Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 LEXUESIT PYESIN . . .

Pse disa personazhe biblike janë lënë pa emër?

Pse disa personazhe biblike janë lënë pa emër?

Në librin biblik të Ruthës, një burrë që nuk pranoi të kryente detyrën e tij sipas Ligjit të Moisiut, quhet thjesht filan. (Rutha 4:1-12) A do të thotë kjo se të gjitha personazhet biblike që janë lënë pa emër, janë të këqij ose të parëndësishëm?

Jo. Mendo për një shembull tjetër. Me rastin e pashkës së tij të fundit, Jezui u tha dishepujve ‘të shkonin në qytet te filani’ dhe të përgatitnin darkën në shtëpinë e tij. (Mateu 26:18) A duhet të mendojmë se «filani» që përmendet në këtë varg ishte njeri i keq ose krejt i parëndësishëm për t’iu thënë emri? Aspak, «filani» i përmendur këtu ishte pa dyshim një dishepull i Jezuit. Emri i tij nuk u përmend ngaqë nuk kishte shumë rëndësi për tregimin.

Për më tepër, Bibla përmend emrat e shumë individëve të ligj, kurse shumë njerëzve besnikë nuk ua përmend fare. Për shembull, emri i Evës, gruas së parë, është më se i njohur. Prapëseprapë, egoizmi dhe mosbindja e saj e nxitën Adamin të mëkatonte, dhe kjo çoi në pasoja të tmerrshme për të gjithë ne. (Romakëve 5:12) Krejt ndryshe, emri i gruas së Noesë nuk përmendet në Shkrime, por ne i detyrohemi shumë për altruizmin dhe bindjen që tregoi duke mbështetur të shoqin në punën e tij tepër të rëndësishme. Është e qartë, mospërmendja e emrit të saj nuk tregon që ajo ishte e parëndësishme ose që Perëndia nuk e miratonte.

Ka edhe individë të tjerë që s’përmenden me emër në Bibël, por që luajtën rol të rëndësishëm, madje heroik, në qëllimin e Jehovait. Mendo për vajzën e vogël izraelite që ishte skllave në shtëpinë e Naamanit, kreut të ushtrisë siriane. Tërë guxim, ajo i foli së zonjës, gruas së Naamanit, për profetin e Jehovait në Izrael. Si rezultat, ndodhi një mrekulli e madhe. (2 Mbretërve 5:1-14) Edhe vajza e Jefteut, gjykatësit izraelit, la një shembull të jashtëzakonshëm besimi. Që të përmbushte një zotim të babait të saj, ajo me gatishmëri hoqi dorë nga mundësia për t’u martuar dhe për të pasur fëmijë. (Gjykatësit 11:30-40) Po ashtu, janë lënë pa emër edhe kompozitorë të më shumë se 40 psalmeve dhe profetë që përmbushën me besnikëri caktime të rëndësishme.​—1 Mbretërve 20:37-43.

Një shembull që ndoshta të bën më tepër përshtypje është ai i engjëjve besnikë. Ka me qindra milionë engjëj, por vetëm emrat e dy prej tyre përmenden në Bibël: Gabrieli dhe Mikaeli. (Danieli 7:10; Luka 1:19; Juda 9) Të tjerëve nuk u përmenden emrat në Bibël. Për shembull, Manoahu, babai i Samsonit, pyeti një engjëll: «Si e ke emrin, që të të nderojmë kur fjala jote të dalë e vërtetë?» Si u përgjigj ai? «Pse më pyet për emrin?» Me modesti, engjëlli nuk e pranoi nderimin që i takonte vetëm Perëndisë.​—Gjykatësit 13:17, 18.

Bibla nuk shpjegon në çdo rast pse disa individë i përmend me emër, kurse të tjerë jo. Por mund të mësojmë shumë nga ata që i kanë shërbyer me besnikëri Perëndisë pa menduar të bëheshin të famshëm ose të rëndësishëm.