A është vërtet Bibla Fjala e Perëndisë?

Normalisht ti pret që Fjala e Perëndisë të jetë unike, dhe Bibla është tamam ashtu. Miliarda kopje të saj janë shtypur në qindra gjuhë. Mençuria e Biblës ka fuqinë t’i ndryshojë njerëzit për mirë.—Lexo 1 Selanikasve 2:13; 2 Timoteut 3:16.

E dimë se Bibla vjen nga Perëndia ngaqë e parathotë me saktësi të ardhmen. Askush nuk e bën dot këtë me forcat e tij. Për shembull, në një shpellë afër Detit të Vdekur u gjet një kopje e librit të Isaisë, e shkruar më se një shekull para lindjes së Jezuit. Aty thuhet se qyteti i Babilonisë do të mbetej i shkretë. Këto fjalë dolën të vërteta shumë vjet pas shërbimit të Jezuit në tokë.—Lexo Isainë 13:19, 20; 2 Pjetrit 1:20, 21.

Si u shkrua Bibla?

Bibla u shkrua gjatë një periudhe rreth 1.600-vjeçare nga rreth 40 shkrimtarë. Ata ndoqën të njëjtën temë pa rënë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Si ishte e mundur? Perëndia i drejtoi shkrimtarët.—Lexo 2 Samuelit 23:2.

Ai u foli shkrimtarëve të Biblës në disa raste nëpërmjet engjëjve, vegimeve ose ëndrrave. Në përgjithësi, Perëndia u fuste në mendje shkrimtarëve idetë e tij dhe i lejonte t’i zgjidhnin vetë fjalët që do të përdornin për të shkruar mesazhin e tij.—Lexo Zbulesën 1:1; 21:3-5.