Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 AFROJUNI PERËNDISË

«Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet»

«Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet»

«Zotëri, na mëso si të lutemi.» (Luka 11:1) Këtë kërkesë ia bëri Jezuit njëri nga dishepujt. Në përgjigje Jezui tregoi dy ilustrime, të cilat na mësojnë si të lutemi që Perëndia të na i dëgjojë lutjet. Nëse e ke pyetur veten ndonjëherë a t’i dëgjon Perëndia lutjet, përgjigjja e Jezuit do të të interesojë.—Lexo Lukën 11:5-13.

Ilustrimi i parë përqendrohet tek ai që lutet. (Luka 11:5-8) Në tregim, një burri i shkon një mysafir natën vonë, por ai nuk ka ushqim për të. Për mikpritësin nuk pret puna. Pavarësisht nga ora, ai shkon në shtëpinë e një miku për t’i marrë hua pak bukë. Në fillim miku ngurron të ngrihet, sepse nuk do që të zgjojë familjen. Por, mikpritësi ngulmon pa u sikletosur dhe me vendosmëri vazhdon të kërkojë derisa, më në fund, miku ngrihet dhe i jep ç’i nevojitet. *

Çfarë na mëson për lutjen ilustrimi i Jezuit? Jezui po na tregon se duhet të ngulmojmë—të vazhdojmë të kërkojmë dhe të trokasim. (Luka 11:9, 10) Pse? Me fjalë të tjera, a po thoshte Jezui se, kur lutemi, në të vërtetë po i biem pa pushim derës së një Perëndie që ngurron të përgjigjet? Jo. Mësimi i Jezuit është se, ndryshe nga miku që ngurronte, Perëndia mezi pret t’ua plotësojë kërkesat e përshtatshme atyre që i luten me besim. E tregojmë këtë besim kur ngulmojmë. Duke kërkuar vazhdimisht, tregojmë se na duhet vërtet ajo që po kërkojmë dhe se besojmë pa pikë dyshimi që Perëndia mund të na e plotësojë—nëse ia kërkojmë sipas vullnetit të tij.—Marku 11:24; 1 Gjonit 5:14.

Ilustrimi i dytë përqendrohet te ‘Dëgjuesi i lutjes’, Jehovai. (Psalmi 65:2) Jezui pyeti: «Cili është ai baba që, po t’i kërkojë i biri një peshk, i jep në vend të peshkut një gjarpër? Apo po t’i kërkojë një vezë, i jep një akrep?» Përgjigjja është e qartë—asnjë baba i dashur nuk u jep gjëra të dëmshme fëmijëve të tij. Më pas, Jezui shpjegon ilustrimin: nëse etërit e papërsosur njerëzorë ‘u japin dhurata të mira’ fëmijëve të tyre, «aq më shumë Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë»—dhuratën më të mirë që ekziston—fëmijëve të tij tokësorë, të cilët ia kërkojnë. *Luka 11:11-13; Mateu 7:11.

Perëndia mezi pret t’ua plotësojë kërkesat e përshtatshme atyre që i luten me besim

Çfarë na mëson ky ilustrim për Jehovain, ‘Dëgjuesin e lutjes’? Jezui na fton ta shohim Jehovain si një atë të dashur që mezi pret t’ua plotësojë nevojat fëmijëve të tij. Prandaj, adhuruesit e Jehovait mund t’i kërkojnë lirisht çfarë t’u dojë zemra. Dhe, duke ditur se ai do më të mirën për ta, mund ta pranojnë me gatishmëri përgjigjen e tij, edhe nëse nuk është përgjigjja që prisnin. *

Sugjerim për leximin e Biblës në prill

Luka 7-21

^ par. 4 Ilustrimi i Jezuit pasqyron zakonet dhe praktikat e jetës reale. Për judenjtë ishte detyrë e shenjtë të tregonin mikpritje. Një familje piqte bukë sa për një ditë, por, nëse kjo sasi mbaronte, ishte e zakonshme të kërkonte hua. Gjithashtu, nëse ishte e varfër, e gjithë familja flinte në dysheme në një dhomë të vetme.

^ par. 6 Jezui përdori shpesh linjën e arsyetimit «aq më shumë»—ai merrte shkas nga gjërat më të vogla dhe i zbatonte për gjërat më të mëdha.

^ par. 7 Për të mësuar më shumë si t’i lutemi Perëndisë që të na dëgjojë, shih kapitullin 17 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.