XHONATANI, një koreano-amerikan, që fëmijë ishte viktimë e paragjykimit racial. Kur u rrit, donte të shkonte diku ku njerëzit nuk do ta paragjykonin në bazë të tipareve të fytyrës ose të prejardhjes raciale. U bë mjek në një qytet në veri të Alaskës, SHBA, ku ngjante me shumë pacientë. Ai shpresonte se ndoshta atje, mes erërave të ftohta të Rrethit Polar të Veriut, më në fund do t’u shpëtonte furtunave të acarta të paragjykimit.

Çdo shpresë e tillë iu shua kur i dha ndihmë mjekësore një 25-vjeçareje. Kur pacientja doli nga koma, e pa Xhonatanin në fytyrë dhe nxori një pasthirrmë fyese, duke zbuluar kështu përbuzjen e rrënjosur thellë për koreanët. Për Xhonatanin, kjo ngjarje ishte një përkujtues i dhimbshëm se, me gjithë përpjekjet për t’u shpërngulur dhe për t’u dukur si të tjerët, nuk arriti dot t’u shpëtonte kthetrave të paragjykimit.

Përvoja e Xhonatanit thekson një realitet të zymtë. Paragjykimi strehohet në çdo cep të tokës. Me sa duket, kudo ku ka njerëz, ka edhe paragjykim.

 Gjithsesi, ndonëse tejet i përhapur, shumë veta e dënojnë paragjykimin. Ky është vërtet paradoks. Si ka mundësi që një gjë kaq e papëlqyer, të jetë edhe kaq shumë e përhapur? Me sa duket, mjaft nga ata që e dënojnë paragjykimin, nuk e dallojnë te vetja e tyre. A është e vërtetë kjo edhe për ty? Si do t’i përgjigjeshe kësaj pyetjeje?

ÇËSHTJE PERSONALE

Në përgjithësi, e kemi të vështirë ta dallojmë nëse po ushqejmë paragjykime në zemrën tonë. Bibla shpjegon arsyen pse është kështu, kur thotë: «Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër.» (Jeremia 17:9, Diodati i Ri) Prandaj, mund të jemi duke e gënjyer veten kur besojmë se jemi tolerantë ndaj çdo lloj njeriu. Ose mund të justifikohemi se kemi arsye të vlefshme për t’i parë me sy negativ njerëzit e grupeve të caktuara.

Si do të ndiheshe po të gjendeshe në një situatë të tillë?

Për ta ilustruar sa e vështirë është të dallojmë nëse ushqejmë paragjykime të fshehura, përfytyro skenarin e mëposhtëm: po ecën i vetëm natën në një rrugë të pandriçuar dhe të afrohen dy të rinj që s’i ke parë kurrë më parë. Ata duken të fortë dhe njëri prej tyre sikur ka diçka në dorë.

A del në përfundimin se ata përbëjnë kërcënim për ty? Kuptohet, mund të tregohesh i kujdesshëm për shkak të përvojave të mëparshme, por a e justifikojnë vërtet ato përvoja përfundimin se këta dy të rinj janë të rrezikshëm? Një pyetje pak më e thellë do të ishte: cilës racë ose cilit grupi etnik mendove se i përkitnin këta të rinj? Përgjigjja e kësaj pyetjeje mund të zbulojë shumë gjëra. Mund të tregojë se, në njëfarë mase, farat e paragjykimit janë mbjellë edhe te ti.

Nëse duam të jemi të ndershëm me veten, duhet ta pranojmë se thellë brenda nesh të gjithë ushqejmë sadopak paragjykime në forma të ndryshme. Edhe Bibla flet për një formë shumë të zakonshme paragjykimi, kur thotë: «Njerëzit i gjykojnë të tjerët nga pamja.» (1 Samuelit 16:7, Contemporary English Version) Meqë të gjithë e kemi këtë prirje njerëzore—shpesh me pasoja shkatërrimtare—a ka ndopak shpresë që ta kapërcejmë ose ta eliminojmë paragjykimin në jetën tonë? Dhe, a do të vijë ndonjëherë koha kur e gjithë bota të çlirohet nga paragjykimi?