Çohu, shko të takosh Akabin, mbretin e Izraelit.» (1 Mbretërve 21:18) Çfarë kishte bërë Akabi?

Ai ishte tashmë një apostat, mbreti më i keq që kishte pasur Izraeli deri në atë moment. Ishte martuar me Jezebelën dhe kishte bërë që adhurimi i Baalit të përhapej në vend, madje edhe vetë mbreti ishte ndër adhuruesit e tij. (1 Mbretërve 16:31-33) Në adhurimin e Baalit bëheshin rite pjellorie, prostitucion ritual e madje edhe flijime fëmijësh. Për më tepër, kohët e fundit Akabi nuk i ishte bindur urdhrit të Jehovait për të vrarë Ben-Hadadin, mbretin e lig të Sirisë. Ndoshta nuk i ishte bindur për të përfituar nga ana materiale. (1 Mbretërve, kapitulli 20) Por tani, lakmia, materializmi dhe dhuna e Akabit dhe e Jezebelës kishin arritur kulmin.

Akabi kishte një pallat mbretëror në Samari, dhe ç’ndërtesë kolosale që ishte! Kishte edhe një pallat në Jezreel, rreth 37 km larg. Ngjitur me këtë pallat ndodhej një vresht. Akabi e lakmonte atë copëz toke që i përkiste një burri me emrin Nabot. Akabi e thirri dhe i kërkoi t’ia blinte ose ta shkëmbente. Por Naboti tha: «Duke ditur pikëpamjen e Jehovait, mua nuk më shkon kurrë ndër mend të të jap trashëgiminë e paraardhësve të mi.» (1 Mbretërve 21:3) Mos po tregohej kokëfortë Naboti? Apo kokëkrisur? Shumë janë të këtij mendimi. Por, në të vërtetë, ai po i bindej Ligjit të Jehovait, që nuk i lejonte izraelitët ta shitnin përgjithmonë tokën e trashëguar nga familja. (Levitiku 25:23-28) Nabotit nuk i shkonte kurrë ndër mend të thyente Ligjin e Perëndisë. Ishte njeri me besim dhe i guximshëm, pasi me siguri e dinte sa e rrezikshme ishte ta kundërshtoje Akabin.

Sigurisht, Akabi as që e çoi nëpër mend Ligjin e Jehovait. Shkoi në shtëpi «i ngrysur dhe i brengosur» ngaqë nuk i kishte dalë e tija. Në Bibël lexojmë: «U shtri në shtrat, ktheu kokën mënjanë e nuk hëngri bukë.» (1 Mbretërve 21:4) Kur Jezebela e pa të shoqin që kishte varur buzët si fëmijë kapriçoz, menjëherë kurdisi një komplot për t’ia dhënë atë që donte, dhe me atë rast të shuante një familje të drejtë.

Kur lexon për këtë komplot, vështirë të mos ngelesh gojëhapur nga ligësia e saj. Mbretëresha Jezebelë e dinte se Ligji i Perëndisë kërkonte dëshminë e dy dëshmitarëve që një akuzë e rëndë të merrej për bazë. (Ligji i përtërirë 19:15) Prandaj shkroi letra në emër të Akabit, ua dërgoi burrave me pozitë të Jezreelit që të gjenin dy burra të gatshëm për ta akuzuar në mënyrë të rreme Nabotin për blasfemi, e cila dënohej me vdekje. Mjerisht, plani i saj funksionoi mjaft mirë. Dy burra, «njerëz të pavlerë», dhanë dëshmi të rreme kundër Nabotit dhe si pasojë ai u vra me gurë. Jo vetëm kaq, por edhe djemtë e tij u vranë. * (1 Mbretërve 21:5-14; Levitiku 24:16; 2 Mbretërve 9:26) Në fakt,  Akabi kishte hequr dorë nga autoriteti i tij si kreu i familjes duke e lejuar të shoqen të bënte si i donte qejfi dhe të vriste njerëz të pafajshëm.

Imagjino si është ndier Elija kur Jehovai i tregoi çfarë kishin bërë mbreti dhe mbretëresha. Mund të shkurajohesh shumë kur dëgjon që njerëzit e ligj triumfojnë mbi të pafajshmit. (Psalmi 73:3-5, 12, 13) Sot shohim shpesh padrejtësi të tmerrshme, ndonjëherë edhe nga njerëz me pozitë që thonë se janë përfaqësues të Perëndisë. Por mund të marrim zemër nga ky tregim. Bibla këtu na kujton se Jehovait nuk mund t’i fshehësh asgjë. Ai sheh gjithçka. (Hebrenjve 4:13) Por çfarë bën ai për ligësitë që sheh?

«MË GJETE, O ARMIKU IM?»

Jehovai e dërgoi Elijan tek Akabi. Perëndia i tha qartë: «Ai është në vreshtin e Nabotit.» (1 Mbretërve 21:18) Kur Jezebela i tha Akabit se vreshti tani ishte i tij, ai brofi në këmbë dhe shkoi të kënaqej me pronën e re që kishte përvetësuar. As që i shkoi fare ndër mend që Jehovai po e shihte. Imagjinoni shprehjen e fytyrës ndërsa vinte vërdallë në vresht, duke ëndërruar për kopshtin e mrekullueshëm që do të ndërtonte aty. Por, papritur u shfaq Elija. Akabit i iku çehrja, u vrenjt dhe u nxi nga inati e urrejtja, dhe volli vrer nga goja: «Më gjete, o armiku im?»—1 Mbretërve 21:20.

«Më gjete, o armiku im?»

Fjalët e Akabit zbulojnë dy lloj marrëzish. Së pari, me fjalët «më gjete», Akabi tregoi se nuk kishte menduar për Jehovain. Jehovai e ‘kishte gjetur’ tashmë. E kishte parë që Akabi kishte vendosur me vullnet të plotë të bënte atë që ishte e keqe dhe që gëzonte me rezultatin e komplotit të Jezebelës. Perëndia e shihte çfarë kishte në zemër Akabi. Dashuria e tij për gjërat materiale i kishte eklipsuar çdo ndjenjë mëshire, drejtësie dhe dhembshurie. Së dyti, me fjalët «o armiku im», Akabi zbuloi urrejtjen e tij për dikë që ishte mik i Perëndisë Jehova dhe që mund ta kishte ndihmuar Akabin të largohej nga udha e rrënimit.

Mund të nxjerrim mësime jetësore nga marrëzia e Akabit. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se Perëndia Jehova sheh gjithçka. Si një Atë i dashur, ai e di kur devijojmë nga udha e drejtë dhe mezi pret që ne të ndryshojmë. Për të na ndihmuar, ai përdor shpesh miqtë e tij, njerëz besnikë që, ashtu si Elija, u përçojnë të tjerëve fjalët e Perëndisë. Sa  e gabuar është t’i konsiderosh miqtë e Perëndisë si armiq!—Psalmi 141:5.

Përpiqu të përfytyrosh Elijan që i përgjigjet Akabit: «Të gjeta.» Me këto fjalë donte të thoshte se e dinte që Akabi ishte hajdut, vrasës dhe rebel ndaj Perëndisë Jehova. Ç’guxim duhet t’i jetë dashur për t’u përballur me atë njeri të keq! Më pas, Elija i tha dënimin që do t’i jepte Perëndia. Jehovai e shihte gjithë tablonë e asaj që po ndodhte; familja e Akabit ishte vatra e ligësisë që po infektonte popullin. Ja pse Elija i tha Akabit se Perëndia kishte vendosur ‘t’i vinte fshesën’, domethënë ta zhdukte nga faqja e dheut gjithë atë dinasti. Edhe Jezebela do të binte në duart e drejtësisë.—1 Mbretërve 21:20-26.

Elija nuk supozoi me cinizëm që njerëzit e ligj e të padrejtë ia hedhin pa u lagur. Ky është një supozim që bëhet kollaj në botën e sotme. Ky tregim biblik na kujton jo vetëm që Perëndia Jehova sheh çfarë ndodh, por edhe se ai vë drejtësi në kohën e duhur sipas tij. Fjala e tij na siguron se do të vijë dita kur do t’u japë fund një herë e mirë të gjitha padrejtësive. (Psalmi 37:10, 11) Por ti mund të pyesësh: «A jep vetëm dënime kur gjykon Perëndia? Apo tregon edhe mëshirë?»

«A E KE PARË SE SI U PËRUL AKABI?»

Ndoshta Elija u habit me reagimin e Akabit ndaj gjykimit të Jehovait. Tregimi thotë: «Sapo dëgjoi këto fjalë, Akabi shqeu rrobat dhe u mbulua me copë thesi. Pastaj filloi të agjëronte, shtrihej i veshur me copë thesi dhe ecte kokëvarur.» (1 Mbretërve 21:27) A tregoi kjo se Akabi u pendua për ato që kishte bërë?

Të paktën mund të themi se ishte një hap në drejtimin e duhur. Akabi u përul, dhe kjo ishte sigurisht e vështirë për një njeri krenar dhe arrogant. Por a ishte pendim i vërtetë? Le ta krahasojmë Akabin me Manaseun, një mbret i mëvonshëm që ia kaloi për nga ligësia. Kur Jehovai e ndëshkoi, Manaseu u përul dhe i thirri Jehovait për ndihmë. Por jo vetëm kaq. Ai ktheu rrugë duke zhdukur shëmbëlltyrat e idhujve që kishte ngritur, bëri përpjekje t’i shërbente Jehovait e madje nxiti edhe popullin të vepronte njësoj. (2 Kronikave 33:1-17) A shohim të njëjtën gjë edhe tek Akabi? Mjerisht, jo.

A e pa Jehovai kur Akabi e shfaqi trishtimin para të tjerëve? Jehovai i tha Elijas: «A e ke parë se si u përul Akabi para meje? Meqë u përul për shkakun tim, nuk do ta sjell gjëmën në ditët e tij. Gjëmën mbi shtëpinë e vet do ta sjell në ditët e të birit.» (1 Mbretërve 21:29) A po thoshte Jehovai se po e falte Akabin? Jo, Perëndia tregon mëshirë vetëm kur dikush pendohet vërtet. (Ezekieli 33:14-16) Por, meqë Akabi tregoi njëfarë keqardhjeje, edhe Jehovai i tregoi njëfarë mëshire. Akabi nuk do ta shihte shkatërrimin e tmerrshëm të familjes së tij.

Megjithatë, gjykimi i Jehovait ishte ende në fuqi. Ai u këshillua më vonë me engjëjt se cila ishte mënyra më e mirë për t’ia prishur mendjen Akabit që të shkonte në betejën që do t’i jepte fund jetës së tij. S’kaloi shumë dhe dënimi i Jehovait ndaj Akabit u ekzekutua. Pasi u plagos në betejë, Akabi vdiq në karrocën e tij i mbuluar në gjak. Në tregim jepet edhe kjo hollësi aspak e këndshme: kur karrocën e tij e lanë me ujë, disa qen lëpinë gjakun e mbretit. Në këtë mënyrë, u përmbushën në sy të të gjithëve fjalët që Jehovai i kishte thënë Akabit nëpërmjet Elijas: «Në vendin ku qentë lëpinë gjakun e Nabotit, do të lëpijnë edhe gjakun tënd.»—1 Mbretërve 21:19; 22:19-22, 34-38.

Për Elijan, Eliseun dhe besnikët e tjerë mes popullit të Perëndisë, fundi i Akabit ishte një përkujtues që i siguroi se Jehovai nuk e kishte harruar guximin dhe besimin e Nabotit. Perëndia i drejtësisë nuk e lë asnjëherë pa e ndëshkuar ligësinë; ai e ndëshkon herët a vonë. Gjithashtu, ai tregon edhe mëshirë në gjykim, nëse ka baza. (Numrat 14:18) Ç’mësim i rëndësishëm ishte ky për Elijan, i cili për dekada të tëra kishte treguar qëndrueshmëri nën sundimin e atij mbreti të keq! A ke qenë ndonjëherë viktimë padrejtësish? A pret me padurim që Perëndia t’u japë fund? Atëherë, është mirë të imitosh besimin e Elijas. Bashkë me Eliseun, shokun e tij besnik, ai vazhdoi të shpallte mesazhet e Perëndisë duke treguar qëndrueshmëri përballë padrejtësive.

^ par. 3 Me anë të një thatësire prej tre vjetësh e gjysmë, Jehovai kishte nxjerrë në pah sa i pafuqishëm ishte Baali, të cilin e adhuronin si perëndi të shiut dhe të pjellorisë së tokës. (1 Mbretërve, kapitulli 18) Shih artikujt «Imitoni besimin e tyre» në Kullën e Rojës 1 janarit dhe të 1 prillit 2008.

^ par. 13 Mbase Jezebela kishte frikë se mos vreshti u kalonte trashëgimtarëve të Nabotit, prandaj mund të ketë kurdisur edhe vrasjen e bijve të tij. Për një trajtim më të hollësishëm pse i lejon Perëndia shtypje të tilla, shih artikullin «Lexuesit pyesin» në këtë revistë.