• LINDUR: 1978

  • VENDI I LINDJES: KILI

  • MË PARË: JASHTËZAKONISHT I DHUNSHËM

E KALUARA IME:

U rrita në Santiago, kryeqyteti i Kilit, në një lagje ku droga, bandat dhe krimi ishin shumë të përhapur. Babanë ma vranë kur isha pesë vjeç. Më pas, mamaja jetoi me një njeri mizor i cili na rrihte shpesh. Ende sot kam vragat emocionale të atyre viteve.

Ndërsa rritesha u bëra jashtëzakonisht i dhunshëm për shkak të ndikimeve negative. Dëgjoja heavy-metal, pija me tepri dhe ndonjëherë merrja drogë. Gjithmonë futesha në sherr me shpërndarës droge që provuan disa herë të më hiqnin qafe. Një herë, një bandë rivale pagoi një vrasës famëkeq që të më zhdukte, por ia hodha vetëm me një goditje thike. Në një rast tjetër, një grup trafikantësh më vunë pistoletën në kokë dhe donin të më varnin.

Më 1996, rashë në dashuri me Karolinën dhe në vitin 1998, u martuam. Kisha një temperament mjaft të dhunshëm, prandaj kur lindi djali ynë i madh, më tmerronte ideja se mos bëhesha si njerku dhe abuzoja me familjen. Ja pse kërkova ndihmë në një qendër rehabilitimi aty pranë. Bëra një kurë mjekësore dhe terapi, por më kot. Vazhdoja të acarohesha edhe për gjënë më të vogël, nuk përmbahesha dot. Që të mos lëndoja më familjen time, tentova të vetëvritesha. Kuptohet, kjo ishte zgjidhja e gabuar. Jam i lumtur që nuk ia dola mbanë.

Për vite me radhë kisha qenë ateist, por doja të besoja te Perëndia. Kështu, për njëfarë periudhe, u shoqërova me një fe evangjeliste. Ndërkohë, gruaja studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. I urreja Dëshmitarët dhe shumë herë u bërtisja e i shaja me fjalë të ndyra. Por ndryshe nga ç’prisja, ata reagonin gjithnjë me qetësi.

Një ditë, Karolina më kërkoi të hapja Biblën time te Psalmi 83:18. Ai varg thotë qartë se emri i Perëndisë është Jehova. U shtanga kur kuptova se në fenë time kisha dëgjuar për Perëndinë, por jo për Jehovain. Në fillim të vitit 2000, edhe unë fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët.

 SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Teksa përparoja, u ngushëllova kur mësova se Jehovai është një Perëndi i dhembshur dhe falës. Për shembull, te Dalja 34:6, 7, Bibla thotë se ai është «një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashamirësi e të vërtetë, që e ruan dashamirësinë për mijëra breza, që fal fajin, shkeljen dhe mëkatin».

U ngushëllova kur mësova se Jehovai është një Perëndi i dhembshur dhe falës

Gjithsesi, nuk e kisha të lehtë ta zbatoja atë që po mësoja. Isha i bindur se nuk do të arrija kurrë të mbaja nën kontroll temperamentin tim të dhunshëm. Sa herë dështoja, Karolina më inkurajonte me dashuri dhe më kujtonte se Jehovai përqendrohej te përpjekjet e mia. Ndonëse shpesh ndihesha si rast i pashpresë, mbështetja e saj më dha forcë që të vazhdoja të përpiqesha t’i pëlqeja Jehovait.

Një ditë, Alehandro, vëllai që më bënte studimin, më kërkoi të lexoja Galatasve 5:22, 23. Aty thuhet se fryti i frymës së Perëndisë është «dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli». Alehandro më shpjegoi se zhvillimi i këtyre cilësive nuk varej nga forcat e mia, por nga fryma e shenjtë e Perëndisë. Kjo e vërtetë ma ndryshoi krejt pikëpamjen.

Më vonë, ndoqa një kongres të madh të Dëshmitarëve të Jehovait. Rregulli, pastërtia dhe vëllazëria që pashë, më bindën se kisha gjetur fenë e vërtetë. (Gjoni 13:34, 35) U pagëzova në shkurt të vitit 2001.

DOBITË:

Jehovai më ka transformuar nga njeri të dhunshëm në njeri paqësor. Ndihem sikur më ka nxjerrë nga lluca ku kisha ngecur. Shumë veta më urrenin, dhe nuk u vë faj. Megjithatë, tani jam i lumtur që i shërbej Jehovait në paqe bashkë me gruan dhe dy djemtë.

Të afërmit e mi dhe miqtë e dikurshëm habiten që kam ndryshuar kaq shumë. Si rezultat, disa prej tyre kanë shfaqur interes për të vërtetën biblike. Gjithashtu, kam pasur privilegjin të ndihmoj disa të njohin Jehovain. Ka qenë kënaqësi të shoh se si Bibla ua ka ndryshuar jetën edhe atyre.