Një ekip arkeologësh po gërmonin në gryka malesh dhe në shpellat e shkretëtirës së Judesë kur papritur zbuluan një shpellë lart një shkëmbi të thepisur. A do të gjenin aty diçka me vlerë, mbase ndonjë punim artizanal të lashtë ose ndonjë dorëshkrim, si rrotullat e Detit të Vdekur? U habitën kur gjetën një thesar të vërtetë, që e quajtën thesari i Nahal-Mishmarit.

I FSHEHUR në një të çarë të shkëmbit dhe i mbështjellë me një rrogoz, ky koleksion që u zbulua në mars të vitit 1961, përbëhej nga mbi 400 objekte, ku shumica ishin prej bakri. Mes tyre kishte shumë kurora, skeptra, vegla pune, topuzë dhe armë të tjera. Ky zbulim është me interes për lexuesit e Biblës duke pasur parasysh atë që thotë Zanafilla 4:22, se Tubal-Kaini ishte ‘farkëtar i çdo lloj vegle prej bakri e hekuri’.

Shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje në lidhje me origjinën dhe prejardhjen e këtij thesari. Sidoqoftë, ky zbulim tregon se nxjerrja, shkrirja dhe derdhja e bakrit ishin të njohura në vendet biblike që në kohë shumë të hershme.

VENDE TË PASURA ME BAKËR NË TOKËN E PREMTUAR

Kur izraelitët ishin gati të hynin në Tokën e Premtuar, Moisiu u tha: «Nga malet [e këtij vendi] nxirret bakër.» (Ligji i përtërirë 8:7-9) Arkeologët kanë zbuluar në Izrael dhe në Jordan disa vende ku nxirreshin dhe shkriheshin xeherorë në lashtësi, si për shembull Feinanin, Timnën dhe Kirbat-en-Nahasin. Çfarë tregojnë këto vende?

Feinani dhe Timna janë plot me gropa të cekëta, nga ku është nxjerrë bakër për të paktën 2.000 vjet. Edhe sot, një vizitor mund të gjejë rreth e qark gurë me nuanca jeshile me përmbajtje bakri. Ata që nxirrnin metale në lashtësi, e çanin tërë mundim sipërfaqen shkëmbore me vegla guri për të nxjerrë bakër nga shtresat e dukshme. Kur këto burime mbaronin, ata gërmonin më thellë me vegla metalike, duke i zmadhuar kështu shpellat dhe duke krijuar puse miniere dhe tunele të thella. Në librin biblik të Jobit jepet një përshkrim i këtyre punimeve minerare. (Jobi 28:2-11) Ishte punë e rëndë fizike. Në fakt, nga shekulli i tretë deri në shekullin e pestë të e.s., autoritetet romake dënonin kriminelë të pandreqshëm dhe të burgosur të tjerë që të punonin në minierat e bakrit në Feinan.

Në Kirbat-en-Nahas (që do të thotë «Rrënojat e bakrit») janë zbuluar grumbuj të stërmëdhenj me skorie dhe kjo tregon se aty shkrihej bakër me përmasa industriale. Studiuesit mendojnë se xeherorët  silleshin nga minierat aty afër, si Feinani dhe Timna. Për të ndarë bakrin nga papastërtitë, përdornin tuba dhe gjyrykë për t’i fryrë zjarrit me qymyr që të rritnin temperaturën deri në rreth 1.200 gradë celsius për tetë deri në dhjetë orë. Në përgjithësi duheshin 5 kilogramë xeheror për të nxjerrë rreth 1 kilogram metal të derdhur, i cili më pas derdhej në forma të ndryshme.

PËRDORIMI I BAKRIT NË IZRAELIN E LASHTË

Në malin e Sinait, Perëndia Jehova udhëzoi në mënyrë specifike që ky metal me shkëlqim që nxirrej aty, të përdorej për ndërtimin e tabernakullit. Më vonë, edhe tempulli në Jerusalem u ndërtua sipas të njëjtit model. (Dalja, kapitulli 27) Izraelitët mund të kenë pasur ndopak njohuri në përpunimin e metalit para se të shkonin në Egjipt, ose mund të kenë mësuar atje. Në kohën kur dolën nga Egjipti, ata ishin në gjendje të bënin një viç me metal të derdhur. Gjithashtu, ata ishin në gjendje të bënin edhe sendet e shumta prej bakri që kërkoheshin për shërbimin në tabernakull, si legeni i madh, kazanët, tavat, lopatat dhe pirunët.—Dalja 32:4.

Më vonë, kur po endeshin në shkretëtirë, mbase rreth zonës së Punonit (që mund të jetë Feinani i sotëm), një zonë e pasur me bakër, populli u ankua për manën dhe për mungesën e ujit. Si ndëshkim, Jehovai dërgoi gjarpërinj helmues dhe shumë veta vdiqën. Pasi izraelitët u penduan, Moisiu ndërhyri te Jehovai dhe Ai e udhëzoi të bënte një gjarpër prej bakri dhe ta vinte lart në një shtyllë. Tregimi thotë: «Nëse një gjarpër kafshonte një njeri dhe ky i ngulte sytë te gjarpri prej bakri, atëherë mbetej gjallë.»—Numrat 21:4-10; 33:43.

BAKRI I MBRETIT SOLOMON

Shumë pjesë të tempullit në Jerusalem ishin prej bakri

Mbreti Solomon përdori një sasi të stërmadhe bakri për tempullin në Jerusalem. Shumicën e siguroi i ati, Davidi, nga pushtimet në Siri. (1 Kronikave 18:6-8) ‘Deti i derdhur prej bakri’, legeni gjigant që përdornin priftërinjtë për t’u larë, mbante 66.000 litra dhe mund të ketë peshuar deri në 30 tonë. (1 Mbretërve 7:23-26, 44-46) Gjithashtu, kishte dy shtylla kolosale prej bakri në hyrje të tempullit. Ato ishin me lartësi 8 metra dhe në majë kishin kapitele 2,2 metra të larta. Shtyllat ishin bosh nga brenda, me trashësi 7,5 centimetra, me diametër 1,7 metra. (1 Mbretërve 7:15, 16; 2 Kronikave 4:17) Është marramendëse kur mendon sa shumë bakër është përdorur vetëm për këto objekte.

Në kohët biblike, bakri përdorej gjerësisht edhe në jetën e përditshme. Për shembull, në Bibël përmenden armë, vargonj, vegla muzikore dhe dyer prej bakri. (1 Samuelit 17:5, 6; 2 Mbretërve 25:7; 1 Kronikave 15:19; Psalmi 107:16) Jezui foli për monedhat prej ‘bakri’ dhe apostulli Pavël përmendi ‘Aleksandrin, bakërpunuesin’.—Mateu 10:9; 2 Timoteut 4:14.

Arkeologët dhe historianët duhet t’u japin përgjigje edhe shumë pyetjeve për burimet e pasurive prej bakri në kohët biblike, si edhe për misterin e thesarit të Nahal-Mishmarit. Sidoqoftë, ashtu siç e vërtetojnë edhe dokumentimet biblike, faktet tregojnë se toka që trashëguan izraelitët ishte vërtet ‘një vend i mirë dhe nga malet e tij do të nxirrnin bakër’.—Ligji i përtërirë 8:7-9.