NOEJA dhe familja e tij u mblodhën pranë njëri-tjetrit teksa shiu binte me rrëmbim. Imagjino: ishte errësirë, drita e kandilit me vaj regëtinte mbi fytyrat e tyre. Tejet të habitur, dëgjonin shiun që binte vrullshëm mbi çati dhe fshikullonte faqet e arkës. Duhet të ketë qenë një zhurmë tepër e fortë.

Teksa shihte në sy pjesëtarët e familjes së tij të dashur​—gruan besnike dhe tre djemtë e paepur bashkë me gratë e tyre—​sigurisht që zemra i gufonte nga mirënjohja. Në atë periudhë të errët, ndoshta e ngushëllonte fakti që i kishte pranë njerëzit e tij të dashur. Ishin shëndoshë e mirë. Pa dyshim, mori drejtimin dhe bëri një lutje bashkë me familjen duke ngritur zërin që ta dëgjonin mbi gjithë atë potere.

Noeja ishte njeri me besim të madh. Ishte pikërisht besimi i tij që e shtyu Perëndinë, Jehovain, ta mbronte atë dhe familjen. (Hebrenjve 11:7) Mos vallë nuk kishin më nevojë të tregonin besim tani që filloi shiu? Përkundrazi, kishin medoemos nevojë për këtë cilësi në ditët e vështira që i prisnin. E njëjta gjë vlen edhe për ne sot që jetojmë në kohë të trazuara. Prandaj, le të shohim ç’mund të mësojmë nga besimi që tregoi Noeja.

‘DYZET DITË E DYZET NET’

Rrebeshi vazhdoi për ‘dyzet ditë e dyzet net’. (Zanafilla 7:4, 11, 12) Niveli i ujit sa vinte e rritej. Ndërsa rritej, Noeja mund të shihte se Perëndia i tij, Jehovai, në të njëjtën kohë po mbronte drejtësinë dhe po dënonte ligësinë.

Përmbytja i dha fund rebelimit të disa engjëjve. Të ndikuar nga qëndrimi egoist i Satanait, shumë engjëj kishin braktisur «vendbanimin e tyre të duhur» në qiej për të bashkëjetuar me gra në tokë dhe lindën pasardhës hibridë që u quajtën nefilimë. (Juda 6; Zanafilla 6:4) Satanai pa dyshim kënaqej teksa shihte këtë rebelim, pasi ky rebelim e degradoi edhe më tej njerëzimin, kryeveprën e krijimit të Jehovait.

Megjithatë, ndërsa niveli i ujit rritej, engjëjt rebelë u detyruan të linin trupat e tyre mishorë dhe të ktheheshin në qiej, pa marrë më kurrë trupa njerëzorë. I lanë gratë dhe bijtë e tyre të mbyteshin bashkë me shoqërinë e atëhershme njerëzore.

Që në kohën e Enokut, pothuajse shtatë shekuj më herët, Jehovai e kishte paralajmëruar njerëzimin se do të shkatërronte të ligjtë, njerëzit e paperëndishëm. (Zanafilla 5:24; Juda 14, 15) Që nga ajo kohë, njerëzit kishin degraduar edhe më shumë duke e rrënuar tokën dhe duke e mbushur me dhunë. Tani po shkatërroheshin. A u gëzua Noeja dhe familja e tij për vdekjen e tyre?

Kurrsesi! E as Perëndia i tyre i mëshirshëm nuk u gëzua. (Ezekieli 33:11) Jehovai kishte bërë gjithçka që të shpëtonte sa më shumë njerëz. I kishte paralajmëruar me anë të Enokut dhe kishte urdhëruar Noenë të ndërtonte arkën. Noeja dhe familja e tij kishin punuar fort për dekada të tëra në atë projekt të stërmadh në sy të të gjithëve. Për më tepër, Jehovai e caktoi Noenë si «predikues të drejtësisë». (2 Pjetrit 2:5) Ashtu si Enoku para tij, ai i paralajmëroi njerëzit për gjykimin që e priste  botën. Por, si reaguan ata? Jezui, që i pa këto ngjarje nga qielli, i kujtoi më vonë njerëzit e ditëve të Noesë, duke thënë: «Nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë.»​—Mateu 24:39.

Imagjino si duhet të ketë qenë për Noenë dhe familjen gjatë 40 ditëve të para pasi Jehovai mbylli derën e arkës. Ndërsa rrebeshi i shiut trokiste në arkë ditë pas dite, familja prej tetë vetash mund të ketë krijuar njëfarë rutine: ata kujdeseshin për njëri-tjetrin, mirëmbanin shtëpinë dhe plotësonin nevojat e kafshëve në arkë. Por në një moment, gjithë ajo strukturë e madhe filloi të tundej e të tronditej. Po lëvizte! Duke u lëkundur si djep, arka u ngrit mbi ujë lart e më lart, derisa «pluskonte mbi sipërfaqen e ujërave, lart nga toka». (Zanafilla 7:17) Ç’fuqi të madhe po shfaqte Jehovai, Perëndia i Plotfuqishëm!

Noeja duhet të jetë ndier mirënjohës, jo vetëm që shpëtoi bashkë me familjen, por edhe për mëshirën që tregoi Jehovai duke i paralajmëruar njerëzit që vdiqën jashtë arkës. Gjithë ato vite pune të lodhshme, në ato kohë mund t’u jenë dukur të shkuara dëm, pasi njerëzit nuk ua vinin veshin fare. Mendo pak, ka mundësi që Noeja kishte edhe vëllezër, motra, nipër e mbesa para se të vinte Përmbytja; megjithatë, asnjëri përveç familjes së tij nuk ia vuri veshin. (Zanafilla 5:30) Tani, ndërsa këta tetë shpirt qëndronin të sigurt në arkë, patjetër që ngushëlloheshin tek mendonin për gjithë kohën që kishin kaluar duke u dhënë njerëzve një mundësi për të mbijetuar.

Jehovai nuk ka ndryshuar që nga koha e Noesë. (Malakia 3:6) Jezu Krishti shpjegoi se ditët e sotme ngjajnë shumë me «ditët e Noesë». (Mateu 24:37) Jetojmë në një epokë të shënuar, në një kohë plot probleme që do të përfundojë me shkatërrimin e këtij sistemi botëror të korruptuar. Po kështu, populli i Perëndisë sot po u jep një mesazh paralajmërimi të gjithë atyre që e dëgjojnë. A do t’ia vësh veshin këtij mesazhi? Nëse tashmë e ke pranuar të vërtetën e këtij mesazhi jetëshpëtues, a do të bashkohesh edhe ti për ta përhapur këtë mesazh? Noeja dhe familja e tij lanë shembullin për të gjithë ne.

 «SHPËTUAN NËPËRMJET UJIT»

Ndërsa arka pluskonte mbi oqeanin e trazuar, ata që ishin brenda sigurisht dëgjonin një simfoni kërcitjesh e kuisjesh nga trarët masivë. A shqetësohej Noeja për madhësinë e dallgëve ose për fortësinë e arkës? Jo. Shqetësime të tilla mund t’u lindin sot njerëzve skeptikë, por Noeja nuk ishte aspak i tillë. Bibla thotë: «Me anë të besimit, Noeja . . . ndërtoi një arkë.» (Hebrenjve 11:7) Ku e mbështeste besimin? Jehovai kishte bërë një besëlidhje, një marrëveshje formale, për ta shpëtuar Noenë dhe ata që ishin me të gjatë Përmbytjes. (Zanafilla 6:18, 19) A nuk mund ta mbante të fortë arkën ai që krijoi universin, tokën dhe gjithë krijesat në të? Sigurisht që po! Noeja me të drejtë kishte besim se Jehovai do ta mbante fjalën. Dhe në fakt ashtu ndodhi, ai dhe familja e tij «shpëtuan nëpërmjet ujit».​—1 Pjetrit 3:20.

Pas 40 ditësh e 40 netësh, shiu më në fund pushoi. Sipas kalendarit të sotëm, ishte pak a shumë dhjetori i vitit 2370 p.e.s. Por aventurat e tyre brenda arkës nuk kishin mbaruar ende. Ky mjet lundrimi plot krijesa të gjalla ishte i vetmi që lundronte në detin global, madje shumë lart mbi majat e maleve. (Zanafilla 7:19, 20) Mund të imagjinojmë Noenë duke organizuar punët e rënda me bijtë e tij, Semin, Kamin e Jafetin, që të mund të ushqenin e pastronin kafshët dhe t’i mbanin të shëndetshme. Pa dyshim, i njëjti Perëndi që i bëri të bindura gjithë ato kafshë të egra që të hynin në arkë, ishte në gjendje t’i mbante po njësoj gjatë gjithë periudhës së Përmbytjes. *

Me sa duket, Noeja i ka dokumentuar me kujdes ngjarjet e atëhershme. Ky dokumentim na tregon se kur filloi e kur mbaroi shiu. Gjithashtu tregon se ujërat mbuluan tokën për 150 ditë. Pastaj, niveli i ujit më në fund filloi të binte. Dhe dita historike erdhi! Arka avash-avash u ndal mbi «malet e Araratit», që ndodhen në Turqinë e sotme. Kjo duhet të ketë ndodhur në prill të vitit 2369 p.e.s. Pikërisht 73 ditë më vonë, në qershor, majat e maleve u bënë të dukshme. Tre muaj më vonë, në shtator, Noeja vendosi ta hapte pak pjesën e sipërme ose çatinë e arkës. Sigurisht që u shpërblyen për këtë punë të vështirë kur hyri drita dhe ajri i pastër. Më parë, Noeja kishte filluar edhe të provonte nëse mjedisi përreth ishte i sigurt dhe i banueshëm. Lëshoi një korb, që shkoi dhe erdhi disa herë, ndoshta kthehej për të pushuar mbi arkë; pastaj lëshoi një pëllumb, që vazhdonte të kthehej derisa më në fund gjeti një vend për të pushuar.​—Zanafilla 7:24–8:13.

Pa dyshim që Noeja merrte drejtimin në adhurimin familjar edhe në periudhat më të errëta

Sigurisht, adhurimi i Perëndisë kishte përparësi në aktivitetet e përditshme të Noesë. Nuk është e vështirë ta imagjinosh familjen që mblidhej rregullisht për t’u lutur dhe për të folur për Atin qiellor që i mbronte. Noeja mbështetej te Jehovai për çdo vendim të rëndësishëm. Edhe kur dalloi që toka më në fund «ishte tharë», pas më se një viti në arkë, Noeja prapëseprapë nuk e hapi derën që t’i nxirrte të gjithë prej saj. (Zanafilla 8:14) Përkundrazi, priti që Jehovai ta drejtonte.

Kryefamiljarët sot mund të mësojnë shumë nga ky njeri besnik. Ishte i rregullt, punëtor, i durueshëm dhe i mbronte ata që kishte nën kujdes. Por mbi të gjitha, vullneti i Perëndisë Jehova ishte gjëja më e rëndësishme për të. Nëse imitojmë besimin e Noesë në këto aspekte, kjo do t’u sjellë bekime të gjithë atyre që duam.

«DILNI NGA ARKA»

Më në fund, Jehovai e urdhëroi Noenë: «Dilni nga arka, ti, gruaja jote, bijtë e tu dhe gratë e bijve të tu bashkë me ty.» Gjithë familja u bind dhe dolën të parët, pas tyre edhe kafshët. Po si dolën, në mënyrë të rrëmujshme? Aspak! Sipas dokumentimit, ‘nga arka dolën të gjitha sipas familjeve të tyre’. (Zanafilla 8:15-19) Sapo dolën, duke thithur ajrin e pastër dhe duke parë malet e Araratit, Noeja dhe familja e tij kuptuan që toka ishte pastruar. Ishin zhdukur nefilimët, dhuna, engjëjt rebelë dhe e gjithë shoqëria e ligë njerëzore! * Për njerëzimin po agonte një epokë e re.

 Noeja e dinte ç’duhej bërë. Filloi me adhurimin e Jehovait. Ndërtoi një altar dhe i ofroi Jehovait një blatim të djegur duke përdorur disa nga kafshët e pastra në sytë e Perëndisë që i kishte futur në arkë «shtatë nga çdo lloj». (Zanafilla 7:2; 8:20) A i pëlqeu Jehovait kjo?

Bibla përgjigjet me këto fjalë që të japin zemër: «Jehovai ndjeu një aromë të pëlqyeshme.» Dhembja që kishte ndier Perëndia kur njerëzimi po e mbushte botën me dhunë, u zëvendësua nga kënaqësia dhe pëlqimi kur pa në tokë një familje adhuruesish të vendosur për të bërë vullnetin e tij. Jehovai nuk priste përsosmëri prej tyre. I njëjti varg vazhdon: «Zemra e njeriut priret nga e keqja që në rini të tij.» (Zanafilla 8:21) Shiko si e shprehu edhe më tej Jehovai dhembshurinë dhe durimin e tij ndaj njerëzimit.

Perëndia e hoqi mallkimin nga toka. Në kohën kur Adami dhe Eva u rebeluan, Perëndia e mallkoi tokën, prandaj kultivimi i saj ishte jashtëzakonisht i vështirë. I ati, Lameku, e quajti të birin Noe, që mund të ketë kuptimin «pushim» ose «ngushëllim», dhe kishte parathënë se biri i tij do ta udhëhiqte njerëzimin drejt një periudhe pushimi nga ai mallkim. Noesë duhet t’i kenë rrëzëllyer sytë kur mori vesh se tani do të shihte përmbushjen e asaj profecie dhe se toka do të ishte më e kultivueshme. Ja pse Noeja shumë shpejt filloi të kultivonte tokën.​—Zanafilla 3:17, 18; 5:28, 29; 9:20.

Noeja me familjen dolën nga arka dhe panë që toka ishte pastruar

Në të njëjtën kohë, Jehovai u dha gjithë pasardhësve të Noesë disa ligje të qarta e të thjeshta për t’i drejtuar në jetë, përfshirë urdhrin kundër vrasjes dhe keqpërdorimit të gjakut. Gjithashtu, Perëndia lidhi një besëlidhje me njerëzimin, nëpërmjet së cilës premtonte se nuk do të sillte më kurrë një përmbytje për të shkatërruar jetën në tokë. Për të treguar se premtimi i tij ishte i besueshëm, Jehovai dha si shenjë një fenomen natyror të lavdishëm: ylberin. Gjer sot e kësaj dite, çdo ylber që shohim, na ngroh zemrën sepse na kujton premtimin e dashur të Jehovait.​—Zanafilla 9:1-17.

Nëse tregimi i Noesë do të ishte thjesht sajim, do të kishte marrë fund me ylberin. Por Noeja ishte real dhe jeta e tij nuk ishte shumë e thjeshtë. Në ato ditë, kur zakonisht njerëzit jetonin shumë gjatë, ai burrë besnik duhej të tregonte qëndrueshmëri edhe për 350 vite të tjera dhe gjatë atyre shekujve pati mjaft vuajtje. Njëherë u deh, dhe ky gabim serioz u rëndua edhe më tepër kur nipi i tij, Kanaani, bëri një mëkat edhe më serioz, një mëkat që i solli familjes së Kanaanit pasoja të hidhura. Noeja jetoi aq gjatë sa, në ditët e Nimrodit, pa pasardhësit e tij të bënin mëkate të tilla, si idhujtari dhe dhunë. Por ana pozitive është se Noeja pati mundësi të shihte të birin, Semin, të linte një shembull të mirë për familjen e tij.​—Zanafilla 9:21-28; 10:8-11; 11:1-11.

Ashtu si Noeja, duhet të tregojmë qëndrueshmëri në udhën e besimit. Kur të tjerët përreth nesh e shpërfillin Perëndinë e vërtetë ose zgjedhin të mos i shërbejnë më, duhet të tregojmë qëndrueshmëri si Noeja. Jehovai e vlerëson jashtë mase këtë qëndrueshmëri besnike. Siç tha Jezu Krishti, «ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë».​—Mateu 24:13.

^ par. 17 Disa kanë hedhur hipotezën se Perëndia mund t’i ketë mbajtur kafshët në një gjendje disi të plogësht, të ngjashme me letargjinë, duke pakësuar kështu nevojën për ushqim. Sido që të jetë, ai e mbajti premtimin duke i ruajtur nga rreziku dhe duke u siguruar shpëtimin të gjithë atyre në arkë.

^ par. 22 Gjithashtu, s’kishte mbetur asnjë gjurmë nga kopshti i Edenit, që mund të ishte shkatërruar nga përmbytja. Nëse ishte kështu, kerubinët që ruanin hyrjen e kopshtit, pas një caktimi 1600-vjeçar, ishin të lirë të ktheheshin në qiell.​—Zanafilla 3:22-24.