Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 AFROJUNI PERËNDISË

‘Cilësitë e tij të padukshme shihen qartë’

‘Cilësitë e tij të padukshme shihen qartë’

A beson te Perëndia? Nëse po, a mund të japësh prova se ai ekziston? E vërteta është se përreth kemi plot prova që tregojnë se ka një Krijues të mençur, të fuqishëm dhe të dashur. Cilat janë këto prova dhe sa bindëse janë? Për të marrë përgjigjen, shqyrto fjalët e apostullit Pavël te letra që u dërgoi të krishterëve në Romë.

Pavli tha për Perëndinë: «Cilësitë e tij të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, prandaj ata nuk kanë asnjë justifikim.» (Romakëve 1:20) Gjurmët e Krijuesit duken qartë në veprat e duarve të tij, siç nxori në pah Pavli. Le t’i shqyrtojmë më nga afër fjalët e Pavlit.

Pavli vëren se cilësitë e Perëndisë mund të shihen «që nga krijimi i botës». Në këtë kontekst, fjala greke që përkthehet ‘botë’ nuk i referohet planetit Tokë, por njerëzimit. * Prandaj, Pavli po thotë se, që kur u krijuan, njerëzit mund të shihnin cilësitë e Krijuesit në gjërat që ka bërë.

Këto prova i kemi kudo përreth nesh. Ato nuk janë të fshehura në natyrë, por «shihen qartë». Veprat e krijimit, nga më e madhja te më e vogla, tregojnë qartë se jo vetëm që ka një Krijues, por edhe që ka cilësi të mrekullueshme. A nuk shihet mençuria e Perëndisë te projektimi inteligjent që duket qartë në natyrë? A nuk shihet fuqia e tij te qielli plot yje dhe dallgët e fuqishme? A nuk shihet dashuria e tij për njerëzimin te larmia e ushqimeve që na shijojnë, si edhe te lindja e perëndimi i diellit?​—Psalmi 104:24; Isaia 40:26.

Sa të dukshme janë këto prova? Janë kaq të qarta sa, ata që nuk i shohin dhe si rrjedhojë nuk duan të besojnë te Perëndia, «nuk kanë asnjë justifikim». Një studiues e ilustron kështu: përfytyro një shofer që shpërfill tabelën «Devijim​—Kthehu majtas». Një polic e ndalon dhe fillon të shkruajë fletën e gjobës. Shoferi përpiqet t’ia mbushë mendjen se nuk e pa tabelën. Por fjalët e tij s’kanë peshë fare, sepse tabelën e kishte para syve dhe s’ka probleme me shikimin. Përveç kësaj, si shofer që është, ai ka përgjegjësinë t’i shohë dhe t’i zbatojë këto tabela. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për provat që jep natyra për Perëndinë. Këto «tabela» i kemi para syve. Si krijesa me aftësi për të arsyetuar, jemi të aftë t’i shohim ato. Nuk ka asnjë justifikim nëse i shpërfillim.

Gjurmët e Krijuesit duken qartë në veprat e duarve të tij

Në të vërtetë, libri i krijimit zbulon shumë për Krijuesin tonë. Por ka edhe një libër tjetër që na zbulon shumë më tepër për të​—Bibla. Nëpërmjet faqeve të saj, mund të mësojmë përgjigjen e kësaj pyetjeje tejet të rëndësishme: cili është qëllimi i Perëndisë për tokën dhe për njerëzit që banojnë në të? Përgjigjja e kësaj pyetjeje mund të të ndihmojë t’i afrohesh më tepër Perëndisë, ‘cilësitë e padukshme të të cilit shihen qartë’ në botën që na rrethon.

Sugjerim për leximin e Biblës në gusht

Romakëve 1-16

^ par. 3 Gjithashtu, Bibla thotë se ‘bota’ është fajtore për mëkatin dhe ka nevojë për një shpëtimtar, duke treguar qartë se në këtë kontekst termi zbatohet për njerëzimin dhe jo për tokën.—Gjoni 1:29; 4:42; 12:47.