Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 BIBLA TË NDRYSHON JETËN

«Nuk mendoj më se duhet ta ndryshoj unë botën»

«Nuk mendoj më se duhet ta ndryshoj unë botën»
  • LINDUR: 1966

  • VENDI I LINDJES: FINLANDA

  • MË PARË: AKTIVIST SOCIAL

E KALUARA IME:

E doja natyrën që kur isha fëmijë. Me familjen bënim shpesh ekskursione në pyjet mahnitëse dhe në liqenet e bukura që rrethojnë Jyvaskylën, qytetin tonë të lindjes, në Finlandën Qendrore. Edhe kafshët i dua shumë. Kur isha i vogël më vinte të përqafoja çdo mace e qen që më zinte syri. Ndërsa rritesha, merakosesha shumë për kafshët, të cilat njerëzit shpesh i keqtrajtonin. Me kalimin e kohës, u futa në një organizatë për të drejtat e kafshëve ku takova njerëz të një mendjeje me mua.

Vazhdimisht bënim fushata për të drejtat e kafshëve. Shpërndanim informacione, organizonim marshime protestuese dhe demonstrata kundër dyqaneve të peliçeve e laboratorëve që bëjnë eksperimente te kafshët. Madje formuam një organizatë të re për mbrojtjen e kafshëve. Meqë ndërmerrnim masa të rrepta që të çonim para çështjen, ishim shpesh në telashe me policinë. Më arrestuan dhe më çuan në gjyq disa herë.

Nuk merakosesha vetëm për kafshët, më shqetësonin edhe probleme të tjera në mbarë botën. Prandaj u bëra pjesë e një sërë organizatash si për shembull, Amnesty International dhe Greenpeace. I mbështetja aktivitetet e tyre me tërë fuqinë. Ngrija zërin për të drejtat e të varfërve, të uriturve dhe nevojtarëve.

Megjithatë, pak nga pak, kuptova se nuk mund ta ndryshoja unë botën. Edhe pse këto organizata arrinin të zgjidhnin ca probleme të vogla, dukej se problemet e mëdha sa vinin e përkeqësoheshin. Ishte sikur forcat e së ligës e kishin përpirë gjithë botën dhe askujt nuk i interesonte. Ndihesha i pafuqishëm.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Meqë ndihesha i pafuqishëm, më kapi trishtimi e kështu fillova të mendoja për  Perëndinë dhe Biblën. Më parë kisha studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Edhe pse e vlerësoja që ishin miqësorë dhe që interesoheshin për mua, nuk isha gati të ndryshoja mënyrën e jetesës. Por kësaj here ishte ndryshe.

Nxora Biblën time dhe nisa ta lexoja. Ishte si melhem për plagët e mia. Vura re shumë vargje biblike që na mësojnë t’i trajtojmë mirë kafshët. Për shembull, te Proverbat 12:10 thuhet se «njerëzit e mirë kujdesen për kafshët e tyre». (Good News Translation) Gjithashtu, kuptova se nuk është Perëndia shkaku i problemeve të botës. Përkundrazi, ato janë përkeqësuar ngaqë pjesa më e madhe e njerëzve nuk ndjek drejtimin e Tij. Më bëri shumë përshtypje kur mësova se Jehovai është i dashur dhe shpirtgjerë.—Psalmi 103:8-14.

Ndërkohë, gjeta një kupon të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe e dërgova. Shumë shpejt, një çift Dëshmitarësh trokiti në derën time dhe më ofroi një studim biblik, të cilin e pranova. Fillova të ndiqja edhe mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë. Për pasojë, të vërtetat e Biblës nisën të zinin rrënjë në zemrën time.

Falë Biblës arrita të bëja shumë ndryshime. Lashë duhanin e pijen, ndryshova pamjen e jashtme, pastrova fjalorin dhe ndreqa qëndrimin ndaj autoriteteve shtetërore. (Romakëve 13:1) Po ashtu, braktisa jetën imorale, një fushë ku kisha qenë shumë liberal.

E kisha shumë të vështirë të zhvilloja pikëpamjen e duhur për organizatat joqeveritare. Ky ndryshim nuk ndodhi sa hap e mbyll sytë. Në fillim më dukej se po të hiqja dorë prej tyre, do t’i tradhtoja. Megjithatë, kuptova se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja shpresë reale për botën. Vendosa ta mbështetja me tërë fuqinë time këtë Mbretëri dhe t’i ndihmoja njerëzit të mësonin për të.—Mateu 6:33.

DOBITË:

Kur isha aktivist, i ndaja njerëzit kategorikisht në dy grupe—të mirë ose të këqij—dhe isha gati të veproja kundër atyre që i konsideroja të këqij. Por, falë Biblës nuk ndiej më urrejtje të fortë. Në vend të kësaj, përpiqem të kultivoj dashuri të krishterë për të gjithë njerëzit. (Mateu 5:44) Mes të tjerash, e shfaq këtë dashuri duke u dhënë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Kënaqem kur shoh se si kjo vepër mirëdashëse nxit paqe e lumturi dhe u jep njerëzve shpresë të vërtetë.

Duke i lënë gjërat në dorë të Jehovait kam gjetur paqe mendore. Jam i bindur se ai, meqë është Krijuesi, nuk do të lejojë që kafshët dhe njerëzit të keqtrajtohen përgjithmonë e që toka jonë e bukur të shkatërrohet. Përkundrazi, së shpejti, me anë të Mbretërisë së Tij, do të ndreqë gjithë dëmin që është bërë. (Isaia 11:1-9) Ndiej gëzim të pamasë jo vetëm që i njoh këto të vërteta, por edhe që ndihmoj të tjerët të besojnë në to. Nuk mendoj më se duhet ta ndryshoj unë botën.