Si bëheshin kontributet në tempull në ditët e Jezuit?

Thesari i tempullit ndodhej në oborrin e grave. Një libër (The Temple—Its Ministry and Services) thotë: «Përreth kishte një kolonadë të thjeshtë dhe nga brenda, në mur, kishte trembëdhjetë arka ose trumbeta, [ku] hidheshin kontributet.»

Arkat quheshin trumbeta sepse ishin të ngushta në majë dhe të gjera në fund. Çdo arkë ishte etiketuar për një lloj të caktuar blatimi dhe kontributet e mbledhura rezervoheshin për qëllime specifike. Jezui ishte në oborrin e grave kur pa shumë veta të bënin kontribute, përfshirë edhe një vejushë nevojtare.—Luka 21:1, 2.

Dy arka ishin rezervuar për taksën e tempullit, njëra për vitin aktual dhe tjetra për vitin e kaluar. Në arkat 3 deri në 7 mblidhej vlera e përcaktuar për turtujt, pëllumbat, drurin, temjanin dhe enët e arta. Nëse dikush kishte kursyer më tepër se çmimi i përcaktuar për një blatim, paratë e mbetura i fuste në një nga arkat e tjera. Arka 8 ishte për paratë e mbetura nga blatimet për mëkatin. Arkat 9 deri në 12 kishin kontributet e mbetura nga blatimet për fajin, nga flijimi i zogjve, nga blatimet e nazirejve dhe nga blatimet e të lebrosurve të shëruar. Arka 13 ishte për kontributet vullnetare.

A ishte historian i saktë Luka, një shkrimtar i Biblës?

Luka shkroi ungjillin që mban emrin e tij, si edhe Veprat e Apostujve. Luka thotë se ‘i gjurmoi me saktësi të gjitha gjërat që nga fillimi’, por disa studiues i kanë vënë në dyshim ngjarjet që tregon ai. (Luka 1:3) Sa i saktë ishte ai?

Luka përmend fakte historike që mund të vërtetohen. Për shembull, për zyrtarët romakë ai përdor disa tituj jo shumë të njohur, si pretorë ose administrues civilë në Filipi, politarkë ose krerë qyteti në Selanik dhe aziarkë ose parí e qytetit në Efes. (Veprat 16:20; 17:6; 19:31, Kingdom Interlinear) Luka e quan Herod Antipën tetrark ose qeveritar të krahinës, kurse Sergj Palin e quan prokonsull të Qipros.—Veprat 13:1, 7.

Përdorimi i duhur i titujve nga Luka, vlen të përmendet sepse kur ndryshonte statusi i një territori romak, ndryshonte edhe titulli i administruesit të tij. Prapëseprapë, Brus Metsgëri, një studiues i Biblës thotë se «herë pas here, referimet që përmenden te Veprat, janë të duhurat për vendin dhe për kohën në fjalë». Studiuesi Uilliam Ramsej e quan Lukën «historian i rangut më të lartë».