Siç e di, gënjeshtër është të thuash diçka që ti e di se s’është e vërtetë. A ke gënjyer ndonjëherë? . . . * Gënjeshtra kanë thënë edhe disa të rritur që e duan Perëndinë. Mbase e njeh një personazh biblik që ka gënjyer. Emri i tij është Pjetër, një nga 12 apostujt e Jezuit. Le ta dëgjojmë tregimin dhe të shohim pse gënjeu ai.

Pasi e arrestuan, Jezuin e çuan te shtëpia e kryepriftit. Tashmë kishte kaluar mesi i natës. Pa e njohur njeri, Pjetri hyri në oborrin e shtëpisë së kryepriftit. Por, nën ndriçimin e zjarrit, shërbëtorja e kryepriftit që e la Pjetrin të futej brenda, e njohu. «Edhe ti ishe me Jezuin»,—i tha ajo. Nga frika, Pjetri e mohoi.

Bibla tregon se më vonë «një vajzë tjetër e vuri re». Ajo tha: «Ky njeri ishte me Jezuin.» Pjetri e mohoi përsëri. Pas pak, disa të tjerë i afrohen Pjetrit dhe i thonë: «Pa dyshim që edhe ti je një nga ata.»

Pjetri frikësohet, prandaj gënjen për herë të tretë. Ai thotë: «Nuk e njoh atë njeri!» Një gjel këndon. Jezui shikon nga Pjetri dhe atij i kujtohet se pak orë më përpara, Jezui i kishte thënë: «Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë.» Pjetri nuk përmbahet dot dhe shpërthen në lot. Atij i vjen shumë keq!

Po ty, a mund të të ndodhë diçka e tillë? . . . Mund të jesh në shkollë dhe dëgjon nxënësit që flasin për Dëshmitarët e Jehovait. «Ata nuk e nderojnë flamurin»,—thotë njëri. «Nuk luftojnë për atdheun»,—shton një tjetër. Akoma më tej dikush thotë: «Ata nuk janë të krishterë, sepse nuk i festojnë Krishtlindjet.» Më pas, dikush kthehet nga ti dhe të pyet: «A nuk je edhe ti Dëshmitar i Jehovait?» Si do të përgjigjesh? . . .

 Që të japësh përgjigje të mirë, duhet të jesh i përgatitur që më përpara. Pjetri nuk ishte i përgatitur. Kur u vu nën presion, ai gënjeu. Megjithatë, pastaj i erdhi shumë keq për atë që kishte bërë dhe Perëndia e fali.

Edhe Anania, një dishepull tjetër i Jezuit, gënjeu. Por Perëndia nuk e fali as atë, as gruan e tij, Safirën. Ajo kishte rënë dakord me të shoqin që të gënjente. Le ta shohim pse Perëndia nuk i fali Ananinë dhe Safirën.

Dhjetë ditë pasi Jezui i la apostujt dhe u kthye te Perëndia në qiell, në Jerusalem pagëzohen rreth 3.000 veta. Shumë kanë ardhur nga vende të largëta për të kremtuar festën e Ditës së Pesëdhjetë. Pasi bëhen dishepuj të Jezuit, duan të qëndrojnë më gjatë që të mësojnë akoma për besimin e tyre të ri. Kështu, disa dishepuj të Jezuit përdorin paratë e tyre që të kujdesen për ta.

Anania dhe gruaja e tij shesin një pronë për të ndihmuar me para ata që sapo ishin pagëzuar. Kur Anania i sjell paratë tek apostujt, ai thotë se kjo është e gjithë sasia nga shitja. Por nuk është ashtu! Ai i mban për vete ca para. Perëndia ia bën të njohur Pjetrit këtë, prandaj Pjetri i thotë Ananisë: «Ti nuk u orvate të mashtrosh njerëzit, por Perëndinë.» Në atë moment, Anania bie përtokë i vdekur. Rreth tri orë më vonë, hyn gruaja e tij. Ajo nuk e dinte çfarë i kishte ndodhur të shoqit, prandaj gënjen edhe ajo. Më pas bie përtokë e vdekur.

Sa mësim i fuqishëm: është e rëndësishme të themi të vërtetën! Po, të gjithë ne duhet ta mësojmë këtë. Prapëseprapë, të gjithë bëjmë gabime, sidomos kur jemi të rinj. A nuk je i lumtur që Jehovai të do dhe do të të falë, siç fali edhe Pjetrin? . . . Por mos harro: duhet të themi të vërtetën! Dhe, nëse ndonjëherë e bëjmë këtë gabim të madh—gënjejmë,—duhet t’i kërkojmë falje Perëndisë, madje t’i përgjërohemi. Edhe Pjetri duhet ta ketë bërë këtë, dhe Perëndia e fali. Nëse përpiqemi fort të mos gënjejmë më, Perëndia do të na falë edhe neve!

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.