PERANDORI ÇIN SHI HUANG

EKSPLORUESI PONSE DE LEON

Vdekja është një armik i frikshëm. E luftojmë me gjithë forcën tonë. Mbase nuk duam ta pranojmë kur ajo na rrëmben një njeri të dashur. Ose, kur jemi në vrullin e rinisë, ndoshta mendojmë se vdekja s’do të na trokasë kurrë në derë, dhe jetojmë me këtë shpresë boshe sa më gjatë të mundemi.

Të paktë janë ata që e kanë lakmuar pavdekësinë më shumë se faraonët e lashtësisë. Ata dhe mijëra punëtorë të tyre janë rropatur gati gjithë jetën për të mposhtur vdekjen. Piramidat që kanë ndërtuar, janë dëshmi e kësaj rropatjeje, si edhe e dështimit të tyre.

Perandorët kinezë ndoqën një ëndërr të ngjashme për pavdekësi, ndonëse në një drejtim tjetër—me anë të eliksirit mitik të jetës. Perandori Çin Shi Huang u kërkoi alkimistëve të tij të gjenin një përzierje magjike që ta mbante larg vdekjen. Por, shumë nga këto përzierje përmbanin merkur toksik dhe ka mundësi që njëra prej tyre i mori jetën.

Në shekullin e 16-të të e.s., thuhet se eksploruesi spanjoll Huan Ponse de Leon lundroi nëpër Karaibe në kërkim të burimit të rinisë. Gjatë rrugës zbuloi Floridën, SHBA, por vdiq disa vjet më vonë pas një përleshjeje me indianët e Amerikës. Dhe asnjë burim i rinisë nuk është gjetur ndonjëherë.

Faraonët, perandorët dhe eksploruesit u orvatën ta mposhtnin vdekjen. Kjo është diçka që e duam jashtë mase, edhe nëse nuk biem dakord me metodat e tyre. Thellë-thellë, thuajse asnjëri prej nesh nuk dëshiron të vdesë.

A MUND TË MPOSHTET VDEKJA?

Pse luftojmë kundër vdekjes? Bibla shpjegon arsyen. Ajo thotë për Krijuesin, Perëndinë Jehova *: «E ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet. Ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre [të njerëzve].» (Eklisiastiu 3:11) Ne duam ta gëzojmë  përgjithmonë bukurinë e tokës, jo thjesht për nja 80 vjet. (Psalmi 90:10) Kjo dëshirë na buron nga zemra.

Pse Perëndia vuri «përjetësinë» në zemrën tonë? Thjesht që të zhgënjehemi? As që mund ta çojmë nëpër mend. Përkundrazi, Perëndia premton se fitorja mbi vdekjen do të arrihet. Bibla flet shumë për eliminimin e vdekjes dhe për jetën e përhershme që premton Perëndia.—Shih kutinë  «Fitorja mbi vdekjen».

Vetë Jezu Krishti e tha qartë: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Prandaj, beteja kundër vdekjes nuk është betejë e humbur. Por ama, Jezui tregon se vetëm Perëndia mund ta fitojë këtë betejë për ne.

^ par. 9 Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.