‘Të ecim si Jezui.’—1 Gjonit 2:6.

SIÇ e pamë në artikullin e mëparshëm, Jezui bëri jetë me kuptim. Prandaj, nëse duam t’i japim kuptim jetës sonë, bëjmë mirë ta imitojmë shembullin e tij dhe t’ua vëmë veshin këshillave që jep ai.

Në fakt, Jehovai na nxit të ecim si Jezui, siç e tregon edhe shkrimi i mësipërm. Kjo nënkupton ta modelojmë gjithë mënyrën e jetesës sipas shembullit dhe mësimeve të tij. Kur veprojmë kështu, do të fitojmë miratimin e Perëndisë dhe jeta jonë do të ketë kuptim.

Jezui u mësoi të tjerëve parime që mund të na ndihmojnë të ecim si ai. Disa nga këto parime i gjejmë në Predikimin e famshëm në Mal. Le t’i shqyrtojmë disa prej tyre dhe të shohim si mund t’i zbatojmë në jetën tonë.

PARIMI: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.»—Mateu 5:3.

SI NA NDIHMON KY PARIM TË BËJMË JETË ME KUPTIM:

Jezui tregoi se njerëzit kanë një nevojë të lindur për të mësuar për Perëndinë. I dëshirojmë me zjarr përgjigjet e këtyre pyetjeve: Pse ekzistojmë? Pse ka kaq shumë vuajtje në tokë? A interesohet vërtet Perëndia për ne? A ka jetë pas vdekjes? Që jeta jonë të ketë kuptim, duhet t’i dimë përgjigjet e këtyre pyetjeve. Jezui e dinte se këtyre pyetjeve mund t’u përgjigjet vetëm një burim i besueshëm—Fjala e Perëndisë. Ai i tha Atit të tij në lutje: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) A mund të na ndihmojë vërtet Fjala e Perëndisë ta plotësojmë nevojën për të mësuar për Të?

SHEMBULL REAL:

Esau ishte vokalisti kryesor i një grupi muzikor të njohur dhe po fitonte famë si yll roku. Prapëseprapë, e ndiente se i mungonte diçka. «Megjithëse isha i lumtur që bëja pjesë në atë grup, doja shumë që jeta ime të kishte më tepër kuptim»,—thotë ai. Gjithsesi, me kalimin e kohës, Esau takoi një Dëshmitar të Jehovait. «E bombardova me pyetje,—pranon Esau.—Përgjigjet logjike të bazuara në Shkrime më ngjallnin kureshtjen, prandaj pranova të studioja Biblën me të.» Gjërat që mësoi nga studimi i Biblës ia prekën zemrën Esaut dhe e nxitën t’ia kushtonte jetën Jehovait. Ai thotë: «Në të kaluarën, problemet dhe krizat s’më ndaheshin. Tani jeta ime ka qëllim të vërtetë.» *

PARIMI: «Lum të mëshirshmit!»—Mateu 5:7.

SI NA NDIHMON KY PARIM TË BËJMË JETË ME KUPTIM:

Mëshira përfshin t’u tregojmë të tjerëve dhembshuri, mirëdashje dhe konsideratë. Jezui u tregoi mëshirë nevojtarëve. I shtyrë nga dhembshuria e thellë, ai mori nismën t’ua lehtësonte vuajtjet të tjerëve. (Mateu 14:14; 20:30-34) Kur e imitojmë Jezuin duke treguar mëshirë, i japim më tepër kuptim jetës sonë, kurse atyre që u tregojmë mëshirë, u falim lumturi. (Veprat 20:35) Të tjerëve mund t’u shfaqim mëshirë me fjalë dhe veprime të mira, duke u sjellë lehtësim kur kanë nevojë për ndihmën tonë. A i kontribuon mirëqenies sonë shfaqja e mëshirës?

Maria dhe Karlosi

SHEMBULL REAL:

Maria dhe burri i saj, Karlosi, shfaqin mëshirë në mënyrë shembullore. Babai i Marisë është i ve dhe vitet e fundit ka zënë shtratin. Maria dhe Karlosi e kanë marrë në shtëpinë e tyre dhe kujdesen për çdo nevojë të tij. Kanë kaluar shumë net pa gjumë, madje edhe e kanë çuar urgjentisht në spital kur ka pasur kriza diabetike.  Ata e pranojnë se ndonjëherë lodhen vërtet. Por, siç tha Jezui, janë të lumtur, sepse ndiejnë kënaqësi të thellë duke ditur që po i sigurojnë kujdesin e nevojshëm babait të Marisë.

PARIMI: «Lum paqebërësit!»—Mateu 5:9.

SI NA NDIHMON KY PARIM TË BËJMË JETË ME KUPTIM:

Si ia shton kuptimin jetës kur je paqebërës ose paqësor, siç mund të përkthehet ndryshe? Kemi marrëdhënie më të mira me njerëzit që na rrethojnë. Prandaj, bëjmë mirë t’ia vëmë veshin këshillës biblike: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.» (Romakëve 12:18) «Të gjithë» përfshijnë pjesëtarët e familjes dhe të tjerë që mbase nuk kanë të njëjtat bindje si ne. A i jep vërtet më shumë kuptim jetës sate kur tregohesh paqebërës me «të gjithë»?

Nairja

SHEMBULL REAL:

Shqyrto përvojën e një gruaje që quhet Naire. Për vite të tëra ajo është përballur me shumë presione që ia kanë sprovuar aftësinë për të ruajtur paqen, veçanërisht brenda familjes. Që kur i shoqi e braktisi rreth 15 vjet më parë, i ka rritur e vetme fëmijët. Njëri nga djemtë e saj kishte probleme me drogën. Shpesh ai e humbte kontrollin dhe kërcënonte atë dhe vajzën e saj. Nairja beson se gjërat që ka mësuar nga Bibla e kanë forcuar të tregohet paqësore, edhe nën rrethana sprovuese. Ajo përpiqet të mos debatojë ose të zihet. Mundohet të shfaqë mirëdashje, empati dhe t’i kuptojë të tjerët. (Efesianëve 4:31, 32) Është e bindur se, ngaqë ka mësuar të jetë paqësore, ka arritur të ruajë marrëdhënie sa më të mira me pjesëtarët e familjes dhe me të tjerë.

TË MBAJMË PARASYSH TË ARDHMEN

Nëse ndjekim këshillën e mençur të Jezuit, do të gjejmë lumturi dhe kënaqësi në jetë. Por, që të bëjmë vërtet jetë me kuptim, duhet të dimë edhe çfarë rezervon e ardhmja. Në fund të fundit, sa kuptim do të kishte jeta, nëse gjithçka dimë është se do të plakemi, do të sëmuremi e më pas do të vdesim? E prapëseprapë, këto janë realitete të jetës sot.

Por ka edhe një lajm të mirë! Jehovai do t’u japë shumë bekime atyre që përpiqen ‘të ecin si Jezui’. Jehovai premton se së shpejti do të sjellë një botë të re e të drejtë, ku njerëzit besnikë do të jetojnë sipas qëllimit të tij fillestar—do të jetojnë përgjithmonë me shëndet të përsosur. Fjala e Tij thotë: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:3, 4.

Maria, gruaja 84-vjeçare që përmendëm në artikullin e parë të kësaj serie, mezi pret ta shohë përmbushjen e këtyre fjalëve. Po ti? A dëshiron të dish më tepër për «jetën e vërtetë», të cilën do ta gëzojmë nën Mbretërinë e Perëndisë? (1 Timoteut 6:19) Nëse po, mund të pyesësh Dëshmitarët e Jehovait në zonën ku jeton ose mund t’u shkruash botuesve të kësaj reviste. *

^ par. 8 Historinë e plotë të Esaut mund ta lexosh në artikullin «Bibla të ndryshon jetën—Sjellja ime ishte brutale».

^ par. 18 Libri Çfarë mëson vërtet Bibla, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, ka ndihmuar shumë veta të studiojnë ç’thonë Shkrimet për tema të ndryshme.