A ke provuar ndonjëherë dhembje aq të fortë sa ke qarë? . . . * Të gjithë mund ta kemi provuar. Por, ndonjëherë, qajmë kur mërzitemi. Dikush mund të ketë thënë fjalë të këqija për ne, që nuk janë aspak të vërteta. Edhe kjo të dhemb, apo jo? . . . Edhe Perëndia ndien dhembje ose lëndohet kur thuhen gënjeshtra për të. Le të flasim pak për këtë dhe të shohim si mund t’ia gëzojmë zemrën Perëndisë, e jo ta lëndojmë.

Bibla thotë se disa «e lënduan» Perëndinë edhe pse thoshin se e donin. Po, «i shkaktuan dhembje» Perëndisë. Por, Perëndisë Jehova askush nuk mund t’i shkaktojë dhembje në trup. Ai është i plotfuqishëm. Prandaj le të shohim pse lëndohet Jehovai kur nuk bëjmë atë që na thotë.

Dy njerëzit e parë që krijoi Jehovai në tokë, i shkaktuan shumë dhembje. Ai i vuri në Parajsën mbi tokë që quhej ‘kopshti i Edenit’. Cilët ishin këta të dy? . . . Po, ishte Adami dhe pak më vonë, Eva. Le të shohim çfarë bënë që i shkaktuan dhembje Jehovait.

Pasi Jehovai i vendosi në atë kopsht, u tha të kujdeseshin për të. U tha edhe se mund të bënin fëmijë e të jetonin së bashku në atë kopsht pa vdekur kurrë. Por, para se të bëheshin me fëmijë, ndodhi diçka e tmerrshme. A e di çfarë ndodhi? . . . Një engjëll e nxiti Evën e më pas Adamin të rebeloheshin kundër Jehovait. Le të shohim si ndodhi.

Engjëlli bëri që një gjarpër të dukej sikur po fliste. Evës i pëlqeu ajo që dëgjoi, sepse gjarpri tha  se ajo do të bëhej «si Perëndi». Prandaj bëri siç i tha gjarpri. A e di çfarë bëri? . . .

Eva hëngri nga pema që Jehovai i kishte thënë Adamit të mos hanin. Para se Perëndia të krijonte Evën, ai i kishte thënë Adamit: «Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.»

Eva e dinte këtë ligj. Megjithatë, ajo nuk ia shqiste sytë pemës dhe pa që «fryti i pemës ishte i mirë si ushqim dhe i lakmueshëm për sytë . . . Prandaj ajo mori nga fryti i pemës dhe hëngri». Më vonë i dha edhe Adamit dhe «kështu hëngri edhe ai». Pse mendon se hëngri nga pema? . . . Sepse Adami kishte filluar ta donte Evën më shumë se Jehovain. Zgjodhi të bënte të lumtur gruan më tepër se Perëndinë. Por është më e rëndësishme t’i bindesh Jehovait sesa të tjerëve!

A e mban mend gjarprin që i foli Evës? Ashtu si njeriu mund ta bëjë një kukull të duket sikur po flet, po ashtu e bëri dikush gjarprin të dukej sikur fliste. Zëri i kujt ishte ai pas gjarprit? . . . Ishte zëri i ‘gjarprit të hershëm, që quhet Djall dhe Satana’.

A e di si mund t’ia gëzosh zemrën Jehovait? . . . Duke u përpjekur gjithmonë t’i bindesh. Satanai thotë se mund t’i shtyjë të gjithë njerëzit që të bëjnë çfarë do ai. Prandaj Jehovai na nxit: «Ji i mençur, biri im [ose bija ime], dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.» Satanai e sfidon ose tallet me Jehovain. Ai thotë se mund ta largojë çdo njeri nga Jehovai që të mos i shërbejë. Prandaj, gëzoja zemrën Jehovait duke iu bindur dhe duke i shërbyer! A do të përpiqesh fort për këtë? . . .

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.