ÇFARË ËSHTË PËRULËSIA?

Përulësia është mungesë arrogance ose krenarie. Një njeri i përulur nuk i konsideron të tjerët më të ulët se veten. Çdo njeri i papërsosur që është i përulur duhet të jetë edhe modest, pra, i vetëdijshëm për kufizimet që ka.

SI SHFAQI PËRULËSI MOISIU?

Moisiu nuk lejoi të krekosej nga autoriteti. Shpesh, kur dikujt i jepet sadopak autoritet, bëhet shumë shpejt e dukshme nëse ka apo s’ka përulësi. Ja si e shpjegoi këtë Robert G. Ingërsolli, autor i shekullit të nëntëmbëdhjetë: «Shumë njerëz mund t’i përballojnë mirë vështirësitë. Por, nëse dëshiron të dish ç’lloj njeriu është në të vërtetë dikush, jepi pushtet.» Në këtë kuptim, Moisiu la një shembull të shkëlqyer përulësie. Në ç’mënyrë?

Moisiut iu dha shumë autoritet, sepse Jehovai e caktoi t’i printe kombit të Izraelit. Prapëseprapë, ai kurrë nuk u bë krenar nga autoriteti. Për shembull, shqyrto me sa modesti e trajtoi një çështje të vështirë për të drejtat e trashëgimisë. (Numrat 27:1-11) Kjo ishte çështje me peshë, pasi vendimi do të krijonte një precedent ligjor për brezat e ardhshëm.

Si do të vepronte Moisiu? A do të arsyetonte se, meqë ishte udhëheqës i Izraelit, kishte kualifikimin e duhur për t’i dhënë drejtim kësaj çështjeje? A do të mbështetej tek aftësitë e lindura, te vitet e përvojës ose te njohuria e thellë për mënyrën si mendon Jehovai?

Ndoshta kështu do të kishte vepruar një njeri krenar, por jo Moisiu. Tregimi i Biblës na thotë: «Moisiu ia paraqiti çështjen . . . Jehovait.» (Numrat 27:5) Mendo pak! Ndonëse kishte rreth 40 vjet që udhëhiqte kombin e Izraelit, Moisiu nuk u mbështet te vetja, por te Jehovai. Nga kjo e shohim qartë se ai ishte shumë i përulur.

Moisiu nuk e mbrojti tërë xhelozi autoritetin e tij. Ai u gëzua kur Jehovai i lejoi disa izraelitë të tjerë të vepronin si profetë bashkë me të. (Numrat 11:24-29) Kur i vjehrri sugjeroi që të mos e mbante i vetëm gjithë atë ngarkesë të rëndë, ai ia vuri veshin me përulësi. (Dalja 18:13-24) Gjithashtu, nga fundi i jetës, ndonëse ende i fortë fizikisht, Moisiu i kërkoi Jehovait të caktonte dikë tjetër për ta zëvendësuar. Kur Jehovai zgjodhi Josiun, Moisiu e mbështeti me gjithë zemër këtë të ri, duke e nxitur popullin t’i bindej Josiut teksa i printe për në Tokën e Premtuar. (Numrat 27:15-18; Ligji i përtërirë 31:3-6; 34:7) Sigurisht, Moisiu e konsideronte privilegj t’u printe izraelitëve në adhurim. Por, ai nuk e vuri autoritetin e tij para mirëqenies së të tjerëve.

ÇFARË MËSOJMË?

Kurrë nuk duam ta lejojmë pushtetin, autoritetin ose aftësitë e lindura të na krekosin. Mos harro: që të jemi të dobishëm për Jehovain, përulësia duhet të spikatë gjithmonë mbi aftësitë tona. (1 Samuelit 15:17) Kur jemi vërtet të përulur, përpiqemi fort ta zbatojmë këshillën e mençur të Biblës: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde.»—Proverbat 3:5, 6.

Gjithashtu, shembulli i Moisiut na mëson të mos i kushtojmë shumë rëndësi pozitës ose autoritetit tonë.

A nxjerrim dobi kur imitojmë shembullin e përulësisë që la Moisiu? Pa diskutim që po. Kur zhvillojmë përulësi të vërtetë, ua lehtësojmë jetën të tjerëve përreth dhe ata na vlerësojnë më tepër. Ç’është më e rëndësishmja, na vlerëson më tepër edhe Perëndia Jehova, i cili po ashtu, e shfaq këtë cilësi të bukur. (Psalmi 18:35) «Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.» (1 Pjetrit 5:5) Sa arsye e fortë për ta imituar përulësinë e Moisiut!