Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 BISEDË ME NJË TË INTERESUAR

A është indiferent Perëndia ndaj vuajtjeve tona?

A është indiferent Perëndia ndaj vuajtjeve tona?

Më poshtë tregohet një bisedë tipike që një Dëshmitare bën me dikë. Le të përfytyrojmë sikur një Dëshmitare që quhet Mira ka shkuar të predikojë në shtëpinë e një gruaje me emrin Silvana.

PSE E LEJOI NJË GJË TË TILLË?

Mira: Sot po u ofroj të gjithëve këtë fletushkë. Titullohet A do të dish të vërtetën? Kjo është për ju.

Silvana: Flet për fenë?

Mira: Po. Në faqen e parë bëhen gjashtë pyetje. Cila prej tyre—

Silvana: E lëmë më mirë me kaq. Mos harxho kot kohën me mua.

Mira: Pse e thoni këtë?

Silvana: Të them të drejtën, nuk jam e sigurt as nëse besoj te Perëndia.

Mira: Të falënderoj për sinqeritetin. A mund të të pyes, gjithmonë kështu ke menduar?

Silvana: Në fakt, kur isha e vogël shkoja në kishë. Por kam shumë kohë që nuk shkoj më.

Mira: E kuptoj. Të prezantohemi, unë jam Mira.

Silvana: Silvana.

Mira: Gëzohem, Silvana.

Silvana: Gjithashtu.

Mira: Nuk kam ardhur për të të imponuar bindjet e mia. Por doja të dija: a ka ndodhur diçka që tani dyshon në ekzistencën e Perëndisë?

Silvana: Po. Para 17 vjetësh mamaja bëri aksident me makinë.

Mira: Sa keq! Pësoi gjë?

Silvana: Po, dhe që atëherë ka mbetur e paralizuar.

Mira: Më vjen keq! Duhet të jetë shumë e dhembshme për ty.

Silvana: Ashtu është. Prandaj nuk arrij ta kuptoj, nëse Perëndia ekziston, pse e lejoi një gjë të tillë? Pse lejon që të vuajmë?

A ËSHTË E GABUAR TË PYESIM PSE?

Mira: Është më se normale të ndihesh kështu. Kur vuajmë, të gjithë pyesim pse ndodhi. Në fakt, edhe disa burra e gra besnike në kohët biblike bënë pyetje të tilla.

Silvana: Vërtet?

Mira: Po. A mund të të tregoj një shembull nga Bibla?

Silvana: Pse jo?!

Mira: Shih çfarë pyetjesh i bëri Perëndisë profeti besnik Habakuk. Te libri i Habakukut, kapitulli 1, vargjet 2 dhe 3 thuhet: «Deri kur, o Jehova, do të thërras për ndihmë dhe ti nuk do të më dëgjosh? Deri kur do të thërras për ndihmën tënde kundër dhunës e ti nuk do të më shpëtosh? Përse më bën të shoh të keqen?» A nuk të duken njësoj si pyetjet që bëre edhe ti?

Silvana: Po.

Mira: Perëndia nuk e qortoi kurrë Habakukun për këto pyetje, as nuk i tha që s’kishte besim sa duhej.

Silvana: Interesante.

JEHOVAI NUK I DURON DOT VUAJTJET

Mira: Bibla na mëson se Perëndia i sheh vuajtjet tona dhe nuk është indiferent ndaj tyre.

Silvana: Çfarë do të thuash?

Mira: Ja të të tregoj një shembull te Dalja 3:7. A mund ta lexosh ti?

Silvana: Po. «Jehovai shtoi: ‘Pa dyshim e kam parë mundimin e popullit tim në Egjipt, dhe  kam dëgjuar si klithin për shkak të atyre që i shtrëngojnë të punojnë, sepse i di dhembjet që heqin.’»

Mira: Faleminderit! Sipas këtij shkrimi, a i sheh Perëndia vuajtjet e njerëzve?

Silvana: Me sa duket, po.

Mira: Dhe nuk është se thjesht ka një ide të përgjithshme të asaj që ndodh. Shihe edhe një herë pjesën e fundit të vargut. Perëndia tha: «I di dhembjet që heqin.» A të duken këto fjalët e një Perëndie të ftohtë ose indiferent?

Silvana: Jo, aspak.

Mira: Sigurisht, një gjë është të vëresh një situatë, por të prekesh prej saj, të përfshish ndjenjat në të, është një gjë krejt tjetër.

Silvana: E vërtetë.

Mira: Duke pasur parasysh këtë, të lexojmë për një rast tjetër kur populli i Perëndisë vuante. Gjendet tek Isaia 63:9. Pjesa e parë e këtij vargu thotë: «Ai vuajti për të gjitha vuajtjet e tyre.» Atëherë si thua, a nuk prekej Perëndia kur populli i tij vuante?

Silvana: Kështu duket.

Mira: E vërteta është, Silvana, se Perëndia interesohet jashtë mase për ne dhe nuk duron dot që ne vuajmë. Kur ne vuajmë, ai vuan me ne.

PSE NUK KA NDËRHYRË?

Mira: Para se të largohem, ka edhe diçka tjetër që dua të të tregoj.

Silvana: Çfarë?

Mira: Shiko çfarë thotë Bibla për fuqinë e Perëndisë. Më vjen ndër mend Jeremia 10:12. A mund ta lexosh të lutem?

Silvana: Patjetër. «Pra, Ai është Bërësi i tokës me fuqinë e tij, Ai që e ka bërë të patundshme me mençurinë e vet dhe Ai që shpalosi qiejt me kuptueshmërinë e tij.»

Mira: Faleminderit! Le të ndalemi për një moment te ky varg. A nuk i është dashur Perëndisë një fuqi e madhe për të krijuar universin e paanë dhe çdo gjë në të?

Silvana: Sigurisht.

Mira: Tani, nëse Perëndia ka fuqinë të krijojë çdo gjë që na rrethon, a nuk duhet të presim që të ketë fuqi edhe për ta mbajtur nën kontroll atë?

Silvana: Po.

Mira: Mendo pak për mamanë tënde. Pse të dhemb në shpirt kur e sheh që vuan?

Silvana: Sepse e dua. Është mamaja ime.

Mira: Po të kishe fuqinë e duhur, a nuk do ta shëroje?

Silvana: Sigurisht.

Mira: Mendo pak. Bibla na mëson se Perëndia e sheh që vuajmë, i vjen keq për ne dhe ka fuqi tejet të madhe. A e imagjinon dot sa shumë duhet të përmbahet Perëndia që të mos ndërhyjë për t’u dhënë fund menjëherë vuajtjeve tona?

Silvana: S’e kisha menduar ndonjëherë këtë.

Mira: Mos vallë ka arsye të forta pse nuk ka ndërhyrë akoma për t’u dhënë fund problemeve tona? *

Silvana: Hmm, ndoshta.

Mira: Dëgjoj që po të bie telefoni, prandaj po kthehem një ditë tjetër që të flasim më tepër për këtë.

Silvana: Faleminderit! Me gjithë qejf. *

A keni pyetje për ndonjë temë biblike? A jeni kureshtar për ndonjë bindje ose praktikë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait? Nëse po, mos ngurroni të flitni për këto herën tjetër që do të takoni një Dëshmitar. Ai ose ajo do të bisedojë me kënaqësi për këto çështje.

^ par. 61 Për më shumë informacion, shih kapitullin 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 64 Në një artikull tjetër të kësaj serie do të shqyrtohet pse i lejon Perëndia vuajtjet.