ÇFARË BESOJNË SHUMË VETA?

«Menjëherë pas vdekjes, shpirtrat e atyre që vdesin në një gjendje mëkati të pafalshëm, zbresin në ferr, ku vuajnë ndëshkimin e ferrit, ‘zjarrin e përjetshëm’.» (Katekizmi i Kishës Katolike) Disa krerë fetarë thonë se ata në ferr janë krejtësisht të veçuar dhe të ndarë nga Perëndia.

E VËRTETA SIPAS BIBLËS:

«Ai shpirt që mëkaton, do të vdesë.» (Ezekieli 18:4) Të vdekurit «s’janë të vetëdijshëm për asgjë». (Eklisiastiu 9:5) Nëse shpirti vdes dhe është i pavetëdijshëm, si mund të vuajë në «zjarrin e përjetshëm» e madje të ndiejë dhembje ngaqë është ndarë përgjithmonë nga Perëndia?

Në Bibël, fjalët hebraike dhe greke që shpesh janë përkthyer «ferr», në të vërtetë i referohen varrit të përbashkët të njerëzimit. Për shembull, kur Jobi po vuante nga një sëmundje e dhembshme, u lut: «Ah sikur të më fshihje në varr [«në ferr», Douay-Rheims Version].» (Jobi 14:13, Holy Bible—Easy-to-Read Version) Jobi donte të prehej në varr, jo në një vend mundimesh ose larg nga Perëndia.

PSE KA RËNDËSI?

Mizoria nuk na afron me Perëndinë, por na largon. «Ma kanë mësuar doktrinën e ferrit që në fëmijëri,thotë Rosia, që jeton në Meksikë.Isha aq e frikësuar, sa nuk mendoja se Perëndia kishte ndonjë cilësi të mirë. Mendoja se ishte i egër dhe aspak tolerant.»

Pohimet e qarta të Biblës për gjykimet e Perëndisë dhe gjendjen e të vdekurve, ia ndryshuan Rosias pikëpamjen për Perëndinë. «U lehtësova, hoqa një barrë të madhe emocionale,—thotë ajo.—Nisa të besoja se Perëndia dëshiron më të mirën për ne, se na do dhe se unë mund ta dua atë. Ai është si një baba që i kap për dore fëmijët dhe dëshiron më të mirën për ta.»—Isaia 41:13.

Shumë veta janë përpjekur të jenë fetarë të devotshëm sepse i tremben ferrit të zjarrtë, por Perëndia nuk do që t’i shërbejmë nga frika. Jezui tha: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd.» (Marku 12:29, 30) Për më tepër, kur kuptojmë se Perëndia sot nuk vepron me padrejtësi, mund të kemi besim edhe në gjykimet e tij në të ardhmen. Si Elihu, shoku i Jobit, edhe ne me siguri mund të themi: «Larg qoftë që Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi, që i Plotfuqishmi të veprojë me padrejtësi!»—Jobi 34:10.