DISA THONË: «Sundimtari i botës është Perëndia, kështu që ai i shkakton katastrofat natyrore. Pra, i bie që është mizor.»

BIBLA THOTË: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19) Kush është ‘i ligu’? Sipas Biblës është Satanai. (Mateu 13:19; Marku 4:15) A është e pamundur kjo? Mendo pak: nëse gjithë bota është nën pushtetin e Satanait, atëherë ai i nxit njerëzit të jenë egoistë, lakmitarë dhe dritëshkurtër si ai. A nuk të ndihmon kjo të kuptosh pse njeriu e administron kaq keq mjedisin e tokës? Shumë specialistë paralajmërojnë se ky keqadministrim i mjedisit ndikon te katastrofat natyrore, i shkakton, i përkeqëson ose i bën njerëzit më të brishtë ndaj tyre.

Atëherë, pse Perëndia e lejon Satanain të ushtrojë kaq shumë ndikim? Përgjigjja lidhet me fillimin e historisë njerëzore, kur prindërit e parë u rebeluan ndaj sundimit të Perëndisë. Që nga ajo kohë, shumica e njerëzimit ka ndjekur të njëjtën udhë. Kjo zgjedhje—hedhja poshtë e sundimit të Perëndisë—e ka vënë botën e njerëzimit në duart e armikut të Perëndisë, Satanait. Kështu, Jezui e quajti Satanain «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 14:30) A do të sundojë përgjithmonë Satanai? Jo!

Jehovai * nuk tregohet aspak indiferent ndaj vuajtjeve që shkakton Satanai. Në fakt, Perëndia preket thellë nga vuajtjet e njerëzve. Për shembull, në lidhje me kohët e vështira që kaloi kombi i Izraelit, Bibla thotë për Perëndinë: «Ai vuajti për të gjitha vuajtjet e tyre.» (Isaia 63:9) Me mëshirë, Perëndia ka marrë masa që sundimi mizor i Satanait të marrë fund. Kjo do të ndodhë së shpejti! Ai ka caktuar të Birin, Jezu Krishtin, që të mbretërojë përgjithmonë me drejtësi.

PSE DUHET TË TË INTERESOJË: Megjithëse sundimi i Satanait nuk ia ka dalë t’i mbrojë njerëzit nga katastrofat natyrore, sundimi i Jezuit do ta arrijë këtë. Në një rast, Jezui i mbrojti dishepujt gjatë një stuhie të egër. Tregimi i Biblës thotë: «Ai . . . qortoi erën dhe i tha detit: ‘Pusho! Hesht!’ Era ra dhe u bë një qetësi e madhe.» Dishepujt thanë: «Kush është ky, që i binden edhe era dhe deti?» (Marku 4:37-41) Kjo ngjarje na jep siguri se Jezui do t’i mbrojë të gjithë njerëzit e bindur gjatë sundimit të tij si Mbret.—Danieli 7:13, 14.

^ par. 5 Jehova është emri i Perëndisë, siç tregohet në Bibël.