Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 AFROJUNI PERËNDISË

A interesohet vërtet Jehovai për ty?

A interesohet vërtet Jehovai për ty?

«Ndoshta ndjenjat e pavlefshmërisë janë pengesa më e madhe që po përpiqem të kapërcej.» Kështu u shpreh një grua, e cila besonte se Jehovai kurrë nuk mund të gjente ndonjë arsye që të interesohej për të. A ndihesh edhe ti njësoj? Nëse po, mbase pyet veten: «A interesohet vërtet Jehovai për secilin nga adhuruesit e tij?» Përgjigjja është po. Interesimi i Jehovait për secilin prej nesh duket nga fjalët e Jezuit.—Lexo Gjonin 6:44.

Çfarë tha Jezui, i cili e njeh më mirë se kushdo personalitetin dhe vullnetin e Jehovait? (Luka 10:22) Ai shpjegoi: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi, nuk e tërheq.» Prandaj, nuk mund të bëhemi dishepuj të Krishtit dhe adhurues të Atit tonë qiellor, Jehovait, po të mos na tërheqë Ai. (2 Selanikasve 2:13) Nëse e kuptojmë ç’donte të thoshte Jezui, do të shohim te fjalët e tij dëshmi të fuqishme të interesimit të Perëndisë.

Ç’do të thotë që Jehovai na tërheq? Folja greke e përkthyer «tërheq» përdoret edhe për t’iu referuar tërheqjes së një rrjete me peshq. (Gjoni 21:6, 11) A na tërheq Jehovai kundër vullnetit tonë, duke na detyruar t’i shërbejmë? Aspak! Jehovai na ka dhënë vullnet të lirë, kështu që nuk na detyron ta hapim zemrën tonë për t’i shërbyer. (Ligji i përtërirë 30:19, 20) Një studiues e shpjegoi kështu: «Dera e zemrës së njeriut nuk ka dorezë nga jashtë. Ajo duhet hapur nga brenda.» Jehovai heton miliarda zemrat e kësaj bote, duke kërkuar individët që janë të prirur drejt tij. (1 Kronikave 28:9) Kur e gjen një njeri të tillë, ai vepron në mënyrë prekëse. Si e bën këtë?

Jehovai e tërheq me butësi zemrën e një njeriu që është ‘i prirur’. (Veprat 13:48) Ai e bën këtë në dy mënyra: me anë të mesazhit biblik të lajmit të mirë që e dëgjojmë personalisht dhe me anë të frymës së shenjtë. Kur Jehovai sheh një zemër që e pranon të vërtetën biblike, ai përdor frymën e tij të shenjtë që ta ndihmojë individin ta kuptojë e ta zbatojë të vërtetën në jetën e tij. (1 Korintasve 2:11, 12) Pa ndihmën e Perëndisë, s’do të bëheshim kurrë dishepuj të vërtetë të Jezuit dhe adhurues të përkushtuar të Jehovait.

«Dera e zemrës së njeriut nuk ka dorezë nga jashtë. Ajo duhet hapur nga brenda»

Atëherë, çfarë na mësojnë për Perëndinë Jehova fjalët e Jezuit te Gjoni 6:44? Jehovai i tërheq njerëzit sepse sheh diçka të mirë në zemrën e tyre dhe interesohet për ta si individë. Gruaja e përmendur në fillim, u lehtësua kur kuptoi këtë të vërtetë që të jep zemër. Ajo thotë: «Të jesh shërbëtor i Jehovait është privilegji më i madh që mund të ketë dikush. Dhe, nëse Jehovai më ka zgjedhur të jem shërbëtore e tij, atëherë duhet të jem e çmuar për të.» Po ty? A nuk të nxit dijenia se Jehovai interesohet për secilin nga adhuruesit e tij, që ta hapësh me dëshirë derën e zemrës sate?

Sugjerim për leximin e Biblës në maj

Luka 22-24Gjoni 1-16