Pasi mbarova shkollën e mesme në janar të vitit 1937, u regjistrova në Universitetin Shtetëror të Ajouas, pranë vendit ku jetoja, në veri të pjesës qendrore të Shteteve të Bashkuara. Leksionet dhe puna për të paguar studimet s’më linin kohë për asgjë tjetër. Që në rini, gjëja më e rëndësishme për mua ishte të studioja ndërtesat e larta dhe urat e varura.

Në fillim të vitit 1942, pak pasi Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën II Botërore, isha në vitin e pestë të universitetit dhe pak muaj larg diplomimit si inxhinier ndërtimi. Banoja në një shtëpi me dy shokë të tjerë dhe njëri më sugjeroi të flisja me burrin që «bisedonte me çunat një kat më poshtë». Aty takova Xhon O. Bremerin, një Dëshmitar i Jehovait. Më bëri shumë përshtypje si i gjente përgjigjet në Bibël gati për çdo pyetje, prandaj nisa të studioja rregullisht Biblën me Xhonin. Më vonë, fillova të dilja me të në shërbim sa herë që mundja.

Babai i Xhonit, Otoja, u bë Dëshmitar ndërsa ishte drejtor banke në Uollnat, Ajoua. Otoja hoqi dorë nga ai pozicion që të niste shërbimin e plotkohor. Me kohë, shembulli i tij i shkëlqyer dhe i familjes së tij, më nxitën të merrja një vendim të rëndësishëm.

KOHA PËR TË VENDOSUR

Një ditë, rektori i universitetit më tha se notat po keqësoheshin dhe se s’diplomohesha dot vetëm falë rezultateve në të kaluarën. Më kujtohet që iu luta me zjarr Perëndisë Jehova e i kërkova të më drejtonte. Pak pas kësaj, më thirrën që të takohesha me profesorin e inxhinierisë. Ai më tregoi se kërkonin një inxhinier dhe i ishte përgjigjur telegramit në vendin tim duke thënë se e pranoja vendin e punës. E falënderova profesorin, por i shpjegova pse isha i vendosur ta bëja shërbimin ndaj Jehovait karrierën time. Më 17 qershor 1942, u pagëzova dhe u emërova thuajse menjëherë pionier, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait që shërbejnë në kohë të plotë.

Nga fundi i vitit 1942, më thirrën në ushtri dhe dola para komisionit të rekrutimit për të shpjeguar se nuk ma lejonte ndërgjegjja të merrja pjesë në luftë. I paraqita vërtetime të lëshuara nga profesorët e universitetit që tregonin për karakterin tim të mirë dhe për aftësitë e veçanta si inxhinier ndërtimi. Pavarësisht këtyre dëshmive pozitive, më gjobitën me 10.000 dollarë dhe më dënuan pesë vjet në burgun e Livënuorthit, Kansas.

JETA NË BURG

Burgu i Livënuorthit, SHBA sot. Rreth 230 nga ne u burgosën atje

Më shumë se 230 të rinj Dëshmitarë vuajtën dënimin në burgun federal të Livënuorthit ku të burgosurit merreshin me bujqësi. Atje kishte një fermë ku punonim nën mbikëqyrjen e ca  gardianëve. Disa prej tyre e dinin që ne si të krishterë ishim asnjanës dhe i përkrahnin bindjet tona.

Disa gardianë na mbështetnin kur përpiqeshim të mbanim rregullisht mbledhjet biblike. Gjithashtu, na ndihmuan që të futnim literaturë biblike në burg. Madje, drejtori i burgut u pajtua në revistën Ngushëllim (tani Zgjohuni!).

LIRIMI DHE SHËRBIMI MISIONAR

Pasi bëra tre nga pesë vitet e dënimit, më liruan më 16 shkurt 1946, pak muaj pasi mbaroi Lufta II Botërore. Menjëherë nisa sërish shërbimin në kohë të plotë si pionier. U caktova përsëri në Livënuorth, Kansas. Më tmerronte ideja që do të kthehesha, ngaqë atje i paragjykonin shumë Dëshmitarët e Jehovait. Ishte e vështirë të siguroja një punë për të mbajtur veten dhe akoma më e vështirë të gjeja një vend për të jetuar.

Një ditë, kur predikoja shtëpi më shtëpi, më kujtohet një nga ish-gardianët e mi që më bërtiti: «Zhduku nga prona ime!» Kur i pashë shkopin e bejzbollit në dorë, u gëlltita nga frika dhe ia mbatha me të katra. Në një shtëpi tjetër një grua më tha «prit pak» dhe përplasi derën. Prita derisa befas nga dritarja e katit sipër me bëri qull me ujin e pistë të enëve. Prapëseprapë, shërbimi kishte bekimet e veta. Më vonë, mora vesh se disa nga ata që kishin marrë literaturë biblike nga unë, ishin bërë Dëshmitarë.

Më 1943 nisi një shkollë e re për misionarë në veri të Nju-Jorkut. Më ftuan të merrja pjesë dhe u diplomova në klasën e dhjetë më 8 shkurt 1948. Kjo shkollë u quajt Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit. Pas diplomimit më caktuan në Bregun e Artë, tani Ganë.

Kur mbërrita në Bregun e Artë, kisha si caktim t’u predikoja zyrtarëve qeveritarë dhe evropianëve. Fundjavëve dilja në shërbim me një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait dhe i mbështetja në predikimin shtëpi më shtëpi. Vizitoja vende ku banonin lajmëtarët që ishin larg kongregacionit dhe i stërvitja në shërbim. Për më tepër, shërbeva edhe si mbikëqyrës udhëtues në Bregun e Fildishtë aty afër.

Nga shërbimi në këto zona mësova të jetoja si afrikanët vendës—flija në kasolle balte, haja me duar dhe i kryeja nevojat personale «jashtë» si izraelitët në shkretëtirë. (Ligji i përtërirë 23:12-14) Kjo më ndihmoi mua dhe misionarët e tjerë të na shihnin me sy të mirë. Gratë e disa zyrtarëve vendës filluan të studionin Biblën me ne. Prandaj, kur kundërshtarët na krijuan  probleme dhe siguruan urdhrin që të na hiqnin vizat, këto gra u bënë presion burrave dhe vendimi u anulua.

Si shumë misionarë në Afrikë edhe mua më zuri malaria. Nga ethet dhe dridhmat bija në kllapi. Me raste, nga dridhjet duhet ta mbaja nofullën e poshtme me dorë. Pavarësisht nga kjo, shërbimi më sillte vazhdimisht gëzim dhe kënaqësi.

Gjatë katër viteve të para në Afrikë, shkëmbeja letra me Eva Hollkuistin, të cilën e kisha takuar para se të largohesha nga Shtetet e Bashkuara. Mësova se do të diplomohej në klasën e 21-të të Shkollës së Galadit më 19 korrik 1953, në kongresin ndërkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait në stadiumin «Jenki», Nju-Jork. Rashë dakord me një kapiten që të punoja në anijen e tij për të shlyer udhëtimin në Shtetet e Bashkuara.

Pas 22 ditësh udhëtim, hera-herës në det të trazuar, mbërrita dhe shkova të takoja Evën në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin. Atje, mbi tarracë, ku shihje një pamje mbresëlënëse të limanit të Nju-Jorkut dhe të horizontit, i propozova për martesë. Më vonë, Eva erdhi që të shërbente bashkë me mua në Bregun e Artë.

PËRMBUSH PËRGJEGJËSITË FAMILJARE

Pasi shërbyem disa vjet në Afrikë, mamaja më dërgoi një letër ku thoshte se babai po vdiste nga kanceri. Me të marrë leje nga caktimi, bashkë me Evën u kthyem në Shtetet e Bashkuara. Shëndeti i babait u keqësua me të shpejtë dhe në fund vdiq.

Ishim kthyer në Ganë prej katër vjetësh, kur morëm vesh se mamaja ishte sëmurur rëndë. Disa miq na sugjeruan që të ktheheshim e të kujdeseshim për të. Ishte vendimi më i vështirë. Pas 15 vjetësh si misionarë, 11 prej të cilave i kaluam së bashku, u rikthyem në Shtetet e Bashkuara.

Me një nga krerët vendës në Bregun e Artë, tani Ganë

Gjatë viteve kujdeseshim me radhë për mamanë dhe e ndihmonim të ndiqte mbledhjet kur ishte në gjendje. Më 17 janar 1976, vdiq në moshën 86-vjeçare. Por, nëntë vjet më vonë, mora një goditje edhe më të rëndë. Eva u diagnostikua me kancer. Bëmë të pamundurën për ta luftuar sëmundjen, por në fund ajo e humbi betejën dhe vdiq më 4 qershor 1985, kur ishte 70 vjeçe.

NDRYSHIME TË TJERA GJATË NJË KARRIERE TË BUKUR

Më 1988, më ftuan në kushtimin e zyrës së degës në Ganë që sapo ishte zgjeruar. Çfarë rasti i paharrueshëm! Rreth 40 vjet më parë, kur u caktova në fillim në Ganë pas diplomimit në Galaad, kishte vetëm disa qindra Dëshmitarë. Aty nga viti 1988, kishte mbi 34.000, kurse tani janë afro 114.000 Dëshmitarë.

Dy vjet pas vizitës në Ganë, më 6 gusht 1990, u martova me shoqen e ngushtë të Evës, Beti Milerin. Së bashku kemi vazhduar ta bëjmë shërbimin e Jehovait karrierën tonë. Mezi presim të takojmë gjyshërit, prindërit dhe Evën kur të ringjallen në parajsën në tokë.—Veprat 24:15.

Më mbushen sytë me lot kur mendoj për këtë privilegj të mrekullueshëm: Jehovai më ka përdorur më shumë se 70 vjet në shërbimin e tij. E falënderoj shpesh që më ka ndihmuar ta bëj këtë shërbim karrierën time. Edhe pse tani jam mbi 90 vjeç, Jehovai, inxhinieri më i madh në univers, më ka dhënë vazhdimisht forcë e guxim për të vazhduar karrierën në shërbim të tij.