Që të kuptojmë pse ka kaq shumë vuajtje dhe pse njerëzit s’kanë arritur t’i eliminojnë ato, duhet të identifikojmë shkaqet reale që fshihen pas tyre. Ndonëse shkaqet janë të ndryshme dhe komplekse, jemi të kënaqur që Bibla mund të na ndihmojë t’i identifikojmë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë pesë arsye themelore pse ka kaq shumë vuajtje. Të ftojmë ta shqyrtosh me kujdes çfarë thotë Bibla dhe si na ndihmon ajo ta kuptojmë mirë shkakun e vërtetë të këtij problemi shqetësues.—2 Timoteut 3:16.

PASOJAT E QEVERISJES SË KEQE

Bibla thotë: «Kur sundon njeriu i lig, populli psherëtin.»—Proverbat 29:2.

Historia është plot me diktatorë që kanë sunduar me grusht të hekurt, duke u shkaktuar vuajtje të papërshkrueshme nënshtetasve. Sigurisht, kjo nuk vlen për të gjithë sundimtarët. Disa mund të kenë qëllime fisnike për bashkëqytetarët. Megjithatë, sapo marrin pushtetin, shpesh përpjekjet u dalin huq për shkak të konkurrencës dhe luftës për pushtet. Ose, mbase abuzojnë me pushtetin për përfitim personal, në dëm të popullit. «Historia është një rrëfim i përpjekjeve të dështuara, i aspiratave të parealizuara»,—tha Henri Kisinger, ish-sekretari i shtetit të SHBA-së.

Gjithashtu, Bibla nxjerr në pah: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Njerëzit e papërsosur nuk janë aq të mençur dhe largpamës, sa t’i drejtojnë me sukses punët e tyre. Nëse njerëzit nuk mund të drejtojnë as hapat e vet, si mund t’i drejtojnë hapat e një kombi të tërë? A e kupton pse sundimtarët njerëzorë nuk kanë aftësinë t’i zhdukin vuajtjet? Në fakt, shkaku i vuajtjeve zakonisht është qeverisja e keqe.

NDIKIMI I FEVE TË RREME

Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:35.

Krerët e çdo besimi dhe grupi fetar predikojnë dashurinë dhe unitetin. Realiteti është se ata nuk kanë arritur të ngulitin te besimtarët dashuri aq të fortë, sa t’u heqin paragjykimet. Në vend që t’i ndihmojnë të kultivojnë dashurinë, shpesh fetë kanë çuar në përçarje, fanatizëm dhe konflikte mes popujve e kombeve. Në mbyllje të librit Krishterimi dhe fetë në botë (Christianity and the World Religions), teologu Hans Kyng shkroi: «Luftërat politike më fanatike dhe më mizore janë ato që janë ngjyrosur, frymëzuar dhe ligjëruar nga feja.»

Përveç kësaj, klerikët e shumë feve e kanë toleruar haptazi seksin paramartesor e jashtëmartesor,  si edhe homoseksualizmin. Kjo ka çuar në përhapjen e sëmundjeve, në aborte, në shtatzëni të padëshiruara, në martesa e familje të prishura, që kanë sjellë veçse dhembje dhe angështi të pamasë.

PAPËRSOSMËRIA NJERËZORE DHE DËSHIRAT EGOISTE

«Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin.»—Jakovi 1:14, 15.

Ngaqë kemi trashëguar papërsosmërinë, të gjithë priremi të bëjmë gabime dhe na duhet t’i kundërvihemi dëshirës ‘për të bërë vullnetin e trupit’. (Efesianëve 2:3) Megjithatë, beteja bëhet edhe më e vështirë kur dëshirës së gabuar i jepet mundësia për t’u realizuar. Nëse u dorëzohemi dëshirave të dëmshme, pasojat mund të jenë rrënuese.

Autori F. D. Meta shkroi: «Një pjesë e mirë e vuajtjeve vijnë nga epshi ynë, nga rendja e shfrenuar pas kënaqësive e qejfeve, si edhe nga lakmia e ambicia.» Dëshirat e forta dhe veset e çdo lloji, si alkooli, droga, bixhozi, seksi e të tjera si këto, kanë shkatërruar shumë «qytetarë të respektuar» dhe u kanë sjellë vuajtje familjeve të tyre, miqve dhe të tjerëve. Duke pasur parasysh natyrën e papërsosur njerëzore, duhet ta pranojmë atë që thotë Bibla: «Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim.»—Romakëve 8:22, Diodati i Ri.

FUQIA E FRYMËRAVE TË LIGA

Bibla tregon se Satanai është «perëndia i kësaj bote» dhe me të janë bashkuar frymërat e liga dhe të fuqishme që quhen demonë.—2 Korintasve 4:4; Zbulesa 12:9.

Ashtu si Satanai, demonët janë më se aktivë duke mbajtur nën kontroll njerëzit dhe duke i mashtruar. Apostulli Pavël e pohoi këtë kur tha: «Ne nuk kemi një përleshje me gjakun e mishin, por me qeveritë, me autoritetet, me sundimtarët botërorë të kësaj errësire, me forcat e liga frymore në vendet qiellore.»—Efesianëve 6:12.

Edhe pse demonët kënaqen duke u rënë në qafë njerëzve, ky nuk është synimi i tyre kryesor. Ata dëshirojnë t’i largojnë njerëzit nga Jehovai, Perëndia Më i Lartë. (Psalmi 83:18) Praktika të tilla, si astrologjia, magjia, shtrigëria dhe parashikimi i fatit janë veçse disa prej mënyrave që përdorin demonët për të mashtruar dhe për të mbajtur nën kontroll njerëzit. Ja pse Jehovai na paralajmëron për këto rreziqe dhe u ofron mbrojtje të gjithë atyre që i kundërvihen Satanait dhe demonëve.—Jakovi 4:7.

PO JETOJMË NË «DITËT E FUNDIT»

Rreth dy mijë vjet më parë, Bibla paratha: «Dije se në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar.»

Duke theksuar se çfarë i bën kritike këto kohë, Bibla vazhdon: «Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, . . . pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës.» Sigurisht, një arsye thelbësore e të gjitha vuajtjeve të sotme, është se po jetojmë në «ditët e fundit».—2 Timoteut 3:1-4.

Duke pasur parasysh faktorët që kemi shqyrtuar, a nuk është e qartë pse njerëzit nuk janë në gjendje t’u japin fund vuajtjeve, pavarësisht nga qëllimet e tyre të mira? Atëherë, ku mund të drejtohemi për ndihmë? Duhet t’i drejtohemi Krijuesit tonë, i cili ka premtuar ‘t’i zhbëjë veprat e Djallit’ dhe të përkrahësve të tij. (1 Gjonit 3:8) Në artikullin tjetër do të tregohet çfarë do të bëjë Perëndia për t’i zhdukur të gjitha shkaqet e vuajtjeve.