Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 AFROJUNI PERËNDISË

Ai ‘na i mbush zemrat plot’

Ai ‘na i mbush zemrat plot’

A interesohet vërtet Jehovai për ne, apo është indiferent ndaj vuajtjeve të njerëzve? Përgjigjja që jep Bibla na ngroh zemrën. Perëndia interesohet vërtet për familjen njerëzore dhe dëshiron që ta gëzojmë jetën. Ai i lejon çdo ditë njerëzit, edhe më mosmirënjohësit, të nxjerrin dobi nga mirësia e tij e pakufishme. Shqyrto fjalët e apostullit Pavël.—Lexo Veprat 14:16, 17.

Pavli iu drejtua njerëzve në qytetin e Listrës, të cilët nuk ishin adhurues të Perëndisë, dhe u tha: «Në brezat që shkuan, [Perëndia] i la të gjitha kombet të ndiqnin udhët e veta. Megjithatë, nuk e la veten pa dëshmi, sepse bëri mirë: ju solli shira nga qielli dhe stinë të frytshme, ju dha ushqim me bollëk dhe jua mbushi zemrat plot hare.» Ç’kuptim kishin për ta këto fjalë të Pavlit?

Banorët e Listrës e kuptonin kollaj sa të vërteta ishin fjalët e tij. Ata merreshin me bujqësi dhe jetonin në një rajon pjellor e të ujitur mirë. Por, siç u kujtoi edhe Pavli, burimi i shiut dhe i stinëve të frytshme është Perëndia. Prandaj, sa herë që kishin të korra të mbara dhe shijonin ushqim të shijshëm, ata po nxirrnin dobi nga mirësia e Perëndisë.

Nga fjalët që u drejtoi Pavli banorëve të Listrës, nxjerrim mësime të rëndësishme për Perëndinë Jehova.

Jehovai na ka dhënë vullnet të lirë. Ai i lejoi të gjitha kombet johebreje «të ndiqnin udhët e veta». Një vepër referimi për përkthyesit e Biblës thotë se kjo shprehje mund të përkthehet edhe «të bënin si të donin» ose «të vepronin si t’u dukej më mirë». Jehovai nuk detyron askënd ta adhurojë. Kur na krijoi, na dha vullnetin e lirë—aftësinë për ta zgjedhur vetë drejtimin në jetë.—Ligji i përtërirë 30:19.

Jehovai dëshiron që ta njohim. Pavli shpjegoi se Ai nuk e ka lënë «veten pa dëshmi». Vepra e referimit që përmendëm më lart, thotë se kjo shprehje mund të përkthehet edhe «ai u ka treguar qartë njerëzve se ç’lloj Perëndie është». Krijimet e Perëndisë japin dëshmi të bollshme për «cilësitë e tij të padukshme», ku përfshihen mirësia, mençuria, fuqia dhe dashuria e tij. (Romakëve 1:20) Në Bibël, Jehovai na ka treguar më tepër për veten. (2 Timoteut 3:16, 17) A nuk është e qartë se ai dëshiron ta njohim?

Perëndia i lejon çdo ditë njerëzit, edhe më mosmirënjohësit, të nxjerrin dobi nga mirësia e tij e pakufishme

Jehovai dëshiron që të jemi të lumtur. Ai ‘na jep ushqim me bollëk dhe na i mbush zemrat plot hare’,—tha Pavli. Edhe mëkatari që nuk e njeh Jehovain mund të hajë ushqim sa t’i kënaqet zemra dhe të gjejë njëfarë lumturie në jetë. Gjithsesi, Perëndia dëshiron që ne të gëzojmë lumturi të vërtetë e të përhershme. Kjo është e mundur vetëm nëse mësojmë të vërtetën për të dhe jetojmë sipas saj.—Psalmi 144:15; Mateu 5:3.

Të gjithë nxjerrim dobi çdo ditë nga mirësia e Jehovait. Pse të mos mësosh më tepër se si t’ia tregosh mirënjohjen tënde Perëndisë, i cili ‘të jep ushqim me bollëk dhe ta mbush zemrën plot hare’?

Sugjerim për leximin e Biblës në korrik

Veprat 11-28