Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 BIBLA TË NDRYSHON JETËN

«Ëndërroja të bëhesha prift»

«Ëndërroja të bëhesha prift»
  • LINDUR: 1957

  • VENDI I LINDJES: MEKSIKA

  • MË PARË: STUDIONTE NË SEMINAR; KISHTE NATYRË TË DHUNSHME

E KALUARA IME:

Linda në qytetin e vogël të Tekskokos. Në atë kohë, shumica e rrugëve ishin të pashtruara dhe gjithë pluhur. Ishte e zakonshme të shihje njerëz nga fshatrat përreth që sillnin në qytet gomarë plot me mallra për të shitur. Isha fëmija i shtatë nga nëntë fëmijët në familjen tonë shumë të varfër. Për të mbështetur familjen, babai riparonte disa lloje sandalesh. Por, ai vdiq kur isha shtatë vjeç. Që nga ajo kohë, nëna mundohej shumë që t’i siguronte ushqim familjes.

Gjyshi i binte violinës dhe dirigjonte një orkestër të specializuar në muzikë fetare klasike. Pothuajse çdo pjesëtar i familjes sime i binte një vegle muzikore. Nëna këndonte në korin e kishës, kurse daja ishte këngëtar e pianist në operë. Kishim prirje fetare; isha ndihmës i priftit dhe ëndërroja të bëhesha misionar katolik. Njëkohësisht, isha i dhënë pas filmave me karate. Sa më shumë i shihja këta filma, aq më i dhunshëm bëhesha.

Në Pueblë, hyra në një shkollë fetare që funksiononte si seminar. Synoja të bëhesha prift katolik. Por, gjatë vitit të fundit të studimeve, u zhgënjeva nga Kisha Katolike. Një murgeshë e re më tundonte seksualisht. I rezistova tundimit, por kjo situatë më ngjalli dëshirën për t’u martuar. Për më tepër, vëreja se disa priftërinj bënin jetë hipokrite. Me kalimin e kohës, hoqa dorë nga synimi për t’u bërë prift.

Si ndihmës i priftit, ëndërroja të bëhesha misionar katolik. Por isha i dhënë pas filmave me karate dhe zhvillova një natyrë të dhunshme

 Vendosa të studioja për muzikë në Konservatorin Kombëtar të Muzikës në qytetin e Meksikos. Pasi u diplomova, u martova dhe s’kaloi shumë e u bëmë me katër fëmijë. Për të mbajtur familjen, këndoja gjatë meshës në Kishën Katolike.

Që në fillim, patëm probleme në martesë. Unë e gruaja ishim të dhunshëm ndaj njëri-tjetrit, kryesisht ngaqë ushqenim ndjenja xhelozie. Në fillim e sulmonim njëri-tjetrin me fjalë, më vonë edhe fizikisht. Pas 13 vjetësh, vendosëm të ndaheshim dhe më pas u divorcuam.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

U takova për herë të parë me Dëshmitarët e Jehovait para se të ndahesha nga gruaja. Dy Dëshmitarë trokitën në derën tonë dhe donin të na flitnin për Biblën. Mendoja se dija shumë për fenë, prandaj nisa të kapesha me ta duke u bërë pyetje të vështira që sipas meje nuk u jepnin dot përgjigje. Por, sa u habita që ata gjithnjë më jepnin përgjigje të kënaqshme të bazuara në Bibël! Nisa të kuptoja se në të vërtetë dija fare pak. Gjithsesi, gruaja sillej shumë keq me Dëshmitarët dhe unë isha tejet i zënë, prandaj vizitat e tyre morën fund.

Kur i takova përsëri Dëshmitarët e Jehovait pesë vjet më vonë, jetoja me një grua tjetër, me Elvirën. Ajo nuk i kundërshtonte Dëshmitarët, kështu që e kisha të lehtë të studioja Biblën rregullisht. Megjithatë, m’u deshën disa vjet që të ndryshoja mënyrën e jetesës.

E kuptova se duhej të bëja disa ndryshime rrënjësore, nëse doja ta adhuroja me gjithë zemër Jehovain. Si fillim duhej ta lija punën si këngëtar në meshat e Kishës Katolike. Kjo do të thoshte se duhej të gjeja punë tjetër. (Zbulesa 18:4) Gjithashtu duhej të ligjëroja martesën me Elvirën.

Por, një nga ndryshimet më të vështira ishte të mësoja të kontrolloja temperamentin gjaknxehtë. Më ndihmuan sidomos dy shkrime biblike: Psalmi 11:5 që thotë se Jehovai e urren dhunën dhe 1 Pjetrit 3:7, i cili më mësoi se duhet ta nderoj gruan që Jehovai të m’i dëgjojë lutjet. Teksa meditoja për këto vargje dhe i lutesha Jehovait për ndihmë, gradualisht arrita ta kontrolloja veten.

Nga Bibla mësova se duhet ta nderoj gruan nëse dua që Jehovai të m’i dëgjojë lutjet

DOBITË:

Tani gëzoj jetë të lumtur familjare. Përpiqem fort të përmirësoj marrëdhënien me djemtë nga martesa e parë dhe ta ndihmoj familjen e tanishme të ketë besim të fortë.

Kur isha fëmijë, ëndërroja të bëhesha prift e të ndihmoja njerëzit. Tani mendoj se jeta ime ka kuptim të vërtetë. E mbaj familjen duke dhënë mësime muzike. I jam kaq mirënjohës Jehovait që ishte i duruar me mua dhe më dha mundësinë të ndryshoja e të bëhesha njeri më i mirë!